• |
ide | kryesore

Liria pa barazi është diktaturë

Blog

Rendi i vjetër u përmbys me premtimin për një jetë më të mirë për të gjithë.

Liberté, égalité, fraternité – ishin tre parimet mbi të cilat u themelua sistemi i ri nën oshëtimat e revolucionit francez i cili varrosi feudalizmin për t’i hapur rrugë rendit të ri kapitalist.

“Liri, barazi, vëllazëri”, vazhdojnë të jenë ende tre qëllime të cilat nuk mund të shkëputen nga njëra-tjetra e nuk ka kuptim të synohen veç e veç.

Barazia pa liri është barazi në skllavëri, por liria pa barazi është liri për disa e robëri për të tjerët. Liria e barazia e njëkohëshme janë parakusht për të arritur vëllazërimin midis njerëzve e më në fund, një shoqëri me fytyrën solidare të humanizmit. Siç thotë Albin Kurti, i vetmi meritor i emrit socialdemokrat: liria në pabarazi është diktaturë.

Tranzicioni ynë ishte rezultat i sundimit të lirisë pa barazi. Kjo ishte diktatura e të pasurve mbi të varfrit, diktatura e pushtetarëve mbi të pafuqishmit, diktatura e muskujve mbi mendjen.

Kjo diktaturë e lirisë së disave mbi shumicën ua përligji disave ambicien që të dalin me çdo mënyrë mbi të tjerët në kuptimin e së tërës shoqërore, duke i zhvatur kësaj tërësie njërën pas tjetrës të gjitha hapësirat e të drejtat.

Brenda më pak se tre dekadave, kjo tip lirie pa barazi, na e privatizoi publiken, na e mjeroi ekonominë, na e shkretoi natyrën, na e shpopulloi atdheun, na e vulgarizoi kulturën, na e korruptoi drejtësinë, na e banalizoi politikën, na e çarmatosi mbrojtjen, na e brutalizoi policinë, na e denatyroi ushqimin, na e betonoi urbanistikën, na e sëmuri shëndetin dhe na e tregtarizoi arsimin.

Ajo që lëvizja e re shoqërore po kërkon ndonëse ende nuk është e vetëdijshme për ta artikuluar është barazia krahas lirisë. Parashtrimi i kësaj kërkese për barazi do të ishte politizimi i kërkuar i kësaj lëvizjeje të cilën disa po këmbëngulin ta mbajnë në terma kërkesash tarifore për shkak të keqkuptimit se politizimi do të sillte rotacion partiak.

Barazi e jo vetëm liri, është kërkesa politike e kësaj lëvizjeje e cila vetëm kësisoj kthehet në një lëvizje shoqërore që i jep një kuptim të përbashkët revoltës së kudondodhur.

Leximi i pakënaqësisë si kërkesë strukturore për barazi është leximi i vetëm që i jep përgjigje kësaj pakënaqësie e cila përndryshe do mund vetëm të mpihet momentalisht por do të shpërthejë përherë e më fuqishëm deri në zhdukjen e arsyes së ekzistencës së saj.

1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu