• |
ide | kryesore

Prova që Rama punoi kundër Metës

Arkiva, Ide
IMG_20150512_224333_19-1.jpeg



Publikimi i letrës së studios avokatore Clifford Chance, që mbrojti qeverinë shqiptare në raport me DIA-n e Kastriot Ismailajt, më tepër sesa një pastrim i figurës së Metës, është një dëshmi më shumë se kush e prodhoi dhe se kush po përpiqet ta shfryjë skandalin e të ashtuquajturës afera DIA- CEZ. 
 
Le të jemi të qartë që në fillim: pas saj qëndron Edi Rama. 
 
Po të bëjmë një kronologji të shpejtë dhe t'i vëmë faktet në sfondin e tyre kohor, gjithçka bëhet më e kthjellët.
Afera e shumëpërfolur plasi kur Ilir Meta ishte në syrin e ciklonit. Nga zyra e propagandës së kryeministrit përhapeshin përditë gojëdhëna se parterët ndërkombëtarë i kishin kërkuar Ramës të shkëputej nga partneri i tij i pavirtytshëm. Thuhej se ndihmës sekretarja amerikane e shtetit ia kish thënë Ramës në zyrën e tij këto shqetësime, se izolimi ndërkombëtar për Metën po bëhej edhe më i madh (nuk e takoi as Merkel në Tiranë), se ambasadorët kryesorë qenë tejet të shqetësuar për atë që LSI kërkoi të bënte në zgjedhjet lokale në Vorë.
 
Po të shkojmë edhe më tej, absurdi arriti deri aty sa Ilir Meta fajësohej nga partneri i tij edhe për krimet e deputetëve të PS-së. Kështu kur gjykata e lartë shpalli të pafajshëm dy deputetët që rrahën para kamerave të parlamentit Strazimirin, Rama u tha ambasadorëve se për këtë vendim kishte ndikuar Ilir Meta. Sipas propaganduesve të kryeministrit, ai e kish bërë këtë pasi njërin prej deputetëve, Arben Ndokën, donte ta përdorte për zgjedhjet lokale në Lezhë. E njëjta fabul u përdor edhe pas skandalit me armë të deputetit tjetër Prenga për Lagunën e Patokut. Edhe këtu e gjithë propoganda pro kryeministrit u vu në punë për të theksuar se ajo i qe bërë atij peshqesh nga ministria e Bujqësisë që komandohet nga LSI-a.
 
Pra klima që donte të krijonte Rama qe e qartë: ai po qeveriste si rilindas, por imazhin po ia nxinte LSI dhe Ilir Meta. Kryeministri donte t'i tregonte publikut vendas dhe ndërkombëtarëve se ai qe i miri, që po e pengonte hajduti i keq. 
 
Pikërisht në këtë kontekst shpërtheu edhe afera DIA- CEZ.
 
Ajo kërkonte t'i shërbente të njëjtit qëllim: njollosjes (jo gjithmonë pa faj) të Ilir Metës. Madje edhe me një lloj mbështetjeje ndërkombëtare shpresohej të shkohej edhe më tej, në heqjen qafe politikisht përmes drejtësisë.
Kjo qe dhe pika më e ulët në marrëdhënien Rama- Meta.
 
Menjëherë pas saj kreu i LSI u fut në punë. Ai filloi shantazhet për korrupsion me ministrat e Ramës. Ai nxiti destabilizimin e qeverisë. Ai kërkoi ndryshimet e ministrave dhe nuk ngurroi të flirtonte me Berishën.
Frika e njeriut të kapur që nuk bën dot drejtësi, ankthi se mos i prishej qeveria, makthi se mos Meta kapërcente sërish ylberin në drejtim të PD-së e bënë Ramën të zbythet. 
Ai, pasi kishte heshtur për një kohë të gjatë, për të lënë idenë se qe i papërlyer, doli në parlament dhe ia hodhi fajin për aferën DIA- CEZ qeverisë Berisha. Nxorri të bëjë të njëjtën gjë edhe ministrin Gjiknuri, i cili qe më i shantazhuari prej Metës dhe i cili dyshohej se kish shpërndarë dokumentat e Clifford Chance.
 
E kështu u vazhdua deri tek mbrojtja e fundit e studios avokatore, e cila dje i shkruante Gjiknurit se nuk ka asnjë provë kundër Metës. 
 
Po mirë a i mbani mend akuzat e para të socialistëve?…
 
Ata pretendonin se këtë kompani e kish kontaktuar e para PD-ja prandaj dhe ajo i kish nxjerrë edhe dokumentat e skandalit DIA- CEZ.
 
Po tani që Gjiknurit i erdhi letra e "shfajsimit" të Metës, edhe këtë opozita e sajoi?
 
Kjo është e qartë. Ata që i kërkuan Clifford Chance pastrimin e Metës sot, janë të njëjtët që i përdorën materialet e kësaj studioje edhe për fillimin e fushatës kundër tij, katër muaj më parë. Ata e mbarsën dhe ata e shuan aferën DIA- CEZ.
 
Këtë nuk e provon vetëm dokumenti i fundit, por edhe kronologjia e gjithë kësaj kohe, kur Ilir Meta tentoi të pikturohej si e keqja e vetme. /Lapsi.al/