• |
ide | kryesore

“Nuk luajtëm siç menduam”: Miloti debuton jo mirë para publikut shkodran, Shensoi tregon ku përfitoi

-Instant, Sport
Miloti



“Ndoshta ishte që para ndeshjes ishim mobilizuar të gjithë por nuk e shfaqem para publiku tonë. Kjo ishte kryesorja, nuk luajtëm siç menduam. E të them të drejtën edhe mesfusha nuk funksionoi siç duhet. Qartësia në mendim dhe veprim na mungoi sot”. Auron Miloti debutoi me një 0-0 pa shije e ngjyrë para publikut të shtëpisë në pankinën e Vllaznisë. “Nuk është se e morëm lehtë Bylis – tha Miloti -. E dinim forcën e tij. Ishte qartësia në veprim dhe mendim që na mungoi sot. Edhe në pjesën e dytë hodhën forcën e dytë sulmuese dhe e gjitha kjo nuk funksionoi. Entuziazmi nuk u paraqit në fushë. Do punojmë që të korrigjojmë gabimet që dolën sot në pah në pjesën e parë”, tha Miloti. E ndërkohë, seria pa fitore që i kushtoi edhe Josës pankinën, shtrihet në pesë takime.

SHENSOI: ISHIM TË PAKTËN 51% MË MIRË SË VLLAZNIA

“Për ndeshjen, ishte një ndeshje tipike kampionati ku Vllaznia ka ende objektivat e saj e ne për mbijetesë. E analizuam Vllazninë e pastaj ndërrimi i trajnerit ishte një moment që e shfrytëzuam. Nuk e lejuam Vllazninë të krijonte raste në pjesën e parë. Kjo do të thotë që skuadra u mbrojt mirë. Në pushim u thashë lojtarëve që të përmirësojmë 20% në lojën ofensive, si ndodhi, sidomos kur hyri Qardaku”. Naxhi Shensoi, trajneri i Bylis, ka mbetur deri diku i kënaqur nga barazimi në Shkodër. Sigurisht tre pikët ishin prioritet, sidomos kur në këndvështrimin e Shensoit, skuadra luajti më mirë: “Erdhëm për tre pikë, ne i humbëm pikët, ishim të paktën 51% më mirë së Vllaznia. Do vazhdojmë edhe 9 ndeshje e sfida, do vazhdojmë, ky është kapaciteti, nuk kemi lojtarë të tjerë. Do vazhdojmë dhe punojmë”.

Në lidhje me objektivin mbijetesë, Shenoi ka rezervat e tij dhe kërkon edhe ndihmën e lojtarëve: “Ne jemi të suksesshëm në lojë, por jo në fazën e fundit. Vlen edhe kualiteti e vetëbesimi. Duhet të pranojmë se në lojë, sulmuesit tanë po luajnë mirë. Jashtë portës, e 40-50 metra lart, bëhen si luanë. Por kur afrohen te porta zvogëlohen. Do të punojmë, por edhe kualiteti i lojtarëve e humbja e vetëbesimit të sulmuesve ndikon”, e mbylli Shensoi.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *