• |
ide | kryesore

Gjykata lë në burg ish-drejtorin e ALUIZNI-t të Sarandës

Arkiva, Lajme, Të fundit



Gjykata e Sarandës ka vendosur sot të lërë në qeli ish-drejtorin e ALUIZNI Sarandë, Mariel Murati 47 vjeç. Seanca gjyqësore është zhvilluar 4 ditë pas vetëdorëzimit të Muratit dhe ka zgjatur për plot 4 orë.

Prokurorja Silvana Belishta ka kërkuar vlerësimin të ligjshëm të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për Muratin nën akuzat “ndërtim i paligjshëm” dhe “falsifikim dokumentash”. Dy orë pas kërkesës së Prokurorisë dhe mbrojtjes, Gjyqtari Mikel Hysometaj ka vendosur të shpallë të paligjshëm ndalimin e Mariel Muratit të dyshuar për kryerjen e veprave penale “ ndërtim i paligjshëm” dhe “ falsifikim i dokumenteve” dhe caktimin ndaj tij të masës së sigurimit “Arrest në burg”.

Nga 10 të ndaluarit në kuadër të operacionit të nisur në 13 mars, në masë “Arrest në burg” ndodhet vetëm Mariel Murati. Dy prej tyre janë lënë në masën “Arrest në shtëpi” ndërsa 7 të tjerë janë lënë në masën “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Në kërkim për këtë dosje vazhdon të jetë Kozeta Statha, ish-Drejtore e ASHK Sarandë, e dyshuar për “shpërdorim detyre”. Ndaj kësaj të fundit ka një tjetër masë sigurimi aktive “Arrest në burg” prej marsit 2022, për një dosje për të cilën tashmë kanë filluar edhe proceset gjyqësore.

Mariel Murati akuzohet për ndërtimin e paligjshëm të një hoteli 7 katësh në lagjen nr.4 të Sarandës dhe falsifikimin e dokumentave inxhinierikë të saj. Ish zyrtarët e IMT dhe IKMT akuzohen për lejimin e ndërtimit ndërsa ish zyrtarët e ASHK, për legalizimin e saj.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *