• |
ide | kryesore

Anulohet tenderi 3.9 milionë euro për Ulzën/ Asnjë ofertë e përshtatshme

Lajme, Të fundit



Një projekt me një fond të përafërt prej 3.9 milionë euro që parashikon transformimin e parkut natyror të liqenit të Ulzës dhe zonës përreth tij ka hasur në ngërç.

Pas shpalljes së procedurës mes të shtatorit nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe mbylljes së tenderit në fund të të njëjtit muaj, dy operatorë u ankimuan në KPP duke kërkuar shfuqizimin e vendimit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave që kishte skualifikuar ofertën e tyre.

Bëhet fjalë për bashkimin e operatorëve ekonomikë “Fusha” SHPK & “Ulza” SHPK. Por Komisioni i Prokurimit Publik pasi ka analizuar pretendimet ka vendosur që të lërë në fuqi vendimin e marrë nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave duke bërë publik këtë në 2 nëntor 2023.

Teksa pas kësaj pritshmëria është për vijimin e hallkave të tjera të procedurës duket se Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka vendosur të anuloje tenderin ose të paktën kështu rezulton në sistemin e Agjencisë së Prokurimit Publik procedura me objekt “Projekti i Zbatimit për Parkun Natyror Liqeni i Ulzës dhe Zona Përreth tij”. Shënimi që shoqëron këtë vendim të ministrisë është “nuk është paraqitur asnjë ofertë e përshtatshme në procedurat me një fazë”. Kjo lë të kuptohet se prokurimi do të rihapet në një fazë tjetër.

Projekti për liqenin e Ulzës

Në dokumentet e saj qeveria pranonte se zona e Ulzës ka pasur investime private të shumta që tashmë duhet që shteti t’u përgjigjet me infrastrukturë dhe krijimin e elementëve shtesë që rrisin vlerën e rajonit.

“Në këtë kontekst në analizën hapësinore të projektit të zbatimit është identifikuar nevoja për ndërhyrje përmirësuese në pjesën e bregut të liqenit poshtë qytezës duke krijuar kështu një hapësirë të sistemuar dhe një shëtitore të përshtatshme me panoramën turistike liqenore. Propozimi konsiston në krijimin e një shëtitoreje përgjatë të gjithë buzës së liqenit të kombinuar me mole për varkat apo për stacion për plazh.

Kjo strukturë do të funksionojë si elementi më dinamik turistik në qendrën e Parkut ku vizitorët do të kenë mundësi të shijojnë nga afër liqenin por edhe të jenë pranë shërbimeve turistike të nevojshme” thuhej në dokument.

I njëjti nënvizonte se pjesa e investimeve është menduar të vijojë me qytetin e Ulzës ku do të zbatohet ndërtimi i një strukture për pritjen e vizitorëve. Nga pikëpamja funksionale kjo strukturë do të ketë mundësi të ofrojë informacion të nevojshëm për Parakun Natyror por edhe hapësira të nevojshme shërbimi.

Në liqenin e Ulzës nga ana tjetër është menduar të shfrytëzohet potenciali që ofron ai lidhur me aktivitete të ndryshme turistike përfshirë lundrimin me varka, shëtitjet me kajak, noti, peshkimi.

Përgjatë korridorit të Shkopetit referuar dokumenteve janë parashikuar pika qëndrimi panoramike dhe parkime, dy stacione varkash, dhe stacione kampingu dhe kamerash.

Projekti parashikon në tërësi ndërhyrje në shëtitore plotësimin me stola druri, ndërtimin e njësive akomoduese turistike me dru dhe miqësore me mjedisin, tre kulla për vëzhgim mbi 19 metra të larta. Të gjithë këto të pozicionuara në zona të ndryshme të asaj që sot është Parku natyror i Liqenit të Ulzës./MONITOR



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *