• |
ide | kryesore

Kosova ashpërson masat, mbyllen shkollat për 2 javë

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin që për dy javë të mbyllen të gjitha çerdhet në vend. Ndërkohë që është shtyrë deri në 26 shtator nisja e procesit mësimor.

“Aktiviteti mësimor në institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar, duke përfshirë edhe institucionet e arsimit parashkollor dhe të qëndrimit ditor pezullohet deri më datë 26 shtator 2021. Ky pezullim vlen edhe për aktivitetin mësimor me prezencë fizike në institucionet publike dhe private të arsimit universitar“, thuhet në masat e reja që u diskutuan në mbledhjen e sotme të Qeverisë.

Kufizimi i qarkullimit të qytetarëve vazhdon të jetë nga ora 22:00 deri në ora 05:00. Shërbimet e gastronomisë lejohen të zhvillojnë aktivitetin e tyre në përputhje me udhëzuesin përkatës.

Më tej në vendim thuhet se të gjithë ata persona që hyjnë në territorin e Kosovës duhet të posedojnë një nga dëshmitë e mëposhtme: Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një dozë të vaksinës kundër COVID-19; Testi RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 72 orë; Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë ose rezultat pozitiv i testit të antitrupave serologjik –IgG, i lëshuar më së shumti para 30 ditëve, ose Test i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë.

Ndërkaq, vazhdon të ndalohet veprimtaria e klubeve të natës, organizimi i festivaleve, koncerteve, ekskursioneve, pelegrinazheve, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe shoqërore.

Po ashtu, në funerale lejohen të marrin pjesë vetëm anëtarët e ngushtë të familjes dhe nuk lejohet mbajtja e të pameve.

Mbajtja e maskës do të vazhdojë të jetë në fuqi, ndërkaq institucionet publike do të punojnë vetëm me staf esencial nga zyrat, ndërkaq gratë shtatzëna janë të liruara nga puna.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *