• |
ide | kryesore

Carmona ngjit Spanjën në çatinë e botës: thyhet Anglia, Wiegman nuk bën më mirë se Southgate

-Instant, Sport, Video
Carmona



Vetëm një vit më parë Spanja ishte në kaos, me eliminimin në çerekfinale të Kampionatit Evropian. Pa harruar edhe rebelimin e disa yjeve të skuadrës ndaj trajnerit Jorge Vilda. Tekniku mbeti në detyrë dhe, dymbëdhjetë muaj më vonë, mund të festojë fitoren në Kupën e Botës për femra në Australi dhe Zelandën e Re. Finalja ndaj Anglisë u mbyll me rezultatin 1-0. Goli i Olga Carmona (28′) ishte vendimtar për Furitë e Kuqe, të cilët dominuan dhe humbën një penallti. Dështon Sarina Wiegman, që anglezët po e mendonin në krye të kombëtares së meshkujve.

“I MBIJETUARI” I NJË VITI MË PARË

Jorge Vilda promovon mes titullarëve talenten Salma Paralluelo (2003), vendimtare si në çerekfinale ashtu edhe në gjysmëfinale si zëvendësuese. Sarina Wiegman, nga ana tjetër, konfirmoi të besuarat e saj. Spanja e nisi menjëherë rrezikshëm, por iberiket rrezikuan shumë në minutën e 15′ kur Hemp goditi traversën. Furitë e Kuqe u përgjigjën me shpejtësi dhe kaluan përpara në minutën e 28′. Bronze humbi topin dhe aktivizoi kundërsulmin spanjoll, me kapitenen Olga Carmona që shënoi golin e avantazhit. Paredes iu afrua dyfishimit të epërsisë, por rasti më i bujshëm erdhi në këmbët e Salma Paralluelo, që goditi shtyllën në kohën shtesë të pjesës së parë.

MONOLOGU IBERIK

Anglezet luajtën me Lauren James, e rikthyer nga pezullimi, por pjesa e dytë ishte një monolog iberik. Jorge Vilda dhe vajzat e tij dominuan në sulm dhe nuk i lejuan asgjë kundërshtareve në mbrojtje. Madje humbën edhe një penallti në minutën e 69′. Earps shpëtoi goditjen e Jenni Hermoso nga pika e bardhë, e akorduar pas një rishikimi të gjatë në VAR. Gabimi nuk e rigjallëroi Anglinë dhe në shtesën e trembëdhjetë minutave, që përkoi me hyrjen e Topit të Artë Alexia Putellas, Earps iu desh të shmangte dyfishimin e Aitana Bonmatí. Dominimi absolut i Spanjës solli titullin e parë botëror për iberikët. Vetëm tetë vjet më parë spanjollet nuk ishin kualifikuar kurrë në një Kupë Bote, tani ato janë kampione bote.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *