• |
ide | kryesore

Video/ Shikoni çmendurinë e Gabi Militos: kërkon të rrahë me grushte trajnerin kundërshtar

-Instant, Sport, Video



Gabi Milito, ish-mbrojtësi i Barcelonës, u bë protagonist i një episodi të shëmtuar në Argjentinë. 41-vjeçari u përpoq të godiste me grusht trajnerin kundërshtar dhe në fund oficerët e policisë e shoqëruan atë në një komisariat lokal. Milito aktualisht është trajneri i Argentinos Juniors, një skuadër që luan në divizionin më të lartë të vendit. Klubi doli në fushë në Estadio Único në Santiago del Estero kundër Central Cordoba për ndeshjen e gjashtë të fazës së dytë të Primera Division. Klubi i Buenos Aires fitoi 1-2, por protagonisti i vërtetë negativ i ditës ishte ish-mbrojtësi.

41-vjeçari u përjashtua me karton të kuq gjatë ndeshjes pasi protestoi ndaj një vendimi të arbitrit. Megjithatë, ish-lojtari i Barcelonës nuk shkoi në dhomat e zhveshjes, por priti në tunel Facundo Gareca, një anëtar i stafit stërvitor të Central Cordoba, i cili gjithashtu u përjashtua nga fusha. Milito filloi të debatonte me Garecën dhe më pas tentoi ta godiste me grusht. Ish-mbrojtësi u bllokua nga forcat e sigurisë. Sipas raporteve të shtypit lokal, 41-vjeçari më pas u dërgua në një komisariat për të dhënë një deklaratë. Ndërkohë në rrjetet sociale është publikuar video e përplasjes mes dy trajnerëve. Klipi tregon ish-mbrojtësin duke debatuar me Garecën dhe në fund duke tentuar të godasë me grushta teksa një numër njerëzish, përfshirë sigurimin, përpiqen ta ndalojnë. Rasti, megjithatë, siç raporton Mundo Deportivo, nuk do të shkojë më tej.

Kjo nuk është hera e parë që Milito përfshihet në një sherr të ngjashëm. Në nëntor të vitit të kaluar ai u përjashtua me karton të kuq gjatë një ndeshje kupe dhe ndihmësi i tij duhej ta shoqëronte në dhomat e zhveshjes për të shmangur penalitetet e mëtejshme. Ish-mbrojtësi ka luajtur për Independiente, Real Zaragoza dhe Barcelona gjatë karrierës së tij. Gabi bëri gjithashtu 42 paraqitje për Argjentinën dhe ishte pjesë e skuadrës së Kupës së Botës 2006. Milito më pas u tërhoq për shkak të dëmtimeve dhe që atëherë ka drejtuar Estudiantes, O’Higgins dhe tani Argentinos Juniors.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *