• |
ide | kryesore

Çfarë e pret Kosovën pas fitores së Trump?

Arkiva, Ide
vet.jpg



Me një largim të Amerikës, suksesi më i madh i Bashkimit Evropian në politikë të jashtme brenda kontinentit janë vizitat banale të Edita Tahirit në Bruksel, për të negociuar për letrat ngjitëse në targa të veturave

1.

Pasiguria e shkaktuar me zgjedhjen e kandidatit Trump për president, një pasiguri e theksuar në Evropë, mund të ketë një efekt pozitiv për Kosovën – largimin nga iluzioni kolektiv. Më tepër se çdo popull tjetër në Evropë, shqiptarët e Kosovës besojnë në rendin e pakontestueshëm të Pax Americana (Paqes Amerikane) dhe të paevitueshmen ndërhyrje amerikane për të mbrojtur interesin e cilitdo komb a shtet në Evropë. Në fakt, Amerika ka kohë që nuk merret me Evropën, e zënë me dy luftëra të gjata dhe të kushtueshme në Afganistan dhe Irak dhe me vendosjen e masës kritike të politikës së saj të jashtme në drejtim të Lindjes së Largët. Me zgjedhjen e kandidatit Trump vetëm bëhet evidente një pyetje e brendshme në politikën e jashtme amerikane: nëse interesi strategjik po vendoset në Lindje të Evropës, pse të paguajë për sigurinë e Evropës?

2.

Paradoksalisht, kandidati Trump mund të ndihmojë të përshpejtohet bindja në shtetet anëtare të BE-së, dhe më me rëndësi në Kosovë, se ky vend është në Evropë. Këtë mund ta bëjë në veçanti nëse zhytet, sikurse paralajmëroi, në një marrëveshje të re gjeopolitike me Putinin; atëbotë shtetet evropiane me të drejtë do të ndiheshin të lëna si hanxhiu jashtë pazarit.

Por, njëri prej problemeve fondamentale është përcaktimi, jashtë gjeografisë, se çka është Evropa.

Njëri faktor i rëndësishëm për të gjithë, pra edhe për Kosovën, është Brexit-i. Qytetarët e Britanisë së Madhe votuan në referendum për dalje nga Bashkimi Evropian dhe implementimi i një vendimi të këtillë krijon një Bashkim Evropian tjetër. Se çfarë do të jetë Bashkimi Evropian tjetër është një rrëfim shumë më i gjatë, e që mund të ndihmohet më tej edhe me votën presidenciale në Francë dhe mundësinë eventuale që të zgjidhet zonja Marie LePen, përfaqësuese e një të djathte të skajshme që do ta izolojë Francën nga rrjedhat integruese evropiane dhe globale. Pjesë e këtij rrëfimi mund të jenë zhvillimet tjera, sikurse pavarësimi i Skotlandës, dhe aderimi i saj në Bashkimin Evropian, dhe mundësia që Katalonja ta bëjë të njëjtën gjë. Por, për Kosovën (dhe të tjerët) fillimisht mjafton shpjegimi se më 2017 mund të ballafaqohemi me dy të (pa)njohura: BE-ja nuk do të jetë e njëjtë me Brexit-in dhe BE-ja e Britania e Madhe nuk do të jenë të trajtuara njëjtë nga politika e jashtme e kandidatit Trump.

Faktori i dytë i rëndësishëm për Kosovën është se politika e jashtme dhe e sigurisë e Bashkimit Evropian ka pasur si një sukses të vetin (dhe të vetmin) në kontinentin evropian dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Pas gjashtë vjetësh ndërmjetësimi, Bashkimi Evropian ka arritur te kulmi i banalizimit të problemit të hapur të Kosovës dhe të Serbisë në udhëtimet rituale disaditore të Edita Tahirit, ministres për Dialog, në Qeverinë e Kosovës, për të trajtuar letrën ngjitëse, me të cilën mbulohen targat e automjeteve të Kosovës e të Serbisë.

Për më tepër, pas gjashtë vjetësh, dhe me nënshkrim të liderëve të Kosovës, Bashkimi Evropian ka ndërmjetësuar konceptin e Asociacionit të Komunave Serbe që jo vetëm është kundër Kushtetutës së Kosovës, por edhe kundër parimeve themelore të liberalizmit evropian mbi të cilin është ndërtuar BE-ja e vlerave, e parimeve të mosdiskriminimit.

3.

Problemi i Kosovës është të qenit në hapësirën boshe mes Pax Americana të lëkundur dhe një BE-je që zgjohet e alarmuar nga gjumi i rehatisë së deritanishme që ka sjellë Pax Americana në kontinent.

Kosova nuk e ka shfrytëzuar Pax Americana për të përfunduar ndërtimin e sovranitetit të vet. Ashtu siç ka qenë vetëm SHBA-ja me lidershipin e vet në gjendje që ta çlirojnë Kosovën dhe t’i prijnë pavarësimit të saj, vetëm kjo forcë ka qenë në gjendje që në vitet kritike të rrumbullakojë sovranitetin e vendit. Elitat udhëheqëse të Kosovës nuk kanë ditur të shërbehen me ndihmën amerikane.

Tash, Kosova, e pandërtuar në sovranitet e integritet, dëshiron të integrohet në Bashkimin Evropian.

E Bashkimi Evropian, që siç thamë, nuk do të jetë i njëjtë me Brexit-in, ka tri lajme jo shumë të mira për Kosovën.

Një, vendi nuk ka ende sovranitet të plotë, sipas shteteve anëtare të BE-së, dhe derisa të mbërrihet kjo gjendje duhet të kalojë nëpër dialogun me Serbinë. Atë që duhet ta bënte Pax Americana tash duhet ta bëjnë letrat ngjitëse në targa.

Dy, vendi, edhe po të mos e kishte këtë problem me sovranitetin, është shumë larg sjelljes së një shteti evropian. Në Raportin e Progresit të vitit 2016, shteti kosovar, në aspektet kyç të funksionimit të tij, ka fjalinë “ende në fazë të hershme”. Sistemi i tij gjyqësor është në fazë të hershme, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është në fazën e hershme sikurse është edhe një ekonomi funksionale e tregut. Kosova është në fazë të hershme të shtetësisë, dhe nuk është fjala për kalendarin e shpalljes së shtetit, por për kapacitetet e funksionimit të tij.

Dhe tre, edhe po ta kishte Kosova sovranitetin e plotë së bashku me kapacitete më të avancuara të funksionimit të shtetit, nuk do të mundë të paramendohej të ishte shtet anëtar i BE-së para vitit 2030. Një, ngase i tërë koncepti i integrimit është ngrirë derisa të përcaktohet ardhmëria e BE-së. Dy, ngase integrimi është proces që kërkon kohë: Kroacia, anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian, ishte shtet funksional në stad shumë më të avancuar, kur nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit më 2001. U bë vend anëtar i BE-së më 2013, dymbëdhjetë vjet më vonë.

4.

Në nëntor të vitit 2016 Kosova mund të kuptojë se dy spirancat e veta tradicionale politike gjenden në hapësirën mes së prekshmes dhe iluzionit.

Spiranca e sigurisë amerikane është sot e prekshme në kampin “Bondsteel” dhe përcaktimin e deritanishëm amerikan për rol të fortë të NATO-s, por mund jetë një iluzion nëse politika e jashtme e kandidatit Trump shndërrohet në politikën e jashtme të presidentit Trump.

Spiranca e ardhmërisë evropiane është e prekshme me procese simbolike si Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (që në thelb është marrëveshje për tregti të lirë), por është iluzion në të kuptuar se BE-ja po merret me ripërcaktimin e vetes, e në këtë ripërcaktim Kosova trajtohet me letra ngjitëse, me të cilat merret Kosova në negociata.

Ndoshta ia vlen pyetja atëherë, në këso kushtesh pasigurie e të mësuar gjithnjë që dikush nga jashtë t’i kryejë punët e Kosovës, çfarë do të jetë spiranca e politikës së brendshme, çka është ajo që do ta shpjerë vendin përpara?/koha.net