• |
ide | kryesore

Kuvendi i Kosovës diskuton për dialogun me Serbinë

-Instant, Lajme, Të fundit
e Kosovës



Kuvendi i Kosovës po mban debat parlamentar për zhvillimet në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në seancën e sotme të Kuvendit u tha që Kurti duhet të jetë “i sinqertë dhe transparent” për këtë proces.

Debati parlamentar lidhur me dialogun është iniciuar nga subjekti opozitar, Partia Demokratike e Kosovës. Në kërkesën e shkruar PDK-ja ka thënë se në dy vitet e fundit, dialogu ka hyrë në rrugën që nuk çon drejt marrëveshjes finale.

“Çka është qëllimi i propozimit evropian? A ofron ky propozim mundësinë e marrëveshjes finale? A është ky vazhdim i dialogut apo pikënisje e re? A ka kornizë kohore ky dialog?”, këto ishin disa nga pyetjet e kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Krasniqi shtroi dhe pyetje tjera, që kryesisht lidheshin me propozimin evropian.

“Cili është teksti i fundit dhe përmbajtja zyrtare e këtij propozimi ? A e parasheh njohjen e ndërsjellë mes dy vendeve i njëjti? Si dhe, a parashihet vazhdimi i dialogut edhe pas marrëveshjes?”, pyeti ai.

Kurti tha se Qeveria e Kosovës e ka ndërtuar qasjen e saj strategjike përballë dialogut me Serbinë, mbi bazën e dy qëllimeve fillestare. Qëllimi i parë, siç tha ai, është ndërprerja e praktikës së përfshirjes së çdo çështjeje potencialisht kontestuese ndërmjet palëve, në fushëveprimin e dialogut. Ndërkaq, qëllimi i dytë, është hapja e kapitullit të një procesi të bisedimeve për ndërtimin e raporteve të jashtme të fqinjësisë së mirë dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare si dy shtete të pavarura që e bazojnë marrëdhënien e tyre mbi premisën e njohjes së dyanshme të shtetësisë.

Kurti tha se më 9 shtator ka marrë propozimin e njohur si franko-gjerman. Ajo iu dorëzua nga i dërguari i Francës, Emmanuel Bonne, dhe nga i dërguari i Gjermanisë, Jens Plotner. Propozimi u mor në praninë e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

“Ata prezantuan para meje një propozim për normalizimin e ndërmjetëm të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të bazuar në parimin e njohjes de facto dhe mbështetjen e saj në parimet e kartës së Kombeve të Bashkuara dhe parimet e qarta të së drejtës ndërkombëtare”, tha Kurti.

Ai shtoi, pavarësisht se i ishte kërkuar nga emisarët që konfidencialiteti i dokumentit të respektohet, ai i kishte ftuar kryetarët e tri partive opozitare, për t’i njoftuar ata me përmbajtjen e propozimit.

Kryeministri Kurti, më tej shpjegoi se mbi çfarë bazash ishte dokumenti i propozuar nga emisarët gjerman dhe francez.

“Propozimi bazohet në modelin e marrëveshjes gjermano-gjermane të vitit 1972. Po ashtu edhe në shumë modeleve të tjera të ngjashme të njohjeve de facto të shtetësisë në historinë e marrëdhënieve ndërshtetërore, si për shembull: marrëveshja Japoni-Kore Jugore”, tha Kurti

Ai theksoi se propozimi ngërthente në vete pranimin nga palët të parimit të barazimit në sistemin ndërkombëtar, i cili është parimi kyç i kartës së Kombeve të Bashkuara, për sa i përket marrëdhënieve ndërmjet shteteve të pavarura.

Siç tha Kurti, Qeveria e Kosovës e komentoi versionin e parë të propozimit dhe kërkoi “avancimin të tij drejt një marrëveshjeje finale me njohjen de jure në qendër të saj”.

Kryeministri Kurti tha se në parim pikat e propozimit janë bazë e mirë për diskutim. Por, sipas tij, “e vetmja pikë shumë kontestuese është ajo që lidhet me pranimin e zbatimit të marrëveshjeve të kaluara të Brukselit. Shumica nga të cilat, fatkeqësisht janë marrëveshje që kanë në përmbajtje elementin monoetnik, atë territorial dhe atë të monopolizimit të përfaqësimit të komunitetit serb në duart e Listës Serbe që kontrollohet nga Beogradi”.

Kurti tha se më 6 dhjetor, Lajçak i kishte ofruar një version të dytë të propozimit. Aty ishin përfshirë vërejtjet e palës së Kosovës. Megjithatë ai nuk kishte lëvizur prapa nga parimet që ngërthente propozimi i parë.

“Dokumenti shoqërohej me një plan zbatimi. Ai kishte referencë të qartë te një statut që do ta hartonte ekipi menaxhues, obligim që rrjedh nga marrëveshja [e Brukselit] e vitit 2013, gjë që është një tregues i një hapi të një Asociacioni të komunave me shumicë serbe”, tha ai.

“Ata ma bënë të qartë që propozimi kryesor, këtë herë është fare pranë formatit’merre ose lëre. Nuk do të lejohet, praktikisht, hapja apo negocimi i tij… Ata gjithashtu ma bënë të qartë që çfarëdo refuzimi i propozimit, do të shoqërohet me hapa kundërshtues dhe ndëshkues diplomatik për Kosovën”, tha Kurti.

Ai shtoi se megjithatë, kishte shtruar vërejtjet dhe kërkesat e tij se “propozimi duhet të përfshijë më shumë elementë garantues dhe siguresa të efektivitetit, sa i përket anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, shtimit të numrit të njohjeve dhe një sekuencim të ngjarjeve, në formë të tillë që të ketë kuptim normalizimi ndërmjet dy shteteve”.

Sipas Kurtit, këto kërkesa ishin sqaruar me 6 shkurt, në takimin me Lajçakun, në Prishtinë. Më pas atij ia kishte konfirmuar që propozimi i BE-së “është bazë e mirë për bisedime të mëtejme dhe platformë solide për të ecur përpara”.

“Plani kryesor nuk ka asnjë referencë të një asociacioni. I referohet marrëveshjeve të Brukselit në tërësinë e tyre. Tash, hapi kryesor, ku do të lindin pyetjet më serioze në ndërlidhje me Asociacionin, do të jetë në procesin e negocimit të planit të zbatimit”, tha Kurti

Ai shtoi se qëndrimi i tij është që çështja e Asociacionit mund të merret në konsiderim “nëse plotësohen gjashtë kushtet”. Kurti ka paraqitur gjashtë kushte për të shqyrtuar mundësinë e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kryetari i LDK-së: Kurti është kundërthënës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se Kurti është kundërthënës në ato që thotë.

“Në njërën anë thotë që ka një draft të dytë, që tha se është dokument merre ose leje, por njëkohësisht e ka pranuar si bazë të mirë. Tani, nuk mund të pranosh si bazë të mirë diçka që është merre ose leje. Ose është bazë përfundimtare, ose është bazë fillestare”, tha ai.

Abdixhiku tha se shpërputhja më e madhe dhe logjike e Kurtit është “mes refuzimit që provon t’ia bëjë themelimit të Asociacionit dhe pranimit brenda draftit të marrëveshjeve paraprake”.

“Pra respektimi i marrëveshjeve paraprake është pranim i Asociacionit”, tha ai.

Ai tha se Kurti ka dy rrugë përpara. Një është zhbërja e Marrëveshjes së Asociacionit ose implementimi sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha se kanë premtim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që me nënshkrimin e marrëveshjes, Kosova do të ndihmohet në anëtarësim në NATO.

“Do të përkrahemi për partneritet për paqe dhe për rrugëtimin tonë drejt NATO-s”, tha ai. Sipas tij kjo është arsyeja kryesore pse propozimi evropian përkrahet nga partia e tij.

Propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi u është dorëzuar dy vendeve në fund të verës së vitit të kaluar. Përmbajtja e tij nuk është bërë publike. Ky propozim, në të cilin ka pasur qasje REL-i, parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Në dokument nuk përmendet njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në OKB. Këro janë gjërat insistojnë publikisht zyrtarët kosovarë. Aty theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur në vitin 2011. Ai ishte fillimisht për çështje teknike, për të evoluar një vit më pas në dialog politik.

Aktualisht, të dyja palët janë duke e shqyrtuar propozimin e Bashkimit Evropian. Që më herët ky njihej si plani franko-gjerman.

Kryeministri Kurti, ka deklaruar më herët se propozimi i propozimi i Bashkimit Evropian nuk është marrëveshje finale, por një kornizë apo një marrëveshje bazike, jo përfundimtare.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog nën ndërmjetësimin e BE-së – që ka mbështetjen edhe të SHBA-së – që nga viti 2011. Procesi synon të normalizojë raportet mes shteteve. Por, Kosova dhe Serbia kanë pikëpamje të ndryshme sa i përket përfundimit të procesit.

Prishtina kërkon që një marrëveshje finale të përfshijë njohjen e ndërsjellë. Beogradi insiston në një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë./ REL



1 Comment

  1. Behuni me te pergjegjshem e flisni me nje ze ne te miren e Kosoves duke haruar perkohesisht interesat partiake deri ne perfundimin e dialogut me Serbine. Keshtu kane qene jete e mot rregullat e kanunit,kur shqiptaret ishin ne lufte me fqinjet nderpritej gjakmarrja.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *