• |
ide | kryesore

Në derbi “ishte fati”, me Egnatian “dëmtimi i Lulaj”: Ahmataj gjen justifikimin e ri për humbjen e dytë

-Instant, Sport
Ahmataj



“Ajo që vendosi ndeshjen ishte dëmtimi i Lulajt, se u prish rreshtimi dhe u desh të improvizonim me lojtarët. Jemi të mërzitur se kemi humbur 3 lojtarë pas derbit dhe tani përsëri 3 lojtarë, se nuk e dimë gjendjen e Filipit dhe Lulaj ka pësuar tërheqje. Në futboll duhet ta pranosh këtë gjë”. Julian Ahmataj gjen një justifikim të ri, pas mungesës së fatit në derbin me Partizanin. Kundër Egnatias për trajnerin vendosi dëmtimi i Lulajt. Rrogozhinasit në fakt përmbysën bardheblutë 2-3 me një dygolësh të Dwamena.

Tekniku që zëvendësoi Orges Shehin, që vazhdon të jetë i pezulluar dhe të paguhet nga Tirana, e quan një moment jo, që duhet pritur të kalojë: “Futbolli është me momente, janë periudha, nuk ke çfarë i bën – tha Ahmataj -. Nuk mund të merresh me fatin, por përgatitesh me punë. Ajo çfarë u punua u zbatua me përpikmëri. Kishim përballuar Egnatian në pjesën e parë derisa Lulaj doli nga mekanizmi, se nuk është njëlloj kur një lojtar krahu bën qendërmbrojtësin, ka cilësi që e bëjnë. Nuk e vendosja dot Micin në qendër se humbnim shtatlartësi se aty Egnatia kishte Paulauskas e Dwamena”, sqaroi Ahmataj pas ndeshjes.

TETOVA: KUR I RRAHËM NË KUPË ISHTE MË BUKUR

“S’është çështje mallkimi, ne e rrahëm në Kupë dhe është më mirë sesa të fitosh në kampionat, këto ndeshje kaq të bukura nuk mund të luhen në këto fusha. Morëm dy gola nga episode, nga topa të vdekur. Pas pjesës së parë ndryshuam modulin në sulm dhe falë aftësive të Rafa shënuam gola”. Edlir Tetova i gëzohet triumfit të skuadrës së tij, që vazhdon të kryesojë kampionatin, pas fitores me përmbysje ndaj Tiranës. Tekniku i Egnatias është ankuar për fushën, shkaktare edhe për dëmtimin e Spahiut: “Terreni nuk na lejoi të vertikalizonim. Në fund na u dëmtua Spahiu bëmë ndërrimin. Nuk mund të rrezikonim sepse doja të merrnim tranzicionin. Na morën pak mesfushën por çdo lojtari i vjen për shtat të zbresë poshtë për të mbrojtuar rezultatin. Sidomos kur luan me Tiranën”.

Lexo më tej: Video/ Dwamena dygolësh e përjashtim, Egnatia përmbys Tiranën: humbja e dytë radhazi e Ahmataj

Tetova e shpjegoi thjesht përballjen me skuadrën e Ahmataj: “Kishim dy tabllo, në pjesën e parë një Tiranë më të mirë, ishte më superiore. Dhe në pjesën e dytë gjithçka foli për ne, përveç në 10 minutat e fundit. Ishim të detyruar të lëviznim Aleksin për shkak të dëmtimit të Malotës, dhe Janku nuk ishte mjaftueshëm mirë”, tha tekniku i rrogozhinasve.



1 Comment

  1. Pashe pjesen e pare te lojes, zhgenjyese, tirana ska ide e ska takat. Pastaj e fika TV e shkova ne punen time.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *