• |
ide | kryesore

BIRN: Dritëhijet e akuzave për spiunazh në ish-uzinën e armëve në Gramsh

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit

Prokuroria e Elbasanit pretendon përmes provave që i mban sekrete se blogerja ruse dhe dy miqtë e saj erdhën në Shqipëri me mision nga shërbimet inteligjente, por të afërmit dhe miqtë e të akuzuarve i konsiderojnë akuzat një “keqkuptim monstuoz”.


Në kafazin e tejdukshëm të një salle gjyqi në Gjykatën e Elbasanit, 23-vjeçari rus Mikhail Zorin dhe 24 vjeçari ukrainas, Fedir Alpatov u shfaqën njëri pas tjetrit me pranga në duar mesditën e së mërkurës, të ndarë nga një punonjës policie.


Svetlana Timoveefa, blogerja 33-vjeçare ruse e njohur gjithashtu si Lana Sator u ul një rresht më pas, e rrethuar nga katër policë.

Tre të rinjtë u akuzuan për spiunazh dhe goditje për shkak të detyrës nga drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi, por dyshimet dhe provat mbetën të panjohura, pasi Ajazi i konsideroi ato si “sekret”.

“Nga pyetja e tyre deri në këtë fazë të hetimit ka rezultuar baza e arsyeshme e të dhënave që krijon dyshimin e bazuar në prova se kanë ardhur në Shqipëri me mision, të rekrutuar nga shërbimet e intelegjencës ruse me detyra të përcaktuara,” thuhet në kërkesën për masë sigurie të Prokurorisë së Elbasanit.

Çështja u trajtua me sensitivitet edhe nga gjyqtarja Pajtime Fetahu, e cila pak minuta pas nisjes së seancës i mbylli dyert për mediat. Në fund të seancës, gjyqtarja pranoi kërkesën e prokurorisë dhe vendosi masën e “arrestit me burg” – vendim i cili u kundërshtua nga avokatët.

Sajmir Visha, avokat i zgjedhur nga ukrainasi Alpatov deklaroi se klienti i tij nuk ka të bëjë “në mënyrë kategorike me shërbimet ruse”.

Demir Çiftja dhe Aldi Kaçi, dy avokatë të caktuar kryesisht për Mikhail Zorin dhe Svetlana Timofeeva i kundërshtuan gjithashtu pretendimet e Prokurorisë, por mbajtën qëndrime të ndryshme për masën e arrestit.

Kaçi kërkoi lirimin e menjëhershëm të Timofeevës, ndërsa Çiftja e konsideroi të ligjshëm arrestimin e Zorin për shkak të përplasjes me ushtarët, por shtoi se “klienti i tij ishte trembur dhe reagoi për vetëmbrojtje”.

Timofeeva, Zorin dhe ukrainasi Alpatov njihen si blogerë dhe janë pjesë e një subkulture të quajtur “Urban Explorer” apo “Urbex”; të apasionuar për të vizituar dhe fotografuar godina të braktisura, përfshi objekte ushtrake të “Luftës së Ftohtë”.

Përfshirja e tyre në incidentin e ndodhur në afërsi të ish-uzinës mekanike të armëve në Gramsh ngjalli reagime të menjëhershme dhe fitoi vëmendje ndërkombëtare për shkak të luftës në Ukrainë.

“Nuk është spiune”

Maria Passer (djathtas) dhe Svetlana Timofeeva (majtas), e njohur gjithashtu si Lana Sator gjatë një udhëtimi

Svetlana Timoveefa, e njohur gjithashtu si Lana Sator, ka një status të veçantë mes Urbex.

“Ajo bën fotografi të mrekullueshme,” thotë Maria Passer, një blogere ruse që punon aktualisht në Bangladesh dhe shoqe udhëtimesh me Timofeevën.

“Ajo është një fotografe e apasionuar me vendet e braktisura dhe të rrënuara, nuk është një spiune,” shtoi ajo në një bisedë telefonike me BIRN.

Passer tha se kishte udhëtuar në 10 shtete të ndryshme së bashku me Timofeevën, pa llogaritur një sërë destinacionesh të tjera në Rusi. Në vitin 2018, dy vajzat kishin vizituar për herë të parë edhe Shqipërinë – përmes një udhëtimi nga veriu në jug si “backpackers”.

Passer tregon se ato udhëtuan me “auto-stop” dhe fjetën në familje që ofrojnë një krevat të lirë për turistë me buxhet të ulët. Megjithatë, ajo kujton si kulminacion të udhëtimit vizitat në bazën e aviacionit në Gjadër të Lezhës dhe tunelet e nëndetëseve në Pashaliman.

“Nuk patëm asnjë problem,” kujton Passer, duke qeshur me nervozitet nga frika se mos rrëfimi i saj për hyrjen në bazat ushtarake mund ta rëndojë më tej situatën e Timofeevës. Por ajo shton se bazat nuk ishin të ruajtura.

“Në Gjadër dikush po kulloste bagëti, ndërsa në tunelin e nëndetëseve [në Pashaliman] hymë përmes një vrime në një derë të blinduar, që ishte krijuar më herët,” shton ajo, ndërsa nis më vonë një foto të derës së blinduar.

Timofeeva u rikthye sërish në Shqipëri në vitin 2019. Ajo fotografoi uzinën e armëve në Poliçan dhe një sërë zonash të tjera, të cilat i publikoi në Instagram – pa shkaktuar asnjë problem.

Edhe Yuri Zorin, babai i 23 vjeçarit Mikhail Zorin i tha BIRN se i biri ishte i apasionuar pas “qytetërimit të harruar dhe të ndaluar” dhe vizita e tij në Shqipëri nuk kishte asnjë “qëllim sekret”.

“Unë nuk i di të gjitha rrethanat e asaj që ka ndodhur, informacionin e kam marrë vetëm nga media. Por unë jam avokat me profesion dhe jam i bindur që gjithçka ka ndodhur në uzinën e armëve në qytetin e Gramshit, është një keqkuptim monstruoz dhe që në asnjë mënyrë nuk mund të kualifikohet si spiunazh,” tha ai përmes një letre të dërguar në aplikacionin Whatsapp.

Yuri Zorin tha se i biri ishte diplomuar në një universitet shumë të mirë të Teknologjisë Kimike në Moskë, por ishte zhvendosur prej një viti në Pragë, ku kishte mësuar gjuhën dhe kishte fituar të drejtën për të bërë një Master.

Ai shtoi se pavarësisht studimeve, të birit i pëlqente “turizmi i paorganizuar” – çka ishte dhe plani i tij për këtë verë.

“Si rregull ai kishte me vete biçikletën, një çantë shpine dhe një tendë. Ai planifikonte të vizitonte Greqinë, Kroacinë, Malin e Zi dhe Shqipërinë,” tha Yuri Zorin, ndërsa shtoi se i biri ishte takuar me Timoveefën dhe Alpatov më 17 gusht.

Vetë ai kishte komunikuar me të birin deri pasditen e 20 gushtit.

“Mesazhin e fundit nga Mikhail e kemi marrë më 20 gusht rreth orës 2 pasdite. Na dërgoi një foto, tha që po binte shi dhe që ai dhe miqtë e tij ishin në makinë. Pas kësaj komunikimet u ndërprenë,” shkroi Yuri Zorin.

Kirill Permyakov, një tjetër pjesëtar i Urbex që jeton në Berlin, i tha BIRN se i njihte të tre të arrestuarit dhe se nuk e besonte akuzën e ngritur ndaj tyre. Ai shtoi gjithashtu se Zorin dhe Alpatov kishin vizituar Gjermaninë përpara se të mbërrinin në Shqipëri – por planet e tyre të eksplorimit nuk ishin materializuar.

“Më kërkuan t’i takoja kur ishin këtu. Kishim në plan të vizitonim vende të braktisura në Gjermaninë Lindore, por unë nuk isha i lirë në atë kohë,” tha Permyakov. I riu thotë se ndjehet keq që miqtë e tij ishin ndaluar dhe mendon se ata kanë bërë budallallëk që kanë kundërshtuar rojet duke përdorur spray – por lënda sipas tij ishte shumë e zakonshme për eksploruesit urbanë.

“Unë shpresoj në një hetim të ndershëm,” tha ai, ndërsa shtoi se kishte ndjekur udhëtimin e tyre në Shqipëri përmes fotove të postuara në rrjetet sociale.

Pikëpyetjet e hetimit

Mikhail Zorin gjatë udhëtimit të tij drejt Shqipërisë

Sipas kërkesës për masë sigurie të Prokurorisë së Elbasanit, akuza e spiunazhit apo dyshimet se tre blogerët ishin rekrutuar nga shërbimet ruse bazohen në seancat e pyetjeve të tre të ndaluarve.

Por në një intervistë me BIRN të martën, prokurori Kreshnik Ajazi tha se i kishte klasifikuar ato si “sekret”, duke u bazuar në nenin 279 të Kodit të Procedurës Penale që i jep të drejtën prokurorisë që të mos i ndajë me të akuzuarit provat që i konsideron të rëndësishme për vijimin e hetimeve.

“Prokurori ka urdhëruar ruajtjen e sekretit të akteve të hetimeve paraprake që i përkasin deklarimeve të këtyre shtetasve të huaj,” thuhet në kërkesën për masë sigurimi.

Ajazi i tha BIRN se këto akte konsideroheshin aq sekrete sa për momentin “nuk do t’ia vinte në dispozicion as gjykatës”.

Megjithatë, tre avokatët e caktuar nga gjykata për të ndjekur procedurën e marrjes në pyetje të të arrestuarve mohuan për BIRN që të kishin dëgjuar dëshmi inkriminuese nga ana e tyre.

Avokati Demir Çiftja këmbënguli në një intervistë me BIRN se Mikhail Zorin nuk kishte pranuar asnjë akuzë në prani të tij. Ai relativizoi edhe përplasjen e të riut rus me ushtarët e uzinës mekanike të Gramshit, ndërsa e konsideroi sulmin jo të një rëndësie të tillë që të justifikonte masën e “arrestit me burg”.

“Ka përdorur një spraj që mund të gjendet kudo nëpër supermarket,” tha avokati, duke ironizuar pretendimet se bëhej fjalë për lëndë “neuro paralizuese”.

Çiftja tha gjithashtu se Zorin nuk kishte dukjen e një spiuni, por atë të një turisti “me çantë në shpinë dhe me këpucët me baltë”.

Aldi Kaçi, i cili përfaqësoi Svetlana Timofeeva gjatë marrjes në pyetje dhe në masën e sigurisë, pohon të njëjtën gjë.

“Ajo ishte shumë e qetë. I ka mohuar akuzat,” tha Kaçi. Avokati që ishte i pranishëm në dëshminë e ukrainasit Fedir Alpatov, po ashtu pohon mohimin e akuzave.

Avokatët e caktuar kryesisht i thanë BIRN se kishin pasur vetëm një moment të shkurtër “vetëm për vetëm” me të akuzuarit. Gjatë këtij momenti, Zorin kishte kërkuar të kontaktonte familjen, Timofeeva kishte kërkuar të dinte se kur do të dilte në gjykatë, ndërsa ukrainasi Alpatov kishte kërkuar të vihej në kontakt me ambasadën ukrainase në Tiranë.

E pyetur nga BIRN nëse kishte pasur kontakt me Alpatov, ambasada ukrainase në Tiranë tha se ishte në pritje të lejes nga organet kompetente.

“Ambasada po heton të gjitha rrethanat e rastit dhe do të mbrojë shtetasin e saj në përputhje me legjislacionin ndërkombëtar,” tha ambasada ukrainase përmes një zëdhënëseje.

Ndërsa ambasada ruse në Tiranë njoftoi se kishte bërë një notë për Ministrinë e Jashtme, duke pretenduar se nuk ishte informuar për ndalimin e shtetasve të saj dhe incidentin.

Avokati i ri i Alpatov i zgjedhur nga familja e tij, Sajmir Visha, kërkoi pavlefshmëri totale të deklarimit të tij të mëhershëm. Visha i tha BIRN në një telefonatë se i mbrojturi prej tij ishte pyetur në rusisht dhe jo në gjuhën amëtare.

“Ai është ukrahinas, ligji kërkon që të pyetet në gjuhën amtare,” tha Visha.

Aventurë në kohën e gabuar!?

Avokatët e tre të akuzuarve për spiunazh në Gjykatën e Elbasanit. Foto: Gent Shkullaku/ LSA.

Incidenti i 20 gushtit në ish-uzinën e armëve në Gramsh si dhe arrestimi i dy të rinjve rusë dhe një ukrainasi u pasua me akuza të ndërsjellta politike lidhur me sigurinë kombëtare në Shqipëri.

Duke iu referuar vizitave të mëparshme të Timofeevës në bazat ushtarake, përfaqësues të opozitës i mëshuan mungesës së mbrojtjes dhe cenimit të sigurisë kombëtare, ndërsa kryeministri Edi Rama tha se opozita po e përdorte incidentin për interesat e veta.

Por përtej akuzave me agjentura ruse, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi konfirmoi se uzinat nuk ishin sekrete dhe se ishin tashmë një “atraksion aventurierësh”.

Peleshi tha se këto mjedise ishin të vizitueshme e të fotografueshme, nëse pajiseshe me leje nga autoritetet.

“Siguria kombëtare nuk është cënuar”, shtoi ai.

Në komunitetin Urbex, Shqipëria është një destinacion popullor.

“Shqipëria është e njohur për objektet e Luftës së Ftohtë,” tha Kirill Permyakov nga Berlini.

Edhe Maria Passer e përshkruan vizitën e vitit 2018 në Shqipëri si emocionuese për shkak të historisë së pazakontë, të ngjashme me atë të kohës së Stalinit si dhe mijëra bunkerëve.

Passer thotë se u kishte ndodhur të ndaloheshin nga rojet e sigurisë, të shoqëroheshin në polici dhe të liheshin të lirë, por u kishte ndodhur edhe që rojet të “ktheheshin në guida dhe t’i shoqëronin në godinë”.

Por ndryshe nga herët e tjera, një luftë po ndodh në Ukrainë dhe situata botërore ka ndryshuar.

“Nëse do të kishte ndodhur dy vite më parë, nuk do ishte aksident serioz, por për shkak se po ndodh tani, qeveria shqiptare është duke kërkuar shpjegime dhe qëllime sekrete,” përfundoi ajo. /Reporter.al


4 Comments

  1. Shqipëria ka pasur 165 mijë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit nga ’48-‘90 dhe rreth 33 mijë oficerë të Sigurimit të shtetit. Politika ka pasur brenda saj nga 31 marsi në ’91 deri sot plot spiunë të Sigurimit, në sallë të Kuvendit, të Presidentit, qeveri, në kryesi të Kuvendit e vazhdon e deri sot. Vetë politika ka qenë e pistë deri në grykë,loqe keta sulmuan ushtaret dhe per ty si shpellkare jane njesoj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.