• |
ide | kryesore

Miqësoret stonojnë, Tirana pret ndihmën e tifozëve e vendos stadiumin

-Instant, Sport
tirana



Një merkato për notën 10, për cilësi e numra. Tirana ka bërë 8 goditje të nivelit të lartë, duke përforcuar repartet nga porta në sulm. Tani Orges Shehi ka mundësinë të luajë shanset për titull i barabartë me kampionët, që diferencën sezonin e kaluar e bënë në numra. Të gjithë, ose pothuaj, në xhiron e kombëtares nga Selmani, te Hoxhallari, Doka, Latifi e Mici edhe pse ky i fundit deri me U17. Obanor e Kaina Nunes e Jonuzi janë lojtarë të provuar e konfirmuar.

Gjithçka në këtë pikë, duke i shtuar edhe grupin e lojtarë të rëndësishëm që ishin bardheblu si Hasani, Deliu, Lushkja e Abazaj, e bëjnë të duket perfekte. Vetëm se në fushë, në dy daljet e para miqësore, gjërat nuk kanë shkuar si mendohej. Tirana u mund 2-1 nga Dukagjini në testin e parë, skuadër e renditur e katërta në Kosovë. E nuk është se gjërat u përmirësuan përballë Ballkanit të Ilir Dajës. Bardheblutë u mundën edhe këtu 3-1, duke iu dorëzuar golave të Tushës, Rrahmanit dhe Berishës. Nënkampionët e Shqipërisë u dukën të ngadaltë në manovër e deri diku të parashikueshëm.

Shehi megjithatë nuk shqetësohet fare nga një situatë e tillë. Jo sepse mjaftohet me golin e Hilës, por sepse ka tjetër gjë në mendje. Bardheblutë kanë edhe 4 ditë përgatitje intensive në Ohër, para se të provojnë forcat me Strugën, me formacionin e vërtetë që Shehi mendon të përballet me Dinamo Batumin në raundin e parë të Conference League. Tirana ngjan jofunksionale, por vetëm për momentin…

PËR EUROPËN NË “AIR ALBANIA”

Tirana futet në pesë ditët e fundit të përgatitjeve në Ohër, përpara debutimit në Conference League kundër Dinamo Batumi, por duket se tashmë gjithcka është gati. Kundër gjeorgjianëve bardheblutë do të përdorin të gjithë armët që kanë në dispozicion, përfshirë tifozët, për të cilën klubi ka vendosur ta ndryshojë stadiumin, duke e e kthyer nga Elbasani që mendohej fillimisht në Arenën Kombëtare. Për prezantimin në Europë bardheblutë shpresojnë të kenë mbështetjen maksimale të tifozëve të tyre. Natyrisht, kjo do të thotë edhe një arkëtim të rëndësishëm, duke parë shpenzimet e mëdha që janë bërë në merkato.

Lexo më tej: Tirana, formacion 60% i ndryshuar dhe role të dubluara: bardheblutë trembin rivalët pa nisur ende

BILETAT DALIN NË SHITJE

Klubi ka nxjerrë në shitje biletat për ndeshjen kundër Dinamo Batumi. Nga 500 lekë për sektorët pas portave, tribuna E do të kushtojë 1500 lekë e ajo W 3000 lekë. Si është e kuptueshme çmimi më i lartë do të jetë ai i tribunës Vip, që arrin në 4000 lekë. Kështu, tifozët bardheblu do të kenë mundësinë të jenë prezent në takimin e 13 korrikut, në orën 20.00, për të mbështetur skuadrën e tyre të zemrës.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *