• |
ide | kryesore

Shqipëria në testin e dytë të Nations League: ja çfarë duhet të tregojmë kundër Lituanisë

-Instant, F1, Sport



Një fitore e rëndësishme e një ndeshje e dytë po aq e rëndësishme. Ajo kundër Bjellorusisë ishte një fitore që legjitimon objektivin vendi i parë në grupin C4 e që fshiu frikën më të madhe që tekniku i kombëtares Edy Reja kishte përpara sfidës në Minsk, se fiziciteti në favor të Bjellorusisë, lojtarët e të cilëve ishin në mes të sezonit, mund të bënte diferencën. Kjo e të hënës me lituanezët vlen për të treguar vazhdimësinë dhe për të mos u futur në dilema të tilla si: a jemi mjaftueshëm të mirë për vendin e parë!

Shqipëria e transfertën bjelloruse ishte ekzaktësisht ajo që tekniku italian shpresonte të ishte: inteligjente për të fshehur limitet e saj, e bindur në armët që disponon e orientuar taktikisht për të fshehur mungesat dhe cinike përpara me veprimet individuale të Cikalleshit e Manajt. Kuqezinjtë arritën të bënin gjithcka që i ishte kërkuar, duke bërë të dukej se 9 muajt e distancës nga ndeshja e fundit të mos ekzistonin, duke e vazhduar projektin-Reja e modulin e tij të pandashëm, pikërisht aty ku e kishin lënë. Strakosha ishte pothuaj spectator, ndërsa që Dermaku e Gjimshiti ishin garanci kjo dihej. Dëshira ishte për të parë si do ndërvepronte Kumbulla, por dëmtimi i veronezit e shtyu takimin, ndërsa Veseli shfaqi luhatjet e përhershme, edhe pse nuk pati shumë ngacmime nga kundërshtarët.

Stabiliteti në mesfushë është i admirueshëm, me Baren njeriun në fokus, që goli e nderoi, por që duhet të fillojë të marrë më shumë përsipër për tu bërë lideri i një reparti që krahas ordinancës taktike ka nevojë edhe për fantazi. Pikërisht këtë fieraku duhet të tregojë në Air Albania kundër Lituanisë, sepse është e qartë se dy golat në Minsk nuk mund të fshijnë nga vëmendja faktin që kjo skuadër nuk është se krijon shumë e ndoshta ngërcet e ingranazheve të pagrasatuara akoma nuk e lejuan, por kundër një skuadre si bjellorusët mund të bëhej më shumë. Individualiteti i Cikalleshit dhe kualiteti i dyshes sulmuese jo gjithnjë mund të premiojë rezultatin, ndaj dicka në krahë, ku Hysaj vetëm një herë arriti fundoren, por Roshi calon tek mbrojtja duhet të ndryshojë: e kjo i takon Rejas ta zgjidhë… duke filluar nga Lituania.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *