• |
ide | kryesore

BIRN: Pasi i mbajti peng 4 muaj, KLGJ u jep magjistratëve 24 orë afat për preferencat

Arkiva, Lajme, Të fundit
KLGJ



Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi 40 vende vakante për magjistratët e rinj, duke lënë jashtë gjykatat e karrierës së Tiranës dhe Durrësit. Magjistratët kanë vetëm 24 orë kohë të aplikojnë për vendet e punës dhe plotësojnë formularët e papajtueshmërisë ambjentale. 

Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi të mërkurën 40 vende vakante për magjistratët e diplomuar në verë të këtij viti. Në mbledhjen që drejtohej nga zëvendëskryetari Ilir Rusi, në mungesë të kryetares Naureda Llagami, KLGJ listoi vendet e lira që përfshinin Gjykatat e Juridiskionit të Përgjithshëm, Shkodër, Kukës, Lezhë, Dibër, Elbasan, Fier, Korçë, Berat, Gjirokastër, Vlorë dhe Sarandë. Ndërkohë dy vende të lira u njoftuan në Gjykatën Administrative të Lushnjes. Në gjykatat e karrierës Tiranë dhe Durrës nuk u njoftuan vende vakante për magjistratët e rinj.

Relatori i projekt vendimit, anëtari i KLGJ-së, Klodian Kurushi tha në fjalën e tij se të 40 magjistratët e diplomuar dhe emëruar, do të caktohen në pozicionet e përhershme “në vendet e paraqitura nga komisioni si pjesë përbërëse e këtij projekt vendimi”.

Por Kurushi pranoi se KLGJ nuk ishte në afate. “Nuk jemi në afatin e duhur kohor”, tha ai duke iu referuar vonesës me gati katër muaj për caktimin e këtyre magjistratëve në detyrë. Kandidatët për magjistratë duhej të ishin caktuar në vendet e tyre që në korrik të këtij viti, siç ndodhi me kolegët e diplomuar si prokurorë. Në shtator, KLGJ u justifikua se para se të caktonte këto vende të lira, duhej të mbyllte procedurat e transferimit të gjyqtarëve aktualisht në detyrë, edhe pse nuk dha një bazë ligjore mbi të cilën bazohej vonesa.

Kurushi tha se për shkak të vonesës së deritanishme, KLGJ duhej të nxitonte me procedurat në vijim. Për këtë arsye, ai propozoi që magjistratëve t’u jepej vetëm 24 orë për të zgjedhur preferencat mes vendeve bosh të caktuara nga KLGJ. Sipas vendimit që u miratua unanimisht, magjistratët duhet të rendisin preferencat për vendet e lira deri të enjten në orën 12.00 të mesditës. Kurushi tha se pas kësaj do të përgatitej relacioni dhe më pas do të procedohej me betimin e magjistratëve të rinj.

40 magjistratët e rinj ishin planifikuar tre vjet më parë si një mundësi për të lehtësuar sadopak sistemin e mbingarkuar gjyqësor në vend që llogaritet se ka 120 mijë dosje stok për shkak të gjyqtarëve të shkarkuar nga vetingu, por ndryshe nga sa pritej, procedurat e emërimit të tyre u zvarritën./BIRN



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *