• |
ide | kryesore

Medalje e artë e rekord kombëtar: Luiza Gega nuk ka rivalë në Orhan 2022

-Instant, F1, Sport



Asnjë surprizë. Luiza Gega i dhuroi medaljen e artë Shqipërisë në një garë të dominuar totalisht. Gega realizoi një tjetër paraqitje impresionuese duke vendosur edhe rekord të ri kombëtar me kohën 9:14.29, duke përmirësuar kështu rezultatin e një muaji më parë 9:15.48 që kishte arritur në Hengelo të Holandës. Në vendin e dytë u rendit tuniziania Buzajani, që ishte në një distancë prej 15 sekondash, kurse në të tretin marokenia Uaziz 18 sekonda pas shqiptares.

Luiza Gega rrëmben kështu medaljen e artë, e dyta për Shqipërinë në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”. Jo vetëm vendi i parë në 3000 metra me pengesa, por rekord mesdhetar e për më tepër rekord kombëtar, ndërsa më 9’14”29 shënon kohën më të mirë të vitit. 9’15”48 në Hengelo, 9’17”89 në Kampionatin Ballkanik në Krajovë dhe 9’20”79 në Mançester. E tanimë në një shpërthim fantastik, me një distancë të madhe me ndjekësit, Gega ul rekordin mesdhetar me 13 sekonda e 49 të qindtat.

Kjo është medalja e dytë e artë radhazi e Luiza Gegës në Lojërat Mesdhetare, pas asaj në “Tarragona 2018”, me atleten kuqezi që po kalon një formë të jashtëzakonshme e që premton shumë edhe në Kampionatin Botëror të Oregonit, teksa më 16 korrik do të konkurrojë në 3000 metra me pengesa.

Ndërkohë një tjetër sukses për atletikën shqiptare ishte Franko Burraj, i cili në 400 metra ka siguruar finalen, si dhe ka thyer rekordin kombëtar me kohën e re 46”26. Rekordi i mëparshëm ishte 46”48, ndërsa finalja e 400 metrave është të shtunën në ora 20:00 me orën e Tiranës.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *