• |
ide | kryesore

Mbyllet një vit me derbin e kryeqytetit në Superiore: java e fundit mund të ndryshojë shumë gjëra

-Instant, F1, Sport



Akoma në pandemi e me shumë problem për të zgjidhur, infrastrukturalisht e teknikisht, duke folur, ai i sezonit 2021-22, u ndërtua i pakuptueshëm që në themel, për të rezultuar pas 14 javësh një kampionat enigmatik, me ndonjë siguri e shumë më tepër paqartësi. E tani mbërrijmë në javën e fundit të vitit, të 15, ku qershia mbi tortë është derbi, por ku shumë gjëra mund të ndryshojnë, me gjithë ndarjet e brezave të renditjes, ku trendi i deritanishëm të jep një ide, që gjithësesi nuk është i pandryshueshëm.

Katër skuadra për titull, katër për mbijetesë e dy në ujëra të qeta, por për të ruajtur fizionominë nuk duhet gabuar në mesjavën para Krishtlindjes, Laci i pari. Kurbinasit e nisën në mënyrën më të shëmtuar të mundshëm kampionatin, me dy pikë në 5 javët e para dhe një vend në fundin e renditjes, edhe pse objektivi ishte titulli. Duhej Josa që me serinë impresionuese ta kthente skuadrën kurbinase në linjën e menduar nga drejtuesit, edhe pse bardhezinjtë nuk duhet të gabojnë me Kastriotin, skuadra e parë ndaj të cilëve morën një fitore. Krutanët janë në krizë të plotë të fundit, e për mënyrën si u ndërtuan, të fundit, e me cfarë mundën të gjenin në merkato, situata aktuale është paralajmëruar në shumë raste nga Ndreu, që prêt merkaton e janarit për të ndryshuar fatet e këtij sezoni.

Sfidë mbijetese ndërkohë, po të mërkurën, mes dy skuadrave që e prisnin Krishtlindjen ndryshe. 14 blerje për Dinamon e rikthyer në elitë pas një dekade e 14 pikë për një vend që i fut dridhjet, me zonën e rënies tre pikë larg. Pas debutimit me fitore dhe katër ndeshjeve të para emocionuese, Ibraimi e të tjerët e futën Shkëmbin në një telash nga ku barazimi me Vllazninë në sfidën e fundit të tyre nuk e shpëton dot. E tani përballë është Skënderbeu, që pretendonte të mos ishte në këtë diskutim, duke parë mbylljen e sezonit të shkuar, por që nisja e ngadaltë e bëri Memellin të jetë i katërti nga fundi, por me një progresion ambicjoz të cilin nëndetësja duhet ta ketë frikë kur të zbresin në Elbasan Arena…

Të enjten cështja bëhet serioze, duke nënkuptuar objektivët e lartë me një përplasje që ndoshta në start ishte menduar me kahe të kundërt. Kukësi i rinovuar me lojtarë e trajner është ndjekësi i Tiranës kryesuese, ndërsa nënkampionët në fuqi të Vllaznisë janë 3 pikë pas tyre e 6 nga kreu. Italiani i ka dhënë një lojë interesante bluve dhe e ka bërë të jetë ndër të paktat performanca me stabilitet. Shkodranët nga ana tjetër rrëzohen atëherë kur nuk mendohet, por me të fortët bëjnë të fortin dhe Brdaric shpreson pikërisht në këtë situatë për të barazuar hendekun me kundërshtarin.

Teuta, kampione në fuqi ka humbur shumë nga një vit më parë dhe largim-kthimi i Martinit nuk duket se po i jep ndonjë dorë në këtë pikë. Humbja me Tiranën e zhveshi nga titulli, por me Egnatian duhet të fitojë me cdo kusht për të shpresuar Europën, falë edhe kalendarit më të vështirë të dy skuadrave që ka më parë. Rrogozhinasit përvec faktit se janë rishtarë në turnen më të rëndësishëm, pavarësisht stadiumit të rikonstruktuar e një merkato me emra të rëndësishëm, gabimin e bënë me duart e tyre kur larguan Maganin edhe pse ishin 4 pikë mbi zonën e rënies: tre humbje radhazi me Ramadanin e kthyen poshtë, tani -3 nga shpëtimi.

Në fund derbi, mbyll javën dhe vitin me një performancë spektakolare në Arenën Kombëtare. Nuk ka rëndësi vendi i pestë i të kuqve, as kreu i Tiranës, e as 12 pikët që i ndajnë. Partizani gaboi për të dytën herë radhazi me blerjen më të rëndësishme dhe sezoni është ndikuar nga gabime individuale dhe sjellje taktike të pakuptueshme. Krejt e kundërta e Tiranës, fituese në derbin e parë, dominuese e kampionatit, falë një besimi në projektin Shehi, që nuk e penguan as largimet e dhimbshme. E nën pemën e Krishlindjes ëndërrat e të dy teknikëve, në prag të derbit ndryshojnë shumë,,,,

22/12/21
Laçi 13 : 45 Kastrioti
Dinamo 19 : 45 Skënderbeu
23/12/21
Vllaznia 16 : 45 Kukësi
Teuta 16 : 45 Egnatia
Partizani 19 : 45 Tirana



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *