• |
ide | kryesore

Dosja e SPAK për Berishën dhe Malltezin/ BIRN: Si ndryshuan aksionet e kompanisë në vitin 2014

Arkiva, Lajme, Të fundit
SPAK



Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) mori të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha dhe bashkëshortin e vajzës së tij Jamarbër Malltezi nën akuzën e korrupsionit pasiv, duke akuzuar se kanë përfituar 5.4 milionë euro përmes përdorimit të funksionit publik të ish-kryeministrit, para të dhëna nga biznesmeni Fatmir Bektashi, i cili u mor i pandehur për pastrim parash. Akuza, e cila u bë publike të shtunën përmes arrestimit të Malltezit në aeroportin e Rinasit dhe komunikimit të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” për Berishën, pritet të shkaktojë tërmet politik në Shqipëri.

Berisha, njeriu që ka dominuar skenën politike të vendit për tre dekada, akuzoi prokurorinë se po bën lojë politike, duke aluduar se vendosja e tij nën akuzë lidhet me dëshirën e kryeministrit aktual Edi Rama për të eliminuar opozitën. Ai akuzoi gjithashtu prokurorinë dhe gjykatën se duke vendosur masë sigurie kundër tij pa autorizim nga parlamenti, kanë shkelur Kushtetutën e Shqipërisë.

“Edi Rama mendon se duke angazhuar prokurorinë e tij kundër meje dhe ndaluar familjarët e mi si kundërshtar politik, në momentin kur opozita ka nisur më e vendosur se kurrë betejën pa kthim për rivendosjen e pluralizmit të plotë dhe politik, rikthimin e votës së lirë, dhe shpëtimin e Shqipërisë nga regjimi i narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë, do mund të frenojë, godasë aksionin opozitar,” deklaroi Berisha.

Akuzat

SPAK bëri të ditur në një njoftim për shtyp të dielën se Berisha akuzohet për korrupsion pasiv dhe përfitim, përmes Jamarbër Malltezit, të 5.4 milionë eurove që ky i fundit i ka përfituar si aksioner i kompanisë Homeplan. Sipas prokurorisë, Malltezi ka përfituar aksione dhe dividente nga kjo kompani pa investuar te ajo, gjë që ngre dyshime se aksionet janë dhënë nga Bektashi në shkëmbim të veprimeve shtetërore të ndërmarra nga Berisha në favor të kompanisë, e cila njihet për zhvillimin e një blloku të madh banimi në Tiranë.

“Shtetasi F. B. dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, pasi është pikërisht ai që ka bashkëpunuar me shtetasin J. M. për arritjen e qëllimit, i cili ka qene shfrytëzimi i territoreve sportive për kryerje ndërtimesh. Nëpërmjet shoqërisë “Homeplan” sh.p.k. i ka siguruar shtetasit J. M., dhënien e përfitimeve të paligjshme në shumën totale 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Berisha akuzohet se ka lehtësuar procesin e zhvillimit të zonës në fjalë, të njohur në gjuhën popullore si pallatet Kontakt ose zona e pallateve Libeskind, përmes akteve ligjore dhe nënligjore si dhe përmes ushtrimit të kontrolleve të presionit ndaj institucioneve të ndryshme qeveritare me qëllim përshpejtimin e procedurave. Me pak fjalë, Berisha akuzohet se ka përdorur pushtetin e tij si kryeministër në përfitim të bashkëshortit të vajzës.

“Nga ana e shtetasit S. B., në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, jane kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtëpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi J. M,” thuhet në njoftimin e prokurorisë.

“Nga ana e shtetasit S. B., në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhërave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të shtetasit J. M., bashkëshorti i vajzës së tij,” vijon më tej njoftimi.

“Nga ana e shtetasit S. B., në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive në vendosjen në dispozicion të shtetasit J. M., bashkëshorti i vajzës së tij, të strukturave të ndryshme të administrates shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore,” thotë SPAK.

Berisha iu kundërpërgjigj këtyre akuzave me një numër argumentesh të dhënë në një konferencë për shtyp mbrëmjen e së shtunës. Sipas tij, ai nuk mund të konsiderohet përgjegjës për ndryshimin e destinacionit të një zone që dikur njihej si kompleksi sportiv Partizani për shkak se vendimi për ta nxjerrë atë zonë nga lista e bazave ushtarake (Skuadra e Partizanit ka qenë strukturë e Ministrisë së Mbrojtjes gjatë kohës së komunizmit), nuk është ndërmarrë prej tij. Dhe gjithashtu, sipas Berishës, vendimi për të transformuar këtë truall nga zonë sportive në truall për ndërtim është marrë nga Edi Rama nga pozicioni i tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës në atë kohë.

“Destinacioni i klubit Partizani, nga terren sportiv në truall për ndërtime, është ndryshuar me firmën e Edi Ramës dhe pa propozimin e Sali Berishës,” deklaroi Berisha. Ai gjithashtu hodhi poshtë akuzën se ka realizuar privatizimin e Klubit Partizani në favor të Malltezit duke sugjeruar se procesi i privatizimit kishte nisur nga qeveria e ish-kryeministrit Fatos Nano.

Ai deklaroi gjithashtu se bashkëpronësia e Malltezit në kompanitë zhvilluese të pronës “nuk përbën shkelje” dhe as konflikt interesi pasi Malltezi nuk është pjesë e familjes Berisha në kuptimin e Kodit të Familjes apo ligjit të Konfliktit të Interesit.

“Ajo në gjykatë ka spekuluar në mënyrë të paturpshme me çështjen e ortakërisë së Jamarbër Malltezit me bashkëinvestitorë. Ortakëri e cila në asnjë rast nuk përbën vepër penale dhe nuk ka asnjë lidhje me SPAK-un e partisë,” deklaroi Berisha.

Kompania Homeplan u themelua në vitin 2008 me themelues dhe ortak të vetëm Fatmir Bektashin. Deri në vitin 2018, Bektashi rezultonte pronar i vetëm në kompani, por në këtë vit, një kontratë e vitit 2014 u regjistrua në Qendrën Kombëtare të Biznesit, në të cilën, Bektashi rezulton se ka shitur 60% të aksioneve. Kontrata e shitjes, e depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, tregon se Malltezi kishte blerë 35% të aksioneve të kompanisë përkundrejt vlerës nominale prej 35 mijë lekësh. Kjo duket se ka shtyrë prokurorinë të konkludojë se përfitimi i miliona eurove dividente nga kjo kompani nga ana e Malltezit përbën përfitim të paligjshëm ndërsa skema e shitjes së aksioneve me vlerë nominale përbën mekanizmin e përdorur për fshehjen e transaksionit për pagesën e përfitimit, pra mekanizmin e pastrimit të produkteve të veprës penale.

Kompania Homeplan ka vijuar shitjet deri në vitin 2020. Bilanci i saj tregon se vetëm përgjatë viteve 2019 dhe 2020 ka realizuar shitje me vlerë 2.75 miliardë lekë, me fitime neto prej 310 milionë lekësh. Ajo ka deklaruar bilanc zero për vitet në vijim ndërsa në tetor të këtij viti, aksionerët kanë vendosur likujdimin e saj. Prokuroria vendosi sekuestro edhe për kompaninë Magnet IMO, e cila është nën pronësinë 100% të Jamarbër Malltezit, por ka zero të ardhura për vitet 2021 dhe 2022. Magnet IMO është pronare 50% e kompanisë KONTAKT SHPK & MAGNET IMO SHPK e cila është themeluar në vitin 2020 dhe është zhvilluese e disa pallateve të tjera në të njëjtën zonë. /Reporter.al

LEXO EDHE: Historia e plotë/ Arrest dhëndrit dhe detyrim paraqitje Berishës për “Partizanin”



8 Comments

  1. “Ushtroi presion, vuri shtetin në dispozicion…”/ VOA: SPAK detajon akuzat ndaj ish-kryeministrit Berisha e dhëndrit të tij, Malltezi

  2. Një tufë me të paverteta dhe gjysem te verteta tek shkrimi i birn

    Birn here pas here i jep një dorë ramës kur ka nevojë vertet

    Fakti kryesor eshte qe trualli ishte i pronareve dhe e kishin fitu pas 15 vjet gjyqesh e peripecish
    Pra pse ka bo lek malltezi tek trualli i vet , ka dhënë truallin në kembim të banesave e ambienteve te tjera

    Ok

    Me kete standart duhet ekzekutu rama qeveria bashkitë e ridhjerjes dhe gjithe patronazhistet! Qe vjedhin shesin grabisin shqiptaret

    E verteta eshte ndryshe, eshte presion i rames për opoziten luli eshte pupac por berisha eshte opozitar i vertete

    Askush nuk ka pikë dyshimi që berisha lufton për vete për emrin e tij, por gjithashtu asnjë nuk ka asnjë dyshim që berisha nuk ka për ti lënë në rrugë dhe as ka për tu shit kurrë . Me pak fjalë berisha po na bën një sherbim që.populli kurvë shqiptar nuk e meriton, po bën opozitë dhe po ia shkurton ditët ramës në pushtet.
    I duhet thënë faleminderit, sepse albinin e vjosen nuk i kemi dot këtu

  3. BIRN jo një dorë por dy duart i jep Edi Ramës. Çfarë ka Spaku Malltezin?? Është zyrtar i lartë? Jo.Atehere përse nuk merret prokuroria e shkallës së parë e Tiranës??? Ka marrë fonde publike?? Jo. Ka rritur fitimin? Ok. Kompani private ka. Ka paguar taksat. Pa diskutim. Atëherë ngelet qëllimi politik i lëvizjes së celulës të PS pra Spak të veprojë politikisht si dikur etërit e tyre. Luftë e re klasash për ish pronarët. Dhe Rama që s’ka lënë pasuri publike pa uzurpuar për vete dhe lukuninë e tij këta nuk e shohin!!!

    1. Nuk i kuptoj nqs komentet jane bere nga qytetare te thjeshte. Po ju marrin jeten, ju kane shnderruar ne qenie pa vlere dhe pa te drejta. Ne kete rast u shnderrua nje kompleks sportiv ne nje mal me beton. Nuk ka mbetur ne Tirane asnje ambjent sportiv neper lagje. Duhet te ikesh diku larg me makine dhe te paguash per te luajtur nje sport. Per te bere vrap duhet te shkosh me makine nga liqeni (vetem nje vend ne gjithe Tiranen) dhe te paguash parkimin. E kuptoni qe te drejtat themelore (trotuar, lulishte, ambjent sportiv) aty jane kthyer ne luks?! Te gjithe ne nje vend duhet te shkojne dhe sa me shpjet me mire. S’e kuptoj si mund te mbash nje ane te caktuar kur te gjithe keta te kane shkaterruar jeten?!

      1. 6. Vendim i Qeverisë Nr. 794, datë 21 nëntor 2007, firmosur nga ish-kryeministri Sali Berisha, me objekt: “Kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet dhe procedura e shitjes”, shoqëruar me akte në favor të grabitjes nga dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.

        7. Urdhri nr. 9508, datë 18 dhjetor 2007 i Genc Rulit, nxjerrë 1 muaj pas vendimit të qeverisë, për ngritjen e Komisionit të Vlerësimit të kompleksit “Partizani” me qëllim privatizimin e tij.

        8. Njezetë e tre shkresat që gjeneral Vladimir Qirjazi i ka dërguar ministrave Fatmir Mediu, Gazmend Oketa e Arben Imami dhe 6 shkresat që i ka dërgar kryeministrit Sali Berisha e presidentit Bamir Topi, me refuzimin e privatizimit si akt i paligjshëm e me letra pronësie false.Nje nga pikat e non grada nga shba eshte favorizim i te treteve,dy te tjerat me vone o shpellkare,tani libri kriminal i salihut u hap,mrekullia salih po vjen

  4. SPAK ka marrë si prova, të dhënat nga Arkiva Qendrore, Kadastra dhe Qëndra Kombëtare e Biznesit, lidhur me mënyrën e pëfitimit nga Jamarbër Malltezi, të pronësisë së 33% të truallit dhe ortakërisë së aksioneve 35% në kompanitë “Homeplan Sh.p.k” e “Kontakt Sh.p.k” të kullave me ndërtuesin Fatmir Bektashi.

  5. Shënim: Po flasim vetëm për pasuri të deklaruar. Se pasuri të padeklaruara siç kanë pallatin tek Rruga Mustafa Matohiti, nuk e di se sa mund të kenë.

    Apartament 375 m2, Tiranë
    Apartament 372 m2, Tiranë
    Apartament 346 m2,Tiranë
    Apartament 373 m2, Tiranë
    Apartament 356 m2, Tiranë
    Apartament 201 m2, Tiranë
    Apartament 112 m2, Tiranë
    Apartament 208 m2, Tiranë
    Apartament 128.3 m2, Tiranë
    Njësi 167 m2, Tiranë
    Njësi 305 m2, Tiranë
    Njësi 214 m2, Tiranë
    Njësi 376 m2, Tiranë
    Njësi 113, Tiranë
    Njësi 107 m2, Tiranë
    Ndërtesë 206.5 m2, Tiranë
    Ndërtesë 1467 m2, Tiranë (BP)
    Ndërtesë 565 m2, Tiranë
    Bodrum 18 m2, Tiranë
    Bodrum 28 m2 në Tiranë
    Garazh 16 m2 në Tiranë
    Truall 206.5 m2, Tiranë
    Truall 3294 m2, Tiranë (bashkëpronësi)
    Truall 2330.3 m2, Tiranë (BP)
    Truall 187 m2, Tiranë
    Truall 1341 m2, Tiranë
    Truall 680 m2, Cërrik
    Truall 685 m2, Berat
    Truall 670 m2, Tiranë
    Truall 442 m2, Tiranë (BP)
    Truall 908 m2 në Tiranë (BP)
    Truall 33 m2 në Tiranë (BP)
    Truall 7.5 m2, e ndërtesë 7.5 m2
    Truall 660 m2, Tiranë, (BP)
    Truall 90 m2 në Tiranë (BP)
    Tokë arë 2270 m2, Priskë të Madhe
    Tokë arë 3 000 m2, Priskë të Madhe

    Marrë me shkurtime nga profili i autorit në FB

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *