• |
ide | kryesore

Argjentina, “macja e zezë” e Francës

Rusi 2018, Sport



Në Kazan Arena, në orën 16.00 do të jenë Franca e Argjentina që do nisin 1/8 e finaleve të Kupës së Botës Rusi 2018. Do të jetë sfida e 12 mes francezëve e amerikanojugorëve, me precedentët që i buzëqeshin Albicelestes me 6 fitore e 3 barazime kundër vetëm dy sukseseve të Les Bleus, që duhet thënë se në këtë sfidë ndoshta nisen disi më të avantazhuar, duke parë mënyrën si skuadrat dolën nga grupet. Franca, u rendit e para në Grupin C duke mundur ngushtë Australinë (2-1) e Perùnë (1-0) për të barazuar në sfidën e fundit pa gola me Danimarkën, ndërsa Argjentina vuajti shumë për tu pozicionuar e dyta e Grupit D, pas barazimit me Islandën (1-1), humbjes me Kroacinë (3-0) e fitores shpëtimtare kundër Nigerisë (2-1).

Deschamps trajneri më jetëgjatë në historinë e Gjelave…

Një ndeshje për të mos u humbur për teknikun e Francës, Dider Deschamps; jo vetëm sepse tashmë nuk lejohen gabimet, por sepse është edhe një ndeshje jubilare për teknikun. Deschamps do të festojë në Kazan Arena ndeshjen e 80 në pankinën e Les Bleus, duke u bërë kështu trajneri më jetëgjatë në historinë e Francës. Duke mbërritur tek formacioni, tekniku me shumë mundësi do ti besojë 4-3-3 me Lloris në portë, por mbi të gjitha një mesfushë e gjitha forcë e fantazi me Tolisso, Kanté e Pogba, që do të jenë në mbështetje të treshes sulmuese Mbappé, Griezmann e Dembelé.

Sampaoli dhe ndryshimet e panumërta në formacion…

Për sa i përket Argjentinës, parashikohen ndryshime të vogla nga daljet e fundit të amerikano jugorëve, me Sampaolin që duhet ti besojë në sulm një tredhëmbëshi të formuar nga Pavon, Messi e Di Maria. Duket se Higuain e Dybala do të nisin nga pankina, ndërsa për Agueron humbjet në hierarkinë e teknikut janë të mëdha. Në mesfushë duken të konfirmuar Enzo Perez, Mascherano e Banega. Vazhdon paqendrueshmëria e teknikut Sampaoli në zgjedhjet e formacionit titullar, duke ndryshuar 11-shen e tij në të 14 sfidat që ka drejtuar Argjentinën. Duhet patur parasysh se kush do të ketë sukses në këtë ndeshje do të përballët të premten e ardhshme në orën 16.00,në cerekfinale, me fituesen e mes Uruguajit e Portugalisë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *