• |
ide | kryesore

Zbulohet kush fshihet pas sulmit terrorist në Ankara

Arkiva, Lajme, Të fundit
Ankara



Shpërthimi që ndodhi në hyrje të ministrisë së brendshme të Turqisë në kryeqytetin Ankara ishte një “sulm terrorist” sipas autoriteteve të vendit. “Dy persona mbërritën me një makinë rreth orës 09:30 dhe kryen sulmin duke plagosur dy oficerë”, – tha ministri i Brendshëm, Ali Yerlikaya. Ai tha se një sulmues hodhi veten në erë përpara ndërtesës së ministrisë dhe një tjetër u “neutralizua”.

Një grup i lidhur me militantët kurdë e ka pranuar kryerjen e sulmit. Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) konsiderohet një grup terrorist në Turqi, BE, Britani të Madhe dhe SHBA. Shpërthimi ndodhi në bulevardin “Ataturk” vetëm disa orë përpara mbledhjes së parlamentit që ndodhet në të njëjtën zonë. Nga pamjet e kamerave të sigurisë shihet se si një nga sulmuesit doli nga makina dhe hodhi një eksploziv të vogël në ndërtesën e ministrisë për të shpërqendruar sigurinë.

Sulmuesi i dytë më pas hapi zjarr ndaj rojeve pranë portës së ministrisë, përpara se të shpërthente një bombë të lidhur me trupin e tij. Kur personi i parë u fut me vrap në kompleks, u qëllua menjëherë për vdekje nga policia. Dy oficerë policie u plagosën. Njëri është qëlluar në gjoks ndërsa një tjetër ka pësuar lëndime në të dyja këmbët dhe në sy.

Ministri i Brendshëm u tha gazetarëve se asnjë nga lëndimet nuk ishte kërcënuese për jetën. Një zyrtar i lartë turk i sigurisë i tha BBC-së se sulmuesit kishin rrëmbyer automjetin e tyre të shtunën në Kayseri, një qytet rreth 260 km në jug-lindje të Ankarasë. Mësohet se ata kanë qëlluar për vdekje shoferin e makinës, një veteriner 24-vjeçar që po lëvizte në fshat.

Zyrtari tha se pamjet nga kamerat e sigurisë në Kayseri në kufirin sirian po shqyrtohen për të përcaktuar se nga vinin të dyshuarit. Në fjalimin e tij në hapjen e parlamentit, Presidenti Rexhep Tajip Erdogan e përshkroi sulmin si “fluturimin e fundit të terrorizmit”.

“Njerëzit e poshtër që cenuan paqen dhe sigurinë e qytetarëve tanë nuk ia arritën qëllimit dhe nuk do ta arrijnë kurrë” – tha ai. Militantët kurdë janë nën presion të fortë nga autoritetet, të cilët kanë burgosur liderët e tyre dhe kanë kryer operacione ushtarake kundër bazave kurde brenda Turqisë dhe përtej kufirit në Siri dhe Irak. Bomba e së dielës ishte e para në Ankara që nga viti 2016, kur një valë sulmesh vdekjeprurëse përfshiu vendin. 

Sulmi i fundit në kryeqytet ndodhi në mars 2016 që ishte i pesti në kryeqytetin turk në një vit. Sulmi i fundit i madh në Turqi ishte në nëntor të vitit të kaluar, kur një bombë në një rrugë të populluar në Stamboll vrau 6 persona. Autoritetet turke fajësuan grupet militante kurde në Siri, megjithëse askush nuk e pranoi sulmin. ©LAPSI.al

foto galeri



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *