• |
ide | kryesore

Sulmet kibernetike/ Të premten nuk do jepen pasaporta dhe karta ID

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
Haker



Të premten nuk do të ketë shërbim të Gjendjes Civile. Drejtoria e Përgjithshme njoftoi se ditën e nesërme do të ndërpritet përkohësisht shërbimi. Kështu nuk do të mund të aplikohet për dokumentet biometrike në zyrat e Aleat. Në njoftim thuhet se kjo bëhet në kuadër të masave për rritjen e nivelit të sigurisë. Shkak janë sulmet kibernetike që kanë goditur vendin.

“Për të rritur nivelin e sigurisë ndaj sulmeve kibernetike, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile po ndërmerr një sërë masash të integruara. Në këtë kuadër, ditën e premte, 16 shtator, GJC njofton se NUK do të mund të ofrohet shërbim në zyrat e aplikimit të Aleat për dokumente biometrike (pasaporta apo ID karta)” – thuhet në njoftim.

Ministria e Brendshme thotë se kërkon mirëkuptimin e gjithë qytetarëve për këtë ndërprerje të përkohshme të shërbimit. Kjo sipas saj do të jetë vetëm për ditën e premte. Kjo sipas saj shton masat komplekse për të garantuar shërbim të pandërprerë në vijim, e të sigurt për çdo qytetar. Aplikimi për dokumente identifikimi bëhet online.

Në një hark të shkurtër kohor Shqipëria është sulmuar kibernetikisht 2 herë nga Irani. Në korrik të këtij viti goditi shërbimet online. E-albania u bllokua dhe qytetarët nuk mund të merrnin shërbime. Sulmi u mor përsipër nga një grup i quajtur HomeLand Justice.

Ajo është faqe interneti që u shfaq para sulmeve kibernetike. Sipas analizës së Microsoft, pas faqes së internetit qëndron një grup i lidhur me Qeverinë iraniane, i cili është përgjegjës për sulmin në internet. Në faqen e internetit HomeLand Justice ekzistojnë disa publikime. Grupi merr përgjegjësinë për sulmin kibernetik, siç thuhet, për shkak të urrejtjes ndaj qeverisë shqiptare.

Të premten e kaluar u sulmua sistemi TIMS në pikat kufitare nga e njëjti grup. Për këto sulme vendi ynë ka bërë përgjegjës Iranin. Qeveria shqiptare vendosi të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me këtë vend. Ambasada e Iranit u largua nga vendi. ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *