• |
ide | kryesore

Bisedimet për Qipron, mundësia e fundit për ribashkim

Arkiva, Planet
cyprus_map.jpg



Pas 40 vitesh, Qipro mund të bashkohet, por për këtë greko-qipriotët dhe turko-qipriotët duhet të hedhin pas krahëve një numër të madh çështjesh që i kanë ndarë historikisht.

OKB po ndërmjetëson takimin mes kreut greko-qipriot, Nicos Anastasiades, dhe atij turko-qipriot, Mustafa Akinci, që u takuan në Crans-Montana, në Zvicër.

“Negociatat për zgjidhjen e këtij konflikti të gjatë i kanë mundësitë të mbyllen me sukses, por dy palëve mund t’i nevojitet më shumë kohë për të arritur një marrëveshje.” – deklaroi Espen Barth Eide, i dërguari i OKB për këtë çështje. Ai shoqërohej në takim nga ministrat e Jashtëm të Turqisë dhe Greqisë.

Qipro është e ndarë që prej pushtimit turk të vitit 1974, pas një grushti shteti të nxitur nga grekët. Turqia mbështet ushtarakisht dhe financon një shtet të veçantë turko-qipriot në veri të ishullit, ndërsa pjesa tjetër i takon greko-qipriotëve.

Dy janë çështjet më të nxehta: kërkesa e turko-qipriotëve për një presidencë me rotacion, si dhe ajo e greko-qipriotëve që Turqia të tërheqë 30 mijë trupat e saj nga ishulli.

BE dhe OKB për vite me rradhë i kërkojnë Turqisë të tërhiqet nga pretendimet e saj për Qipron, por pa sukses, dhe këto takime në Zvicër shihen si mundësia e fundit që palët të arrijnë një marrëveshje. /LAPSI.AL/