• |
ide | kryesore

“La Repubblica”: Si po zhduken shpendët nga laguna e Kune Vainit në Lezhë

Arkiva, Lajme, Të fundit



Kjo zonë është një udhëkryq i flukseve migratore europiano-afrikane, por ka parë një rënie drastike të kalimit të zogjve shtegtarë. Disa specie kanë braktisur lagunën, të tjerë si shkaba egjiptiane mund të numërohen me njërën dorë. Fajtore është ngrohja e klimës, por edhe vendbanimet njerëzore si dhe gaforrja blu.

Laguna Kune-Vain, natyra e egër dhe biodiversiteti i saj: me fjalë të tjera një kopsht i vogël i Edenit i mbërthyer në mënyrë magjike midis Adriatikut dhe një rripi toke në veriperëndim të Shqipërisë. Por zogjtë shtegtarë, pasagjerë të zakonshëm të qiellit në këtë zonë, kanë filluar ta braktisin atë. Është shumë vapë.

Në fakt, Shqipëria është e pozicionuar në një nga rrugët kryesore të migracionit midis Evropës dhe Afrikës. Pikë e kalimit të një udhëtimi të gjatë dhe të guximshëm, por thelbësor për mbijetesën e shumë specieve.

Me mbi 3 mijë hektarët e saj me pamje nga deti, laguna ofron strehë për 196 lloje shpendësh shtegtarë që vijnë çdo vit në kërkim të diellit dhe ushqimit. Mes tyre janë flamingot rozë të shkëlqyeshme, pulëbardha me kokë të zeza, pulëbardha të zakonshme, çafka, etj, të cilët me klithmat e tyre të ngjirura ngjajnë si një koncert që thyen heshtjen herët në mëngjes.

40% e zogjve mungojnë

E megjithatë, vit pas viti, popullsia e këtyre shpendëve po bie. Të paktën 40% e tyre janë të zhdukur që në janar, sipas regjistrimit të fundit. Prej disa vitesh p.sh., rosa e vendit është zhdukur nga kjo zonë. Viktimë e gjuetisë pa leje, helmimeve, përplasjeve me linjat e energjisë elektrike, humbja e habitatit dhe rreziqet e llojeve të ndryshme. Këta zogj shtegtarë ngordhin me mijëra çdo vit.

“Arsyet janë të shumta, por para së gjithash është ngrohja e klimës ajo që ka goditur fenomenin migrator dhe sezonalitetin e riprodhimit”, – shpjegoi për agjencinë France Presse, Toni, një nga menaxherët e zonave të mbrojtura të Lezhës.

Qyteti shqiptar është kryeqendra e zonës. E njëjta ngrohje – shpjegojnë peshkatarët – ka bërë që numri i peshqve në lagunë të rrallohet, duke u hequr ushqimin edhe zogjve. “Temperatura e ujit, rritja e nivelit të detit etj. Janë faktorët që kanë ulur sasinë e peshkut” – ankohet Nikollë Lucaj, i cili prej 35 vitesh peshkon këtu.

80% e ngjalave u zhdukën

Një rast emblematik është popullata dikur e bollshme e ngjalave, e cila është zvogëluar me 80%. Siç ndodhi me levrekun dhe barbunin, të gjitha të shfarosura edhe këtu nga gaforrja famëkeqe blu, banore e Atlantikut perëndimor dhe një kërcënim real për biodiversitetin. “Kjo lidhet edhe me zogjtë dhe janë shumë agresive, edhe me flamingot”, shton Lucaj duke qeshur, por me hidhërim.

Ndotja, degradimi (shkatërrimi) i habitatit nga dora e njeriut dhe aktivitetet e tij janë një kofaktor, shpjegon Mirjan Topi, autor i udhërrëfyesit të parë për shpendët e Shqipërisë. Një lejlek i ri, i pajisur me një GPS që i lejonte të ndiqte migrimin e tij në kohë reale, ngordhi vitin e kaluar në Greqi pasi u përplas me një shtyllë të energjisë elektrike.

Disa zogj, si lejlekët e bardhë, një specie e rrezikuar, kaluan më pak kohë në Afrikë këtë vit vetëm për t’u kthyer shumë më herët nga sa pritej në Shqipëri. Për të 7-in vit radhazi, dy lejlekë që kanë pasur një lidhje të gjatë dashurie janë rikthyer në folenë e tyre, të ndërtuar mbi një shtyllë elektrike buzë rrugës.

“Por një palë tjetër lejlekësh preferoi të kalonte dimrin në Shqipëri në vend që të rrezikonte një migrim të gjatë dhe të rrezikshëm në Afrikë”, – thotë Taulant Bino, president i Shoqatës Ornitologjike Shqiptare (ASO).

Pritja për shkabën egjiptiane që vjen nga Çadi

Këto ditë, ornitologët po presin me padurim kthimin e një shkabe egjiptiane, të pajisur me GPS, e cila pritet të mbërrijë nga Çadi. Zogu i shenjtë i faraonëve, në rrezik zhdukjeje në nivel global, “është i ekspozuar ndaj shumë rreziqeve në udhëtimin e tij 5000 km nëpër tre kontinente”, – shpjegon Ledi Selgjekaj, biologe në Organizatën për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri, (PPNEA).

Ajo shpjegon se si popullsia e shkabave egjiptiane, e cila është zvogëluar në Evropë me 50% që nga vitet 1970, në të vërtetë është rralluar me 80% në vetëm 30 vjet në vendin e vogël ballkanik. E thënë edhe më troç, vetëm 5 çifte kanë mbijetuar.

Për t’i ruajtur ato, shoqatat ornitologjike të Shqipërisë dhe Greqisë kanë ndërtuar zona të sigurta që synojnë eliminimin e kërcënimeve gjatë riprodhimit. “Asnjë vend nuk mund ta luftojë i vetëm betejën. Ndryshimet klimatike dhe rreziqet me të cilat përballen zogjtë shtegtarë gjatë udhëtimeve të tyre janë një problem global,” – paralajmëron Bino.

Këta zogj po kalojnë kufijtë dhe një përpjekje ndërkombëtare është e vetmja mënyrë për të siguruar mbijetesën e tyre, thonë ekspertët. ©Marrë nga La Repubblica, Përshtati në shqip LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *