• |
ide | kryesore

Hetimet/ Dosjet e gjetura në makinën e Ndojës nuk janë ato të vjedhurat në prokurori

Lajme, Të fundit



Dosjet e gjetura në makinën në të cilën u qëllua me armë prokurori Arjan Ndoja nuk kanë lidhje me materialet që ishin vjedhur më parë në Prokurorinë e Durrësit. Hetimet për identifikimin e autorëve kanë ngecur dhe aktualisht mbetet vetëm një person i arrestuar.

RTV Ora iu referua burimeve të saja pranë prokurorisë duke theksuar se dokumentet e gjetura në makinën e Ndojës nuk kishin lidhje me ato të grabitura një vit më parë në Prokurorinë e Durrësit. Prokuroria nuk ka ende rezultatet e analizave të ADN-së. Pamjet e kamerave të sigurisë të marra përgjatë autostradës Tiranë-Durrës nuk kanë cilësi dhe nuk kanë shërbyer të dhëna domethënëse për hetimet.

Prokurori Arjan Ndoja u qëllua me armë pasditen e 1 nëntorit ndërsa udhëtonte me makinë në autostradën Tiranë-Durrës pranë mbikalimit të Shkozetit. Raportime në media e lidhën sulmin me armë me “përplasje të mundshme bandash për pronat në Gjirin e Lalzit”.

Gjetja e disa dosjeve në makinë ngriti dyshimet në media se ato ishin materialet që ishin grabitur në maj të vitit 2018 në Prokurorinë e Durrësit. Lajm ky që u përgënjeshtrua fillimisht nga vetë Ndoja e tashmë edhe nga burime pranë Prokurorisë, raporton exit.al.

Përpara sulmit me armë prokurori Ndoja ishte akuzuar nga mazhoranca se kishte lidhje me krimin e organizuar. Ai u sulmua politikisht nga Kryeministri Rama dhe Zv/Kryeministri Braçe pasi Ndoja çoi për ndjekje penale ish-drejtorin e hipotekës së Durrësit Liridon Pula. Pula u akuzua për shpërdorim detyre.

Bashkë me prokurorin, në makinë, u qëlluan edhe Aleksandër Laho dhe Andi Maloku, ky i fundit vdiq në spital pak ditë më vonë. Ndryshe nga Maloku, Ndoja dhe Laho, i cili njihet me pseudonimin “Rrumi”, mundën t’i mbijetonin plagëve dhe lane spitalin vetëm këtë javë.
Policia ka arrestuar vetëm një person të dyshuar për këtë atentat. Ai është Redjan Rraja, i afërm i deputetit të PS-së Rrahman Rraja. Arrestimi u bë në pikën kufitare të Hanit të Hotit në Shkodër.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *