• |
ide | kryesore

Prapaskena/ Çfarë është skandali i basteve që po trondit futbollin italian

Arkiva, Kryesore, Lajme
italian



Celularët dhe tabletët e 3 lojtarëve të njohur të Serie A janë sekuestruar dhe po analizohen nga hetuesit që duan të verifikojnë biseda apo gjurmë të lëna online. Për momentin, Prokuroria e Torinos ka futur në regjistrin e të dyshuarve emrat e Nicolò Fagioli, Sandro Tonali dhe Nicolò Zaniolo. Megjithatë, lojtarë të tjerë mund të përfshihen në ciklonin e skandalit të basteve që ka përfshirë futbollin italian.

Hetuesit e Torinos kanë dyshime edhe për 7 futbollistë të tjerë megjithëse për momentin nuk ka asnjë konfirmim. Personi që zbuloi skandalin është Fabrizio Corona, dikur një paparac i njohur që u dënua për shantazh dhe tashmë një sipërmarrës. Të premten ai përmendi një emër të katërt, Nicola Zalewski i Romës që ende nuk është nën hetim.

Corona i tha “Corriere della Sera”: “Ka të paktën edhe 10 futbollistë të tjerë, 5-6 agjentë, por ka edhe strofulla klandestine të lojërave të fatit që janë të përfshira”. I konsideruar dikur si “mbreti i paparacëve” pretendon se ka të paktën edhe “5-6 ekipe” të përfshira, por thotë se nuk mund të japë emra pasi mund të paditet. Ai lajmëroi se do të nxjerrë edhe emra futbollistësh të tjerë. “Il Fatto Quotidiano” raportoi se mund të jenë 4 lojtarë të Lazios dhe një ish-lojtar i Interit.

“Unë do të nxjerr edhe emra të tjerë dhe do të zbuloj burimin e lajmit… Ai është xhaxhai i një ish-lojtari të Interit të Mourinhos, një mik i ngushtë i Mario Balotellit. Mario është miku im, ka ardhur shumë herë këtu tek unë. Ai është tronditur nga provat që i kam dhënë. Pas Interit ky lojtar shkoi të luajë në Romë”, – shpjegoi Corona për Corriere. Mes futbollistëve të skuadrës së Interit 2009/2010 ka dy lojtarë që më pas shkuan të luanin në Romë: braziliani Maicon dhe Davide Santon. Ky i fundit kishte luajtur në skuadrën e të rinjve të zikaltërve bashkë me Balotellin. Natyrisht nuk ka asnjë konfirmim se është ai ish-futbollisti të cilit i referohet Corona.

Ai i etiketoi këta lojtarë si “të sëmurë dhe të varur nga bixhozi”. Sipas tij ata shfrytëzohen nga sistemi. “Fillimisht luajnë lojëra elektronike, black jack, pastaj futen në strofkat e bixhozit dhe bëhen viktima të krimit. Unë i di për këto, por do të ketë shumë të tjera”, – shtoi Corona.

Hetimet e prokurorisë

I riu Fagioli ishte i pari që pranoi se ishte bërë pjesë e këtyre basteve të paligjshme. Ai rrëfeu se kishte krijuar varësi ndaj tyre dhe se në lojë ishin shuma marramendëse. Ai mohoi të ketë luajtur për ndeshje të Juventusit. Përveçse ka përdorur platforma të paligjshme ai ka shkelur edhe rregullat që u ndalojnë futbollistëve dhe të afërmve të tyre që të vendosin baste.

Tonali gjithashtu pranoi se vuante nga varësia ndaj lojërave të fatit. Por ai dhe Zaniolo shpjeguan se kishin luajtur vetëm poker dhe blackjack në platformat ilegale. Megjithatë Prokuroria e Torinos nuk është e bindur. Sipas saj ata kanë vënë baste edhe për ndeshjet e futbollit, pavarësisht se ende nuk ka prova që të kenë bërë veprime në fushë për të ndryshuar rezultatin e ndeshjeve. Shumat shumë të larta të basteve konfirmohen edhe nga dokumentet. Në disa raste bastet në platforma të ndryshme dixhitale janë vendosur edhe 1 milion euro. Ai që vendoste shuma të tilla deri tani është konfirmuar vetëm Fagioli.

Kush është Nicolò Fagioli

Ka një audio që qarkullon në WhatsApp ku thuhet se ai është “më i sëmuri nga të gjithë”. Ai bëri një gabim, e pranoi dhe do ta paguajë. Duket vërtet absurde që ai ka pasur kaq pak njerëz rreth tij. Edhe më të dashurit nuk e kuptuan se çfarë po i ndodhte për ta rikthyer në rrugën e duhur. Në fakt, Nicolò është vërtet një njeri paksa i vetmuar jashtë fushës. Ka pak njerëz në krah të tij. Ka një mik që e mban edhe si shofer sepse mesfushori i Juventusit nuk e nget automjetin. Ka edhe të dashurën e tij, por ajo nuk është e pranishme në fotot e tij të fundit në rrjetet sociale. 20-vjeçari italian pranoi menjëherë gjithçka para hetuesve, por mohoi të ketë vënë baste për ndeshjet Juventusit. Ai pranoi të bashkëpunojë, por rreziku i skualifikimit mbetet edhe pse qasja e tij mund të zvogëlojë periudhën e pezullimit. Të paktën ai këtë shpreson.

I lindur në vitin 2001 ai u largua nga shtëpia shumë herët. Në moshën 15-vjeçare ai ishte tashmë një lojtar i Juventusit që e kishte rrëmbyer nga Interi duke shfrytëzuar besimin e tij të transmetuar nga babai i tij, Marco, nga xhaxhai i tij dhe nga të gjithë në familje. Fagioli ka qenë gjithmonë një lojtar i Juventusit dhe realizoi ëndrrën e tij për të luajtur në ekipin e parë. Nëna e tij luan rolin e menaxheres. Në sektorin e të rinjve thuhet se ai luante shpesh me letra me shokët e tij. Luheshin edhe shuma të vogla, por nuk mund të imagjinohet një skenar kaq i keq, për një të ri të talentuar. Zaniolo dhe Tonali kanë vënë gjithashtu në rrezik karrierën e tyre.

Si funksionojnë bastet ilegale

Platformat ilegale të basteve qarkullojnë me ndihmën e rrjetit Telegram. Gazeta “La Stampa” shkruan se pjesëmarrësit grumbullohen nëpërmjet rrjeteve sociale duke iu premtuar se janë të mënyrë të sigurt dhe larg syve të policisë. Telegram i lejon të krijojnë zinxhirë kanalesh që shërbejnë për t’i drejtuar tek ai i duhuri. Kanali është zakonisht privat dhe vetëm administratorët mund të postojnë mesazhe. Bastet hapen zakonisht pasdite. Administratorët ofrojnë dy link-e: një për t’i dërguar një mesazh privat administratorit, në të cilin do të komunikoni se sa dëshironi të vini bast dhe një i dytë që ka udhëzimet. Ju mund t’i dërgoni paratë duke “paguar p.sh. 300 euro për çdo lojë të vetme” ose duke “i lënë atij 10% të fitimeve”.

Rasti Buffon

“La Repubblica” raporton se bashkangjitur dokumenteve të hetimit ka një dosje nga Guardia di Finanza edhe për Gianluigi Buffon. “Në vitin 2006 Buffon u akuzua nga prokuroria e Parmës për përfshirje në baste sportive të paligjshme, në kundërshtim me nenin 4 të ligjit 401”. Është i njëjti ligj për të cilin akuzohen sot futbollistët italianë. Prokuroria kërkoi përjashtimin e tij pasi u konstatua se “shuma e basteve të Buffon arriti në 2 milionë euro”.

Paratë për bastet u kredituan në faqe të specializuara nga një mik i tij nga Parma për të shmangur shfaqjen e drejtpërdrejtë të emrit të lojtarit. Buffon tha se ai kurrë nuk kishte vënë bast për Juventusin apo ekipet e tjera italiane. Por ai pranoi se ishte një lojtar i zjarrtë në sektorë të ndryshëm: kazino, bilardo, kriket dhe se kishte vënë bast për skuadra të huaja dhe disiplina të tjera. Sepse në Itali sipas tij “kjo ishte e mundur të bëhej”. ©LAPSI.al

Lexo edhe: Corona zgjeron skandalin, “spiun” xhaxhai i një lojtari të Inter: “Të përfshirë 10 lojtarë të tjerë e 5-6 menaxherë”



1 Comment

  1. E kam thënë, sa të jetë Ramuti kryeministër në Shqipëri, të tilla lajme do të marim.
    Shkon Ramuti në Itali dhe i ngatërron të gjithë me baste.
    Gjoja takoi Melonin.
    Jo po Shalqinin!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *