• |
ide | kryesore

Talebanët ndalojnë vajzat të shkojnë në universitet

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
talebanët



Ministria e arsimit në Afganistan, e drejtuar nga talebanët tha të martën se gratë dhe vajzat nuk do të lejohen më të vazhdojnë studimet në universitetet e vendit, duke shtuar se vendimi do të jetë në fuqi deri në një njoftim tjetër të ardhshëm.

Një letër, e konfirmuar nga zëdhënësi i ministrisë së arsimit, udhëzoi universitetet publike dhe private në Afganistan që të pezullonin menjëherë pjesëmarrjen në studime të vajzave dhe grave, në përputhje me një vendim të kabinetit qeveritar.

Vendimi më i fundit i talebanëve që kufizon të drejtat e grave pritet të nxisë reagime nga komuniteti ndërkombëtar, i cili zyrtarisht ende nuk e ka njohur qeverinë e udhëhequr nga talebanët, ndaj të cilës janë vendosur sanksione të forta.

Në mars, talebanët morën kritika të forta nga qeveritë e huaja dhe një pjesë e shoqërisë afgane për sinjalet se do të ndryshonin vendimin e tyre për të lejuar arsimimin e vajzave në shkollat e mesme të vendit.

Konfirmimi për kufizimet e reja ndaj arsimimit të vajzave dhe grave në universitete u publikua në kohën kur Këshilli i Sigurimit i OKB-së po mbante një seancë për Afganistanin, në të cilën përfaqësuesja e posaçme për Afganistanin, Roza Otunbayeva, tha se mbyllja e shkollave ka “minuar” marrëdhëniet e administratës së talebanëve me komunitetin ndërkombëtar.

“Për aq kohë sa vajzat mbeten të përjashtuara nga shkollat dhe de fakto autoritetet vazhdojnë të mos marrin parasysh shqetësimet e komunitetit ndërkombëtar, ngërçi do të vazhdojë”, tha ajo.

Vendimi vjen në një kohë kur shumë studentë po i nënshtrohen provimeve të fundit të semestrit. Nëna e një studenteje, e cila foli në kushte anonimiteti për arsye sigurie, tha se vajza e saj e telefonoi duke qarë pasi mori njoftimin për vendimin, e shqetësuar nga frika se nuk do të mund të përfundonte studimet për mjekësinë në Kabul.

“Dhimbja që, jo vetëm unë, por edhe nënat e tjera, kemi në zemrat tona nuk mund të shpjegohet me fjalë. Ne të gjitha e ndjejmë këtë dhimbje, ato janë të shqetësuara për të ardhmen e fëmijëve të tyre”, tha ajo. /VOA



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *