• |
ide | kryesore

Pastrimi i parave/ Ekonomia Shqiptare e dominuar nga ndërtimi (shifrat sa dyfishi i BE)

-Instant, Kryesore



Në një vend që shpopullohet dita ditës ende vazhdon absurdi i shtimit të rritmeve të ndërtimit. Shqipëria vazhdon të ketën një rritje të madhe të vlerës së shtuar në ekonomi prej aktiviteteve ndërtuese. Madje kjo vlerë është shumë më e lartë se në vendet e rajonit dhe gati i dyfishit që ajo zë në ekonomitë e vendeve të BE-së. Sipas revistës ekonomike Monitor, “sektori i ndërtimit ka një peshë të lartë në ekonominë shqiptare në krahasim me mesataren e rajonit dhe BE. Ndërtimi zuri 9,9 % të Vlerës së Shtuar së ekonomisë së Shqipërisë më 2019. Në BE ky sektor zuri vetëm 5.5%, ndërsa në Rajon niveli më i lartë i raportua në Kosovë 10.6% (shih tabelën poshtë).

Po si shpjegohet ky fluks i paarsyeshëm?

Deri më tani hipotezat e asaj që ndodh na kanë ardhur nga raportet ndërkombëtare që e lidhin këtë boom me pastrimin e parave të pista dhe ato të ardhura nga aktivitete kriminale.

Sipas një raporti të gushtit 2020, “Flukset financiare të paligjshme në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut”, nga  “Nisma Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkufitar” (Global Initiative against Transnational Organized Crime) dhe i financuar nga projekti gjerman GIZ dhe ministria e Jashtme Norvegjeze, rezultatet janë shumë negative. Aty theksohet se “Rreth 60% e firmave të ndërtimit që kanë marrë leje në periudhën 2017- 2019 në kryeqytet, nuk justifikojnë burimet e tyre financiare, ndërsa vlerësohet se për këtë periudhë 3 vjeçare janë pastruar në ndërtim rreth 1.6 miliardë euro”.

Skandali me ndërtimet/ Në Tiranë u pastruan 1.6 miliardë euro në 3 vjet

Por ky nuk është raporti i vetëm që shpjegon këtë paradoks.

Task Forca Financiare (FATF) e MONEYVAL, që është një mekanizëm i përhershëm i Këshillit të Europës theksonte në shkurt 2020 se ne jemi i vetmi vend europian që hyjmë në  “zonën gri” për pastrimin e parave duke u renditur përkrah shteteve të botës së tretë.

Shqipëria futet sërish në “listën gri” të pastrimit të parave

Edhe agjencia Reuters në momentin kur nuk u hapën negociatat nga BE në korrik 2019 shkruante se një nga shkaqet që u ndëshkua Shqipëria, qe se ajo  perceptohej si një nga vendet më të korruptuara të Evropës që nuk ka arritur të luftojë pastrimin e parave, prandaj përballet me rezistencë më të fortë nga shtetet e Evropës veriore.

Në fakt qeveria shqiptare e ka mohuar gjithmonë lidhjen direkte mes boomit të ndërtimeve dhe pastrimit të parave të pista. I pyetur për këtë para zgjedhjeve në një konferencë për shtyp, kryeministri Rama u përgjigj: “A ka pastrim parash? Ku nuk ka? Dini ndonjë vend që nuk ka? Të gjitha vendet luftojnë me paratë e pista. Dhe në Shqipëri rregullat e vendosura janë jashtëzakonisht të shtrënguara në raport me shumë vende të tjera. Dhe ky është një problem që unë e kam dhe e diskutoj vazhdimisht me institucionet përkatëse”.

Por, deklaratat e qeverisë duhen marrë me rezervë. Dhe shifrat e Monitor që e nxjerrin ekonoominë e një vendi në shpopullim të pompuar nga aktivitetet e ndërtimit e dëshmojnë këtë.

©Lapsi.al



2 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *