• |
ide | kryesore

Frika e Erion Velisë për të dëgjuar qytetarët

Arkiva, Blog
nevila xhindi.jpg



Nga Nevila Xhindi
 
Ditë, e tashmë muaj të tërë që shoqëria civile, qytetarë, studentë, pedagogë, intelektualë të qytetit, janë bashkë në lëvizjen kundër ndërtimeve masive e betonit në Parkun e Madh të Tiranës. Duket që përveç përbuzjes e ofendimeve, dhunës policore dhe arrestimeve askush nga qeveria vendore a qëndrore nuk ua vë veshin… dhe parku betonizohet çdo natë e më shumë.
A nuk do të ishte me vlerë kritike dhe konstruktive, që të dihej se ç’mendojnë qytetarët e Tiranës për parkingjet nëntokësore, për punimet tek Parku i Madh i Tiranës apo për betonizimin e hyrjes së tij? Nga kush frigohet kryebashkiaku? Nga ata që i dhanë votën apo nga axhenda e tij personale e pavotuar? A është normale kjo që po ndodh, ku gjithçka shihet për interesa personale duke mos i kthyer një herë sytë nga qytetarët që të besuan votën, duke refuzuar t'i dëgjosh? 
Kahjen e komunikimit nga kryebashkiaku tek qytetari e dëshmojmë çdo ditë sa hapim televizorin, facebookun, gazetën apo mediat online. Kahjen tjetër të kësaj rryme, atë që niset nga qytetari drejt Bashkisë Tiranë, ende nuk e shohim gjëkundi. Si do të mund të komunikojë vallë qytetari me drejtuesit e vet politikë, me kreun e institucionit, zyrtarët e lartë, të cilët merren me punë që na interesojnë të gjithëve? Nëse askush nuk e kupton kahjen e komunikimit të përditshëm si të qënësishme për demokracinë, atëherë shoqëritë demokratike i kompensojnë mangësitë e tyre të komunikimit nëpërmjet formave të tjera demokratike si peticione apo referendume, ku u mundësohet qytetarëve të transmetojnë masivisht vendimin e tyre për çështje me interes publik.
Ditë më parë m'u dha rasti të vizitoja Centralin Atomik të Austrisë. I pari, i vetmi, që nuk u vu kurrë në punë, në Zwentendorf, qytezë mbi Danub, rreth 35 km nga Viena. Historia e atij centrali, është në fakt histori demokracie. 
Në fund të viteve ’60 qeveria austriake vendosi të fillonte një program të energjisë nukleare. Në vitit 1972- 1976 u ndërtua Centrali Atomik në Zwentendorf. Ndërtimi i tij u krye nën një komunikim nën presion e të vazhdueshëm të qytetarëve dhe propagandës qeveritare. Komunikimi nga qeveria tek qytetarët ishte i përditshëm, i qëndrueshëm në favor të centralit, por grupet qytetare që kundërshtonin ndërtimin e centralit dhe sillnin në vëmëndje pasojat e tij ishin edhe më të vendosura. Ndaj media reagoi, grupet intelektuale reaguan, universitetet reaguan dhe, në Qershor 1978, kancelari socialist, Dr. Kreisky, i cili kishte insistuar që një referendum për këtë arsye do ishte i panevojshëm, u detyrua të shpallte referendum me 5 Nëntor të atij viti për të konsideruar, për të komunikuar dhe për të vendosur bashkë me qytetarët: Duhej apo jo që centrali atomik të fillonte punë? Rezultati ishte: 49, 5% me 50.5% kundër centralit. Kështu, më pak se 20 mijë vota bënë që Centrali Atomik në Austri të mos fillonte punë kurrë dhe miliarda shilinga investim sot janë thjesht një museum. Por demokracia, vota e lirë, shoqëria civile fitoi! Brezat sot u janë mirënjohës.
Demokracia kërkon pjesëmarrje të vijueshme të qytetarëve, të individit, të komuniteteve, të shoqërisë civile në qeverisjen e vendit. Jeta politike në një vend demokratik nuk mund të konceptohet pa komunikim të përditshëm, të qëndrueshëm në mesazhe, shkëmbim të dyanshëm informacioni, nga lideri te qytetari dhe nga qytetari te lideri, duke përdorur instrumenta të komunikimit të cilat përfaqësojnë mënyrën më civile, më të sigurt për të realizuar atë komunikim të dyanshëm dhe sigurisht përjashtojnë komunikimin policor, arrogancën dhe fyerjet. Jemi një vend në të cilin nuk dëgjohet zëri qytetar, një vend ku referendumet dhe peticionet anashkalohen, askush që s'ka interesa personale nuk do t'ia dijë për to.
Qytetarët, nga ana e tyre, e ndiejnë, madje edhe kur nuk janë aktivë në protestat, se komunikimi i Bashkisë së Tiranës me ta ka mbetur njëkahësh; e përjetojnë tashmë prej ditësh arrogancën dhe komunikim e ndërprerë, këtë gjymtim të demokracisë, i cili bëhet pastaj shkak për protesta masive e të përdithsme, deri në rezistencë qytetare dhe kulmon me përfshirjen e opozitës. Demokracia nuk mund të mjaftohet vetëm me zgjedhjet, as vetëm me përfaqësimin, funksionimin e një shteti demokratik e përbën jeta e qytetarëve të tij, ku secili kryen një rol të rëndësishëm për atë çka është. Shoqëria civile është jetë organizative në qytet, veprimtari publike, aktivizëm qytetar, është vetë qenia qytetar ndaj nuk ka forcë që ta bëjë zap shoqërinë civile, anipse kanalet normale të komunikimit të saj me institucionet u bë kohë që mungojnë, dhe këtu s’e kam fjalën vetëm te përplasja e protestuesve me policinë, madje as edhe vetëm tek arrestimet përditë, por edhe tek vetë sjellja nënvleftësuese e një politikani të ri në krye të qytetit, ish pjesë e shoqerisë civile, në rolin dhe misionin e tij tashmë si institucion.

 

Ne duhet të jemi të gjithë bashkë, çdo ditë, si austriakët në 1978-tën kundër centralit atomik, duke protestuar që Parku i Madh të vazhdojë të jetë i fëmijëve, ashtu i gjelbërt, pa pemë të prera në emër të tyre, të jemi aty e të përkrahim referendumet lokale për mos betonizimin e parkut e kundër parkimeve nëntokësore në qëndër të Tiranës. Koha, demokracia e brishtë shqiptare ka nevojë për secilin prej nesh. Në Austri vetëm 20 mijë vota bënë diferencën dhe miliardat e investimeve ulën kokën përpara fuqisë popullore. Është pikërisht momenti që të synojmë më të mirën, të jemi aktiv dhe energjik për të përmbushur misionin tonë ndaj vetes sot e fëmijëve nesër.
/lapsi.al/