• |
ide | kryesore

Champions/ Haaland rigjen të shkuarën në City-Dortmund

-Instant, F1, Sport



Me një ndeshje më shumë, për shkak të shtyrjes me 24 të sfidës në Skoci mes Rangers e Napolit, mbrëmja e të mërkurës është një spektakël i garantuar në raundin e dytë të Champions League, për katër grupet e dyta. Spikat përplasja në Etihad ku Halaand do të gjejë përballë të shkuarën në një City-Dortmund për të mos u humbur. Rrezikon shumë në Torino Juventus, ende pa pikë, e me një vizitor të pakëndshëm si Benfica.

GRUPI A

Rangers-Napoli, i planifikuar fillimisht për të martën më 13 shtator në orën 21, do të luhet sonte në të njëjtën orë: UEFA e ka njoftuar zyrtarisht, pasi ndeshja ishte në dyshim për shkak të ndalimit të aktiviteteve sportive në Mbretërinë e Bashkuar pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth II. Paraprakisht është bërë i ditur arbitri i ndeshjes, i cili do të jetë spanjolli Antonio Mateu Lahoz, por për Napolin është një mundësi ideale për të forcuar pozitat kryesuese në grup, pas shkatërrimit që i bëri Liverpool. Ndeshje për jashtë ose brenda për Rangers, që doli i dërrmuar nga sfida me Ajax.

GRUPI E

Një pikë e pamjaftueshmë në Austri e detyron Milan të bëjë shumë kujdes përballë ndëshkuesve të Chelsea, në raundin e dytë. Kuqezinjtë janë në emergjencë në sulm, por ndaj Dinamo Zagreb tre pikët janë thelbësore. Stefano Pioli, i cili ka studiuar zgjidhjet taktike, duke patur edhe parasysh cfarë i ndodhi Tuchel, e di këtë: “Për të fituar këtë sfidë duhet të japim maksimumin në të gjitha nivelet, përndryshe do të vuajmë. Duam kreun, por gara do të jetë e vështirë”. Kroatët janë kryesuesit surprizë të Grupit E dhe pasi bënë ‘viktimë’ londinezët duan një tjetër trofe luksoz. Për Milan gjërat komplikohen, sepse ringritja e Chelsea e kombinuar me mungesën e fitores me Dinamon mund t’i rrezikonte objektivin kualifikim.

Potter ka tani shansin t’i kthejë prestigjin Chelsea, pas atij debutimi traumatik në Zagreb. Situata në grup mund të përmirësohet pas ndeshjeve të dyta, por duhet një fitore ndaj Salzburg për të lëvizur nga vendi i fundit. Austriakët e treguan se janë një formacion solid kur ndaluan Milanin dhe tani shpresojnë të gjejnë tek Blues skorjet e lëna pas nga goditja ‘cerebrale’ e marrë kundër Dinamos.

GRUPI F

Në pritje të certifikimit të dominuesit të Grupit F, Shakhtar Donetsk e Real Madrid do të mundohen të likuidojnë kundërshtarët, përpara përballjes direkte. Ukrainasit bënë befasinë e madhe duke shkëtarruar Leipzig 1-4 dhe tani janë absolutisht favoritë për të bërë pikë të plota edhe kundër Celtic. Skocezët e dinë mirë se, në rast humbje, 6 pikët diferencë nga vendi i parë do të jenë praktikisht një ‘dënim me vdekje’.

Kampionët në fuqi nuk bënë asnjë start bosh kundër Celtic dhe tani duan të kënaqin edhe tifozët e tyre në Bernabeu në ndeshjen e parë europiane në shtëpi kundër Leipzig. Gjermanët duhet të tregojë se shembja kundër Shakhtar ishte një rastësi, por këtë vështirë se mund ta bëjnë në Madrid. Ende pa Benzema, Real nuk ka probleme zgjedhjesh dhe Vinicius e Rodrygo po marrin përsipër Blancos, pa harruar të shpluhërosurin Hazard, që duket se po kthehet protagonist me teknikun italian në pankinë.

GRUPI G

Ndoshta nuk e kishte menduar Erling Haaland se në më pak se dy muaj nga transferimi në Etihad do të gjente përballë ish-skuadrën e tij. Në Manchester mbërrin Borussia Dortmund, në një ndeshje në të cilën vendoset shumë për Grupin G mes dy skuadrave fituese të ndeshjeve të para. Guardiola kërkon të shfrytëzojë fushën mike dhe një formë brilante të të besuarve të tij, edhe pse e kupton qartë se për talismanin norvegjez, golashënues i pakapshëm deri tani për Citizens, do të jetë një ndeshje zemre. Verdhezinjtë, pasi shpartalluan Copenhagen, duhet ta luajnë me anglezët pa mbështetjen e ‘murit të verdhë’. Haller, ai që duhet të zëvendësonte Haaland në Dortmund, do të jetë mungesa e madhe e sfidës me ivorianin që është duke u kuruar nga kanceri në testikul. Pesha e formacionit gjerman bie mbi Reus, shënues në debutim dhe natyrisht xhevahirin Bellingham, anglezi që vjen si armik në Manchester.

Mes dy humbësve të ndeshjeve të para, kjo ndeshje është si oksigjen për fituesin dhe dënuese për atë që del sërish i mundur. Copenhagen do të presë Sevillan, që për momentin është në vendin e fundit me diferencën golash, pas pokerit të pësuar nga City. Danezët nuk është se janë më mirë, të kthyer me tre gola nga Dortmund, por në shtëpi duhet të bëjnë maksimumin për t’i dhënë shpresë vetes. Shansi i fundit edhe për Sevillan, me spanjollët që duhet të fitojnë në transfertë, për ta luajtur pastaj vendin e dytë me një prej City apo Borussia.

GRUPI H

Juventus rikuperon Angel Di Marian. Kampioni argjentinas është rikthyer në stërvitje me kapacitet të plotë me pjesën tjetër të skuadrës në prag të ndeshjes shumë delikate të Champions League kundër Benficas dhe për këtë arsye do të konsiderohet në dispozicion të Max Allegrit. Aktivizimi i tij nga minuta e parë ndaj ish-skuadrës së tij do të jetë i vështirë, edhe sepse është thelbësore të shmanget rreziku i dëmtimeve të mëtejshme, por El Fideo nga pankina mund të bëhet një armë e fortë për ndeshjen. Pothuaj e sigurtë mungesa e Adrien Rabiot dhe Manuel Locatellit. Të dy po kthehen nga lodhja muskulore dhe, në këtë pikë, duket e pamundur që ata të arrijnë në debutimin e tyre në shtëpi në Evropë. Kështu, mesfusha mbetet në emergjencë, me Allegrin që do të detyrohet të përqendrohet përsëri te McKennie, Paredes dhe Miretti, në atë që ka shumë të ngjarë të jetë 3-5-2.

Formacioni

Milik, i skualifikuar ndaj Monzas, do të bashkohet me Vlahovicin, ndërsa Cuadrado dhe Kostic do të sforcohen në krahë edhe një herë, duke pasur parasysh se edhe Alex Sandro ka vuajtur nga lodhja muskulare dhe do të jetë gati vetëm për Monzën. Në mbrojtje, Danilo do të rikthehet nga 1′ dhe do t’i bashkohet Bonuccit dhe Bremer, ndërsa në portë do të jetë akoma Perin.

PSG duhet të shqetësohet më shumë për lajmet që vijnë nga klauzola e kontratës së Mbappe se kundërshtari i mbrëmjes. Maccabi Haifa u dorëzua në Lisbonë në ndeshjen e parë e tani pret favoritët numër 1 të grupit, që vijnë nga fitorja me Juventus në debutim. Galtier kërkon vendin e parë në grup dhe nuk heq dorë nga tridhëmbëshi i tij, me Messi-Mbappe-Neymar, që kundër bardhezinjve impresionuan me lojëra prestigji. Për parisienët është e rëndësishme të dalin nga Izraeli me tre pikë, duke parë edhe përplasjen mes Benfikës bashkëkryesuese me Juventusin në Torino.

Champions League

Group A
21:00
Rangers – Napoli
Group E
18:45 AC Milan – Dinamo Zagreb
21:00 Chelsea – FC Salzburg
Group F
18:45 Shakhtar Donetsk – Celtic
21:00 Real Madrid – RB Leipzig
Group G
21:00 FC Copenhagen – Sevilla
21:00 Manchester City – Borussia Dortmund
Group H
21:00 Juventus – Benfica
21:00 Maccabi Haifa – Paris Saint-Germain



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *