• |
ide | kryesore

Gazeta zvicerane: Paqja në Ballkan rrezikohet nga ambiciet e Serbisë

Arkiva, Lajme, Të fundit
gazeta



Paqja në Ballkanin Perëndimor është shumë e rrezikuar nga ambiciet e vazhdueshme për të formuar një “Serbi të Madhe”. Çelësi i paqes në Ballkanin Perëndimor qëndron në Distriktin e Brckos. Kjo është “thembra serbe e Akilit”, shkruan gazeta e përditshme zvicerane në gjuhën gjermane, Neue Zürcher Zeitung.

Në një shkrim me titullin “Si mund ta parandalojë BE-ja “Serbinë e Madhe” me disa qindra ushtarë”, autori Alexander Rothert shkruan se si kreu i Republika Srpskas në Bosnjë Hercegovinë, Millorad Dodik po tenton të krijojë forca ushtarake paralele.

“Që nga 21 nëntori 1995, termi Dejton ka treguar një lloj të veçantë diplomacie – të gjithë pjesëmarrësit qëndrojnë të mbyllur derisa të arrijnë një marrëveshje. Kështu shkruante “arkitekti” i Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, ambasadori Richard Holbrooke në librin e tij “Misioni im” të vitit 1998. Përpjekjet e palodhura diplomatike të Holbrooke, së bashku me bombardimet e NATO-s ndaj pozicioneve serbe, i dhanë fund luftës gati katërvjeçare në Bosnjë e Hercegovinë” – kujton në fillim NZZ.

Autori Alexander Rothert ka hulumtuar ngjarjet në ish-Jugosllavi dhe ka punuar për Institutin Otto Zur, Institutin e Europës Lindore si dhe për misione të ndryshme ndërkombëtare. Duke qenë kështu, ai kujton se edhe sot, paqja në Ballkanin Perëndimor është në rrezik të madh, dhe jo thjesht e brishtë. Sipas tij, kjo ka të bëjë me përpjekjet e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për të realizuar projektin e krijimit të Serbisë së Madhe, të nisur nga paraardhësi i tij Sllobodan Milloshevic.

Ai plan, siç shkruan Rothert, mbështetet në “Botën Ruse” të Vladimir Putinit dhe tani quhet “Bota Serbe”. Protagonisti kryesor i tij është shefi i Agjencisë serbe për Siguri dhe Informacion (BIA), Aleksandar Vulin. Vulin, i cili së fundmi është sanksionuar nga SHBA-ja për shkak të besnikërisë ndaj Moskës, së bashku me liderin serbëve të BeH, Millorad Dodik kanë marrë pjesë në një “forum sigurie” në Rusi.

Alexander Rothert e përshkruan Dodikun si “pushtetin kryesor aktiv të Beogradit në Ballkanin Perëndimor”. Ai përmend edhe mirënjohjen “Urdhri i Meritës” që i dha Putinit në shenjë mirënjohjeje. NZZ citon Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga viti 2022, e cila thotë se “situata në rajonin e ish-Jugosllavisë vazhdon të përbëjë një kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”.

“Një nga arsyet për këtë janë përpjekjet e Dodikut për të ndërtuar forca ushtarake paralele. Nëse shikoni paradën ushtarake vjetore anti-kushtetuese me rastin e themelimit të Republikës Srpska më 9 janar, mund të ndjeni se numri i anëtarëve të atyre forcave është tashmë i konsiderueshëm: në atë kohë, deri në 2 000 anëtarë të armatosur rëndë të grupeve paraushtarake dhe policë specialë marshuan, të ndjekur nga dhjetëra automjete të blinduara dhe helikopterë. Armatosja e njësive të tij paraushtarake nga Dodiku, shkon paralelisht me armatosjen masive të forcave të armatosura serbe, gjë për të cilën Vuçiq është përpjekur prej disa vitesh” – theksohet në artikull.

Qyteti Brçko në pjesën veriore të Bosnjë e Hercegovinës është “thembra e Akilit” e strategëve serbë, vlerëson Rothert dhe kujton se “Bota Serbe” nuk do të ishte e mundur pa kontrollin e Brçkos. Një prani ushtarake ndërkombëtare e armatosur fuqishëm në Brçko mund t’i kundërvihej çdo aventure pa shkrepur asnjë plumb. Do të ishte e rëndësishme që njësitë të zhvendosen në Brçko sa më shpejt të jetë e mundur. Në rast të shpalljes së pavarësisë, njësitë e Dodikut fillimisht do ta merrnin dhe do ta pushtonin Brçkon, beson autori i tekstit në NZZ.

“Një gjë duhet të jetë e qartë: kurrë nuk ka pasur lëvizje paqësore kufitare në Ballkan. Kontrolli ushtarak i distriktit të Brçkos nga forcat ndërkombëtare – qoftë EUFOR-i apo NATO, që ende ka një mision në BeH dhe drejtohet nga një gjeneral amerikan – është një parakusht për paqe të qëndrueshme brenda dhe rreth Bosnjës në Ballkanin Perëndimor”, – shton ai.

Kjo është veçanërisht e vërtetë për sa kohë që janë në pushtet secesionistët dhe politikanët që punojnë për ta shkatërruar shtetin, si Millorad Dodik. Me ‘opsionin Brçko’, BE-ja mund të arrijë fitimin maksimal me investime shumë të kufizuara, – përfundon shkrimi i NZZ. ©LAPSI.al



4 Comments

  1. Obobo… zvicerjanet… me keq se serbet e shqiptaret.

    Rrace e keqe maloke e barbare.

    Me vjen per te vjedh sa here mendoj “Zvicer” e “zvicerjane”.

  2. Serbia eshte e rrethuar nga shtete antare te Natos. Çdo budallallek per te filluar lufte per çfardo arsye do çoje ne coptimin e serbise.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *