• |
ide | kryesore

“Jam trajner injorant dhe nuk di të bëj formacionin”: Colella ironik me gazetarët pas fitores me Kastriotin

-Instant, Sport
Colella



“Sot kishim shumë frikë për këtë ndeshje, ndaj jam i lumtur për sjelljen e skuadrës. Kemi respektuar kundërshtarin. Sipas meje kemi bërë gjërat që duheshin bërë. Sulmuesit jetojnë për golin, ndaj fakti që shënuan të kënaq. Por ata bëjnë gol nëse i mbështet e gjithë skuadra, ndaj merita është e të gjithëve”. Giovanni Colella është i qetë, shpërndan merita e reflekton duke vlerësuar një skuadër që jo shumë larg e quajti me limite. “Mendoj se kam një skuadër të mirë, jo vetëm në mesfushë. Është e vërtetë që kemi mesfushorë të mirë, por nuk është vetëm një repart që e bën skuadrën. Kur shënohet është meritë edhe e atij nga ku nis aksioni. E kur mbrohet është meritë edhe e sulmuesve, të cilët nisin të mbrojnë të parët” tha Colella.

Lexo më tej: Video/ Partizani poker Kastriotit për kreun e renditjes: çfarë goli Mba

Tekniku më pas është nervozuar nga pyetja mbi rotacionin e bërë në Kupën e Shqipërisë, ku pavarësisht lojës së mirë, u eliminua nga Vllaznia. “Më mirë formacioni i Kupës apo ky i kampionatit? Këtu kemi shumë lojtarë të mirë. Unë jam një trajner injorant dhe nuk di të bëj formacionin titullar”, ironizoi Colella, duke mbyllur intervistën.

ÇELA: E KAM NË ADN, KURRË NUK DORËZOHEM

“Si gjithmonë është e njëjta muzikë, një ekip i brishtë. Nuk kam pasur gjatë javës sinjale negative, ka pasur seriozitet, përkushtim, disiplinë e mirë. Çunat kanë dëshirë të punojnë e ringrihen, por e kam thënë që jemi një ekip i brishtë. Mjafton që një gabim të prishë çdo gjë që kemi ndërtuar”. Emiljano Çela është i dëshpëruar për rezultatet që e vendosin gjithnjë e më në vështirësi Kastriotin. Humbja 4-1 me Partizanin është e rëndë, edhe pse diferencat u treguan vetëm pas zhbllokimit të ndeshjes nga Cara. “U kam thënë lojtarëve që të bëjmë kampionatin tonë e të kemi besim te puna jonë. Pauza do të ndikojë se kemi shumë probleme dëmtimi. Nëse e vutë re kishim shumë lojtarë jashtë pozicioneve. Më shumë më dhemb mënyra si erdhi humbja, e patë që jemi një ekip i brishtë, si një kala rërë që vjen një dallgë dhe prishet”.

Çela megjithatë nuk quan asgjë të mbaruar dhe lëshon thirrjen e luftës: “Të dorëzuar as nuk diskutohet që nuk jemi. E kam në ADN që kurrë nuk dorëzohem, do të vazhdoj të punoj”. “Shpresoj që ekipi të vazhdojë të besojë, që të mbajmë stërvitjen. Këtu varet gjithë fati i sezonit tonë. Nëse marrim maksimumin në këto dy ndeshje, do të futemi në ritëm tjetër në fazën e katërt”, përfundoi Çela.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *