• |
ide | kryesore

Mesazhi i Ceferin për Euro 2020: “Do të përjetojmë momente të mrekullueshme, fitoftë më i miri”

-Instant, Sport



“Këto faza finale do të lënë pas një sërë momentesh të mrekullueshme që dashamirësit e futbollit do t’i kujtojnë gjithmonë. Euro 2020 do të jetë kremtimi ideal për 60 vjetorin e ngjarjes më të rëndësishme në futbollin evropian. Gëzojuni Kampionatit Evropian dhe fitoftë më i miri!” . Ky është në thelb mesazhi me të cilin presidenti i Uefa, Aleksander Ceferin, përshëndet fillimin e Euro 2020 dhe 24 ekipet kombëtare në start të turneut.

“Mirësevini në Euro 2020 – shkruhet në letër – Për gjashtë dekada, Kampionati Evropian i Futbollit ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në skenën e futbollit. Shumë nga lojtarët më të mëdhenj të kontinentit kanë qenë protagonistë të këtij turneu dhe kanë luajtur një rol të paharrueshëm në pasurimin e analeve të historisë së futbollit evropian dhe tifozët nga e gjithë bota mbajnë në zemrat e tyre një numër të madh kujtimesh, ndeshje të jashtëzakonshme, gola fantastikë dhe përfaqësime të shkëlqyer individuale”.

“Këtë verë – vazhdon numri një i Uefa – tifozët e futbollit nga e gjithë bota do të përjetojnë edhe një herë të gjitha emocionet e një turneu që është bërë një nga ngjarjet kryesore sportive në botë, karakterizuar nga një bukuri unike dhe e pafund e nga një magji që rritet turne pas turneu”. “Futbolli i kombëtareve – vazhdoi Ceferin – zë një vend të veçantë brenda peizazhit evropian. Ai është një burim jetësor i identitetit kombëtar dhe vepron si një faktor unifikues, sepse mbledh së bashku tifozë nga i gjithë vendi në mbështetje të ekipit të tyre kombëtar. Lojtarë të panumërt flasin për krenarinë që ndiejnë kur veshin fanellën e ekipit të tyre kombëtar dhe për emocionin që vjen nga dhënia e gëzimit të jashtëzakonshëm për bashkatdhetarët e tyre kur ekipi arrin një sukses”.

“Edicioni i parë i Kampionatit Evropian, i mbajtur në Francë në 1960 – kujton ai – kishte katër ekipe pjesëmarrëse dhe e ktheu në realitet ëndrrën e sekretarit të parë të përgjithshëm të UEFA-s, Henri Delaunay. Ai ishte arkitekti në lindjen e turneut në 1950 dhe trashëgimia e tij do të jetë e përjetshme pasi trofeu i lakmuar Evropian mban emrin e tij. Me kalimin e viteve, Evropiani është rritur në rëndësinë e tij për t’u bërë një ngjarje e madhe në skenën e futbollit dhe fazat e ardhshme finale do të kulmojnë në lavdi të patundshme për fituesit dhe me lumturinë e tifozëve të tyre në fund të finales së planifikuar në Wembley Stadium në Londër më 11 korrik 2021”. “Euro 2020 – shpjegon Ceferin – do të zhvillohet një vit më vonë sesa pritej për shkak të pandemisë. Shëndeti dhe siguria e të gjithë pjesëmarrësve ka qenë gjithmonë përparësia jonë kryesore në vendimet që janë marrë dhe UEFA ka patur edhe fatin që të jetë në gjendje të mbështetet në bashkëpunimin e jashtëzakonshëm të palëve të interesuara evropiane të futbollit – federatat kombëtare, klubet, ligat dhe sindikatat e lojtarëve – gjatë rrugës”. “Fryma e unitetit dhe solidaritetit që ka mbizotëruar – shton ai – tregon se çfarë mund të arrihet kur futbolli vepron si një i tërë për të mirën e përbashkët”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *