• |
ide | kryesore

PD do hyjë në Kuvend, por Basha nuk e njeh 25 prillin: Autorët e saj duhet dhe do të mbajnë përgjegjësi për cfarë i kanë bërë vendit tonë dhe demokracisë

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se historia e zgjedhjeve të 25 prillit nuk është mbyllur, ndërsa pohoi se PD-ja nuk e njeh këtë proces. Nga Kuvendi Kombëtar i PD-së, Basha tha se nuk janë në betejë me Partinë Socialiste, por në ‘luftë’ modelin që ka ndërtuar Edi Rama brenda kësaj force politike.

“Ne e dimë që Edi Rama është armiku i demokracisë, të gjithë e dinë që Edi Rama ka manipuluar zgjedhjet, por gjithashtu e dimë që Edi Rama nuk blen dot të djeshmen e tij. Pesha e korrupsionit, e krimit me të cilin bashkëpunon dhe e dështimeve 8 vjeçare i qëndron mbi krye si shpata e Demokleut, që sa vjen dhe bëhet më e rëndë. Prandaj për ne 25 prilli nuk është një histori e mbyllur, masakra zgjedhore nuk është thjesht hileja e tij e radhës kundër shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, por është një krim që kërkon ndëshkim. Ne nuk e njohim atë, dhe autorët e saj duhet dhe do të mbajnë përgjegjësi për cfarë i kanë bërë vendit tonë dhe demokracisë!

Ne nuk do të rreshtim përpjekjet tona brenda dhe jashtë vendit, derisa ndryshimi të vijë për shumicën e shqiptarëve që e donin këtë ndryshim në 25 prill, dhe e duan edhe më shumë sot, kur oferta e vetme që Rama ka, është më shumë krim, më shumë korrupsion dhe më shumë dështime. Ne angazhohemi fort për ta kthyer shtetin shqiptar në shtet të shqiptarëve. Për ta kthyer në shtet europian. Shtet i cili mbron lirinë individuale. Garanton paprekshmërinë e jetës. Mbron pronën private dhe publike. Mbron paratë dhe ekonominë e njerëzve. Mbron dinjitetin dhe personalitetin e njeriut. Ndaj ne do të ndërmarrim, të gjithë bashkë, të gjitha vendimet e nevojshme për ta çuar deri në fund luftën tonë kundër këtij regjimi, përmes përsosjes së mëtejshme të qeverisjes së shtëpisë tonë të përbashkët. Një shtëpi ku secili gjen vendin e vet.

Pak javë më parë ne dhamë një leksion demokracie. Zgjedhjet tona të brendshme treguan se jemi një parti e hapur, parti e garës dhe parti e lirisë. Kjo garë na bëri më të fortë, dhe e bëri edhe më të dukshme diferencën mes nesh dhe kundërshtarit tonë politik. Unë jam krenar që ne jemi sot partia që nuk përsërit në mënyrë abstrakte fjalë si demokraci e brendshme, hapje, meritokraci. Për ne këto nuk janë fjalë por vlera, mbi të cilat ne ngrejmë jetën dhe aktivitetin tonë politik. Natyrisht, ne nuk jemi të përsosur, dhe unë nuk kam qenë kurrë personi që mëton pagabueshmërinë e liderit. Megjithatë në asnjë moment nuk duhet të ngatërrojmë diferencën mes debateve për përmirësimet që ne bëjmë për të qenë edhe më pranë njerëzve, edhe më të hapur me njëri-tjetrin, edhe më të fortë si parti dhe pseudo-debatit që nxitet, për të fshehur krimet dhe padrejtësitë që janë bërë mbi zgjedhjet në Shqipëri dhe për të spostuar artificialisht vëmendjen nga partia e lidhur me krimin që varfëron shqiptarët, te Partia Demokratike, që ka zgjedhur që luftën me regjimin të mos e zhvillojë me të njëjtat mjete.

Sepse të gjithë e dimë që krimi pjell krim. Sepse përsëritja e të njëjtit model, me emra të ndryshëm, nuk është zgjidhje, por riciklim i të keqes. Ne e dimë që shpeshherë, zhurma e armiqve të demokracisë kumbon më fort se e vërteta, e dimë gjithashtu se antiopozitarizmi i mirëpaguar në media dhe politikë ka përftuar forcën për ta mbivendosur mashtrimin mbi faktet. Ne e kemi parë se si prej vitesh shpenzohen miliona euro për të goditur Partinë Demokratike, sigurisht edhe mua. Ndaj është detyra jonë, të mos lejojmë që përmbysja e të vërtetës dhe përmbysja e vlerave që krijon artificalisht regjimi dhe kasnecët e tij, të na pengojë, devijojë apo ngadalësojë në misionin tonë. Natyrisht ne i mirëpresim kritikat, pranojmë vërejtjet, sugjerimet dhe thirrjet për të bërë më shumë, për të bërë më mirë.
Por kurrësesi nuk mund të pranojmë që padrejtësitë e kryera, jo mbi Partinë Demokratike, por mbi gjithë shqiptarët, të relativizohen dhe vjedhja e zgjedhjeve, përdorimi i krimit dhe i cdo mjeti të paligjshëm të normalizohen.

Ne mirëpresim në këtë fushëbetejë, pa asnjë përjashtim, këdo që ka dëshirën të japë kontribut dhe ka vizione alternative, por përmbysja e vlerave është një lojë e rrezikshme, një rreth vicioz që mund ta bëjë të keqen permanente. Precedentët historikë nuk mungojnë, as në të shkuarën dhe as sot. Përreth nesh po rikthehen fantazmat e të kaluarës, regjime autokratike që nuk vijnë më në pushtet dhunshëm, por janë po aq efektivë në ekzekutimin e demokracisë, në goditjen e lirive dhe të drejtave të qytetarëve. Një perde e re e hekurt po bie. Detyra jonë është ta shkërrmoqim këtë model përpara se të jetë tepër vonë. Pra le të mos pengohemi nga romuzet nihiliste, dhe as kompleksohemi nga hipokrizia e atyre që nuk kanë ngritur një gisht për të penguar masakrën zgjedhore dhe relativizojnë të keqen. Beteja jonë nuk është me ta.

Madje beteja jonë nuk është as me Partinë Socialiste. Ne jemi në luftë me modelin që Edi Rama ka ndërtuar brenda asaj force politike. Jemi në luftë me modelin që përdor krimin për të zhbërë zgjedhjet, jemi në luftë me modelin që fut ushtarët e krimit në parlament, jemi në luftë me cdo antivlerë që po mban peng të ardhmen e Shqipërisë. Nuk gëzoj asnjë simpati për eksponentët e Partisë Socialiste që nuk do të jenë në parlament, për shkak se vendet e tyre u zunë nga tre tomdoshët dhe dy aqifrakipët apo nga bedelë të tjerë të krimit, por jam i bindur se ata, si shumë të tjerë, e kanë kuptuar impaktin shkatërrimtar që ka për një forcë politike, për shoqërinë dhe për vendin bashkëjetesa me krimin.
E pra ne nuk kemi për t’u bërë kurrë si ata.

Ne jemi dhe do të mbetemi partia që lindi nga ëndrrat më të bukura për liri të Studentëve të Dhjetorit, jemi dhe do të mbetemi partia që solli pluralizmin, jemi dhe do të mbetemi partia me të cilën frymoi demokracia, jemi dhe do të mbetemi partia e shqiptarëve që e duan Shqipërinë si gjithë Europa.
Me vlerat që na dallojnë, të lirisë, konkurencës dhe hapjes, ne do të përsosim edhe më shumë Partinë Demokratike, jo vetëm për t’u përballur me regjimin, por për të qenë në lartësinë e premtimit të papërmbushur të dhjetorit 1990. Atë të Shqipërisë europiane. Jemi ne që do ta bëjmë realitet këtë amanet, jemi ne partia që do të realizojë këtë aspiratë dhe do ta bëjmë duke i hapur rrugën brenda rradhëve tona atyre që i kanë prirë betejës së 25 prillit, të rinjve dhe të rejave.

Ne jemi dhe do të mbetemi partia që lindi nga ëndrrat më të bukura për liri të Studentëve të Dhjetorit, jemi dhe do të mbetemi partia që solli pluralizmin, jemi dhe do të mbetemi partia me të cilën frymoi demokracia, jemi dhe do të mbetemi partia e shqiptarëve që e duan Shqipërinë si gjithë Europa.
Me vlerat që na dallojnë, të lirisë, konkurencës dhe hapjes, ne do të përsosim edhe më shumë Partinë Demokratike, jo vetëm për t’u përballur me regjimin, por për të qenë në lartësinë e premtimit të papërmbushur të dhjetorit 1990. Atë të Shqipërisë europiane. Jemi ne që do ta bëjmë realitet këtë amanet, jemi ne partia që do të realizojë këtë aspiratë dhe do ta bëjmë duke i hapur rrugën brenda rradhëve tona atyre që i kanë prirë betejës së 25 prillit, të rinjve dhe të rejave.

Unë do të jem përherë mirënjohës për angazhimin tuaj, është krenaria ime të shoh, se kemi midis nesh një brez të ri që është gati të bëhet ndryshimi që duan të sjellin në Shqipëri. Ndaj jush, kemi një borxh të madh dhe ne duhet të jemi gati që këtij brezi të ri demokratesh dhe demokratësh t’u hapim dyert dhe zemrat, sepse në fytyrat e tyre guximtare është shkruar e ardhmja e familjes tonë politike dhe e ardhmja europiane e Shqipërisë. Ne kemi nevojë për energjinë tuaj, ne kemi nevojë për krijimtarinë dhe vizionin tuaj, është koha që ju të merrni përgjegjësitë që ju takojnë!”, tha Basha.



3 Comments

  1. Do hyjme ne parlament por zgjedhjet nuk i njohim.
    Je nxire me boje te bardhe.
    Dil brenda e hyr jashte.
    Cou ne bythe e ulu ne kembe.
    Ky po qe eshte lider.

  2. PD do hyjë në Kuvend, por Basha nuk e njeh 25 prillin .

    Titulli flet sa per nje mije romane e nje mije filma te marra se bashku .
    Basha kujton se sa here e sheh te njejtin film aq here ndryshon permbajtja .
    Nuk eshte as per te qeshur e as per te qare , eshte tja marresh me oi e tja mbathesh me te katra .
    Ne kete vend marrezia dhe absurditeti kane arritur kulmin .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *