• |
ide | kryesore

Hashim Thaçi për “The Indipendent”: Vuçiç, njeri i vështirë për të negociuar

Planet



Marrëdhëniet dypalëshe dhe procesi i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë kanë mbetur pezull të kushtëzuar nga Beogradi zyrtar me shfuqizimin e taksës së vendosur nga autoritetet kosovare mbi mallrat dhe produktet serbe. Pavarësisht trysnisë dhe apelit të ndërkombëtarëve, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur vendosmërinë për të mos revokuar urdhëresën e zbatimit të kësaj takse, deri në njohjen e pavarësisë së Kosovës prej Serbisë. Vendosja e taksës është argumentuar nga Haradinaj edhe me mosrespektimin sipas tij nga ana e Serbisë dhe e Bosnje Hercegovinës të detyrimeve të përcaktuara nga marrëveshja e CEFTA-s, si edhe të ligjeve të tjera ndërkombëtare.

Ndërkaq, i pyetur nga e përditshmja prestigjoze britanike “The Indipendent” lidhur me mundësinë e një negocimi për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, presidenti Hashim Thaçi ka folur rreth takimeve të derimëtanishme me homologun e tij serb në Bruksel. “Vuçiç është një person shumë i vështirë për të negociuar, për të bërë dialog. Por unë nuk e kam zgjedhur atë si homologun tim, ai nuk më ka zgjedhur mua si homologun e tij, është realiteti i këtyre dy shteteve sovrane”, është shprehur Thaçi duke nënvizuar mungesën e reciprocitetit në tryezën e bisedimeve.

Presidenti Thaçi ka komentuar edhe zhvillimet e fundit në skenën politike të Serbisë, ku protestave me pjesëmarrje të gjerë të organizuara nga opozita, kreu i shtetit serb u është përgjigjur me mbajtjen e një anti-mitingu më datë 19 prill. “Në vitet ‘98 dhe ‘99, Vuçiç dhe unë ishim në opozitë. Ne fituam, ai humbi. Megjithatë, ai është një udhëheqës legjitim. Liderët në Kosovë dhe Serbi u votuan nga qytetarët. Ne kemi ndryshuar të gjitha në një mënyrë pozitive, ne duhet të evoluojmë. Tani nuk flasim për luftë dhe konflikt, por flasim për arritjen e paqes.”, theksoi Thaçi.

Përsa i përket Gjykatës Speciale për Kosovën në Hagë, e cila do të ketë kompetencën e hetimit dhe të gjykimit mbi akuzat për krime lufte në kuadër të veprimtarisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ( UÇK-së), presidenti Thaçi ka shprehur besimin e tij tek profesionalizmi dhe objektiviteti i këtij organi drejtësie.  “Unë personalisht jam shumë krenar që isha një nga drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjithmonë do të ketë zëra që përpiqen të denigrojnë Kosovën ose të akuzojnë Kosovën, të njollosin Kosovën dhe mua personalisht. Unë besoj në drejtësi. Ajo që nuk duhet të lejojmë të ndodhë është që historia të rishkruhet”, ka përfunduar Thaçi.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *