• |
ide | kryesore

“Kampionë? Pyetjen ma bëni kur të jemi në katërshe”: Mehmeti pa limite, Gvozdenovic: “Ishim për turp”

Sport
Mehmeti



“Në këtë pikë të kampionatit fillimisht duhet të kënaqesh me pikët, por kur bën lojë të mirë është akoma më pozitive. Në disa javë nuk ishim të qetë para portës. Më vjen keq që skuadra i jep iniciativa kundërshtarit herë pas herë. Futbolli është lojë gabimesh. Duhet të falenderoj të gjithë çunat për forcën e karakterit”. Dritan Mehmeti është i përmbushur me fitoren 2-0 kundër Skënderbeut, që e ka afruar tani -1 nga vendi i katërt. Tekniku tani me një fitore në ndeshjen e prapambetur me Teutën, mund të bëjë parakalimin: “Nuk duhet të gjejmë justifikime, nuk besoj se do të ndikojë dita e ndeshjes. Teuta është pak më e freskët, por besoj do të jemi të barabartë dhe do të japim gjithçka. Është e vështirë të mendosh Final Four, me një humbje shkon prapë aty ku ishe”.

Tekniku ka kthyer Dinamon nga Ferri në Parajsë, duke e marrë nga vendi i fundit e duke e sjellë potencialisht të katërtën. Sidoqoftë, Mehmeti bën modestin: “Unë kam bërë një pjesë të punës, pjesa kryesore janë lojtarët. Presidenti është shumë korrekt dhe i apasionuar. Në qoftë se nuk funksionojnë hallkat, idetë bëhen më të vështira. Nuk kemi arritur asgjë akoma. Me Egnatian, Vllazninë dhe Tiranën, morëm vetëm 1 pikë. Mendojmë për Teutën, për 3-4 javë ndahet kush është më afër”.

I ngacmuar në lidhje me mudnësinë që Dinamo të fitojë një titull që do të ishte impresionues, për sa i papritur duket, Mehmeti u përgjigj: “Bilanci bëhet kur mbaron kampionati. Bëhet analiza dhe pastaj dalim në një verdikt. Nuk mund të deklaroj gjërat që janë jashtë normales. Pyetjen për titullin kampion ma bëni kur të jemi në katërshen”, u shpreh Dritan Mehmeti.

GVOZDENOVIC: “ISHIM PËR TURP”

“Nuk ishim mirë, shumë dobët nga minuat e parë, deri në fund. Nuk vrapuam mirë, ata ishin më agresivë, fituan topin e dytë, patën më shumë dëshirë të fitonin ndeshjen. Ne nuk kishim një apo dy lojtarë keq, ne si skuadër sot ishim për turp. Sot nuk e meritonim asgjë nga ndeshja”. Ivan Gvozdenovic nuk kërkon alibi në humbjen 2-0 me Dinamon. Përkundrazi, fut edhe veten në performancën opake që bardhekuqtë dhanë në Niko Dovana: “Të gjithë sot, edhe unë si trajner sot nuk isha mirë. Edhe lojtarët. Kur ndërrova lojtarë si Liço, Prençi e Rabiu, kisha mendim që të provonim diçka nga pankina me lojtarë që kanë më pak minuta, por me grintë mund të bënin diçka tjetër. Jo se ata luajtën keq, të gjithë si skuadër ishim keq”.

Lexo më tej: Kaçorri gol spektakolar, Qefalia mbyll hesapet: Dinamo thyen Skënderbeun e sheh vendin e katërt

Gvozdenovic nuk justifikohet me mungesat e lojtarëve të thirrur me Kombëtaren: “Ndoshta ishin një minus për ne, por prapë ishin vetëm 3 lojtarë. Nuk ishim në nivelin e Skënderbeut. Ekipit i jap karton të verdhë, se nuk ishim mirë, ishim si të lodhur. Por tani do të gjykojmë lojtarët, të gjithë nuk ishim mirë. Do mundohemi që javën tjetër të bëjmë më mirë. Jo pak, shumë më mirë”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *