• |
ide | kryesore

Kosta Rika, prova për të mos u humbur për Brazilin

Rusi 2018, Sport



Të detyruar të fitojnë. Brazili nuk është se ka shumë zgjedhje në Rusi 2018, sepse nisjen e Botërorit e bëri me një barazim që mund tia komplikojë rrugën drejt 1/8 në rast të një rezultati tjetër kundër kostarikanëve. Triumfues në 9 nga 10 përplasjet me Kosta Rikën, tre nga të cilat në Botëror, të vetmen humbje Selecao e ka toleruar në një miqësore që kostarikanët mezi e mbajnë mend: në mars të 1960. Nuk është një sfidë e barabartë në statistika, kualitet, apo histori, por Brazili për të përligjur statusin që zotëron, duhet të bëjë shumë më tepër se atë që tregoi në debutimin me Zvicrën.

Brazili më i mirë që nga 2002…

Tekniku, Tite, është liruar emocionalisht me konfirmimin se Neymar nuk ka pasur asgjë serioze në dëmtimin e dy ditëve më parë, kur u detyrua të braktisë stërvitjen. Numri 10 përvec 55 golave në 86 ndeshje me Kombëtaren, ka prekjen e tij në 52% të aksioneve gol të Selecaos. Nuk është se ka probleme për të arritur tek goli Brazili: 61% të kualifikueseve i ka mbyllur me më shumë se 3 gola dhe kjo vetëm sa konfirmon prepotencën ofensive të verdhejeshilëve. 4-3-3 me asnjë ndryshim, edhe pse Douglas Costa nxeh motorët në pritje të mundësisë. Tite ka në duar skuadrën më të mirë përfaqësuese të Brazilit, që nga 2002, por xhonglerët e Brazilit entuziazmuan vetëm një pjesë loje ndaj Zvicrës, ndaj dhe në Saint Petersburg 5 herë kampionët e botës zbresin me 1 pikë dhe të detyruar të fitojnë.

Kosta Rika dhe problemi i futbollit amerikano latin…

Vetëm një fitore ka marrë Kosta Rika kundër skuadrave të Amerikës së Jugut: atë kundër Uruguajit 4 vjet më parë. Ramirez nuk ka ndërmend të heqë dorë nga 5 mbrojtësit e tij, e në fakt nuk është se ka zgjedhje tjetër përballë skuadrës më ofensive të planetit. Tekniku i Kosta Rikës do ti besojë zgjedhje të tij të debutimit, edhe për faktin se ndeshja me Serbinë u vendos vetëm nga një goditje standarte. Marcos Ureña është favorit për të udhëhequr edhe njëherë sulmin kostarikan, por është në një provë edhe më të vështirë se ndaj Serbisë – tani i duhet të përballojë një mbrojtje të nivelit botëror. Kosta Rika do të mbrohet, e kjo është mëse normale, ashtu si 5 herë kampionët e botës kanë detyrimin të sulmojnë, sepse janë Brazili dhe asnjë tifoz brazilian nuk është mësuar të kualifikohet me frikë në zemër, apo me llogaritë për të shmangur kundërshtarë…



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *