Asgjë nuk shkon mirë te Fiorentina. Këtë herë është logo e re e klubit që ka nervozuar tifozët viola: “Ky nuk është futboll amerikan, por futboll italian. Këtu, mbi të gjitha, ka vlerë një simbol në zemër… Jo logos së re”, është mesazhi i dërguar shoqërisë përmes një pankarte që u shfaq në Firence mëngjesin e sotëm. Një tjetër pankartë, me të njëjtin ton, u postua gjatë natës në zonën e stadiumit Artemio Franchi përballë sektorit Maratona: “Para se të ndryshoni historinë – shkruhej aty – bëjeni”.
“Play to be different” (Luaj për të qenë ndryshe) është slogani me të cilin Fiorentina ka zbuluar logon e re ditët e fundit. Rombi i dikurshëm është bërë katror, zambaku është stilizuar gjithnjë e më shumë dhe shkronjat ACF (që i kërkoi me aq ngulm Della Valle) janë zhdukur. Frymëzimi është ai i viteve ’50, por në mënyrë moderne.