• |
ide | kryesore

Ndryshon buxheti, shtohen 300 milionë lekë për konviktet

Lajme, Të fundit



Qeveria ndryshon për herë të dytë buxhetin e këtij viti. Akti normativ është botuar në fletoren zyrtare dhe ndryshimet e buxhetit kanë hyrë në fuqi.

Buxheti i ndryshuar sjell ulje të të ardhurave dhe shpenzimeve, por edhe një fond shtesë për përmirësimin e kushteve në godinat e konvikteve të studentëve në Tiranë. Në ndryshimet e buxhetit Qeveria ka përfshirë edhe fondin e shpërblimeve të fundvitit për familjet me ndihmë ekonomike. Fondi shtesë për rikonstruksionin e konvikteve, me ndryshimet e buxhetit do të jetë në vlerën e 300 milionë lekëve.

Arsyet e përdorimit të fondit përcaktohen në pikën b, të nenit 2 të aktit normativ. “Shtesa e grantit prej 300 milionë lekësh në programin e arsimit të lartë përdoret për përmirësimin e kushteve në konviktet e studentëve të Bashkisë Tiranë”, thuhet në aktin normativ. Përmirësimi i kushteve në konvikte ishte një nga kërkesat që studentët kërkuan gjatë protestës së tyre. Po ashtu, referuar aktit normativ, Qeveria ka ulur të ardhurat krahasuar me aktin normativ të buxhetit të miratuar në muajin korrik.

Të ardhurat e përgjithshme ulen me 2,839,000,000 lekë, ku nga 464,703 milionë lekë që ishin në aktin e parë normativ, me ndryshimet arrijnë në vlerën e 461,864 milionë lekëve. Ulja e të ardhurave ishte paralajmëruar edhe më herët nga Qeveria, për shkak të rënies se kursit të këmbimit të monedhave të huaja, euros dhe dollarit kundrejt monedhës vendëse, e cila ka ulur të ardhurat nga TVSH-ja në import për të gjitha kategoritë e mallrave.

Arkëtimi i TVSH-së nga 148 miliardë që parashikohej në muajin korrik, tashmë me ndryshimet e reja parashikohet që arkëtimi të arrijë vlerën e 146 miliardë lekëve. Krahas uljes së të ardhurave, qeveria ka ulur edhe shpenzimet. Sipas aktit normativ, shpenzimet e përgjithshme të qeverisë ulën në të njëjtën vlerë me të ardhurat, pra 2,8 miliardë lekë. Mbetet i pandryshuar deficiti në vlerën e 32 miliardë lekëve.

Në aktin normativ është reflektuar edhe shpenzimet e paketës së solidaritetit për shpërblimet e fundvitit. Qeveria ka përfshirë në ndryshimet e muajit dhjetor fondin prej 300 milionë lekësh për shpërblimet e familjeve në nevojë.

Nga ky fond përfitojnë 3 mijë lekë shpërblim familjet me ndihmë ekonomike, personat me aftësi të kufizuar dhe dëshmorët. Ndërsa për shpërblimet e pensionistëve fondi me vlerë 3 miliardë lekë u akordua në aktin normativ të muajit korrik./panorama/



3 Comments

  1. Vetem ne Tirane? Cfare jeni ku tironxit, qytet-shtet? Po Shkodra, Elbasani, Vlora, Korca, Durresi, Gjirokastra….

  2. O Ram , nuk eshte veshtje 8 pikash kjo. Mos u sforco kot te genjesh njerezit, mendo per veten tende. Behu nje here te vetme ne jeten tende dinjitoz. Se te ben lecke fare. Sa do te pergjerohesh je i diskredituar tani. Koha jote mbaroi.

  3. Pata e arte 17 milon dollareshe e vitit te ri. Keto shpenzime te vitit 2018, duhet te realizohen deri me 31 dhjetor. Me pak se nje jave. As diferenca 13 milion dollar qe presupozohet te behet pune nga 30 miljon dollareshi, perseri do te kete fallsifikime faturash, deklarime tvsh je, apo te kontributeve.
    Per te gjitha keto mbyll syte qerrevia vetem per pak jetegjatsi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *