• |
ide | kryesore

Shuhen shpresat për daljen e vaksinës anti-covid që në dhjetor

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit

Agjencia e Barnave e Bashkimit Evropian tha sot se mund të duhen 4 javë për të verifikuar të dhënat e sigurisë dhe efikasitetit në lidhje me vaksinën e koronavirusit të Pfizer përpara se t’a miratojë atë zyrtarisht.


Agjencia Evropiane e Barnave tha se ka në plan që vendimin ta marrë në një takim në 29 dhjetor, me gjasë një javë pasi rregullatorët e SHBA dhe Britanisë së Madhe të japin miratimin e tyre. Agjencia e BE-së tha do të verifikonte në 12 janar edhe një tjetër vaksinë tjetër eksperimentale, të zhvilluar nga prodhuesi i ilaçeve amerikane Moderna.


Njoftimi vjen pasi udhëheqësit evropianë paralajmëruan se vaksina ka të ngjarë të mos shpërndahet para javës së parë të janarit.

“Me informacionin që morëm së fundmi duhet të supozojmë se miratimi do të ndodhë vetëm në fund të vitit,” – tha Ministri gjerman i Shëndetësisë Jens Spahn.

Edhe Presidenti francez Emmanuel Macron theksoi në një konferencë shtypi se “nuk do të ketë një politikë vaksinimi për publikun e gjerë” gjatë muajve të parë të 2021.

Vaksina e Pfizer, e zhvilluar nga BioNTech duket se është 95% efektive kundër koronavirusit, sipas të dhënave paraprake nga një verifikim i fundit. Të dyja kompanitë u kërkuan rregullatorëve në SHBA dhe Britaninë e Madhe që t’u jepnin atyre aprovim emergjent për shpërndarjen e dozave.

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave do të zhvillojë një takim publik në 10 dhjetor për të shqyrtuar kërkesën e Pfizer ndërsa spitaleve në Angli u është thënë që mund të marrin dozat e para që në javën e ardhshme raportuan The Guardian dhe Financial Times.

Një vaksinë e tretë COVID-19, e zhvilluar nga Universiteti i Oksfordit dhe AstraZeneca, mund të jetë gjithashtu në dispozicion në fillim të vitit të ardhshëm. Dozat e saj thuhet se janë më të lira dhe më të lehta për t’u transportuar sesa ato të Pfizer dhe Moderna.

Të tre dozat janë testuar në dhjetëra mijëra vullnetarë muajt e fundit ndërsa prodhuesit e ilaçeve në të gjithë botën garuan për të gjetur një vaksinë që mund t’i jepte fund pandemisë së pamëshirshme.

Në të gjithë botën, më shumë se 63 milion kanë rezultuar pozitivë dhe gati 1.5 milion kanë vdekur nga COVID-19 që kur virusi u zbulua për herë të parë në Kinë në fund të vitit të kaluar. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të udhëheqin botën në numrin e rasteve të konfirmuara, më shumë se 13.6 milionë dhe me 270 mijë vdekje sipas Universitetit Johns Hopkins. ©LAPSI.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu