• |
ide | kryesore

Misteri/ Zhduket pa gjurmë në burg Alexey Navalny

Arkiva
navalny



Shqetësimi po rritet për fatin e Alexey Navalny i dënuar me 19 vjet burg. Kundërshtari më i njohur i Vladimir Putinit, i cili ka qenë gjithmonë armiqësor ndaj qeverisë së Moskës, është “zhdukur” duke rritur shqetësimin për sigurinë e tij. Prej ditësh avokatët nuk kanë mundur të flasin dot me të dhe prej një jave ai nuk po lidhet dot me stafin e tij. Ky është një detaj mjaft shqetësues në ditët kur rrjeti i tij i disidentëve ka nisur një fushatë për të bojkotuar zgjedhjet e marsit dhe fitoren e pritshme të “Carit”.

“Alexey është zhdukur prej 3 ditësh” – raportoi të premten vonë shefja e departamentit të hetimit të Fondacionit Kundër Korrupsionit të Navalny, Maria Pevchikh. “Avokatët qëndruan gjithë ditën përpara IK-6, burgut të tij aktual dhe IK-7, një koloni e regjimit special në rajonin e Vladimirit. Kudo u thanë të prisnin, por në fund ua refuzuan hyrjen” – tha ajo.

Atë mëngjes, Navalny duhej të dilte në gjykatë me anë të një video-lidhjeje, por gjithçka u anulua. Zyrtarisht u tha për shkak të problemeve me rrjetin elektrik të burgut, të cilat janë ende të pazgjidhura deri më sot. Por nuk është vetëm kjo.

“Mësuam se Alexey kishte një problem të rëndë shëndetësor. Jeta e tij është në rrezik”, – tha më tej Pevchikh. “Javën e kaluar ai është ndjerë keq në qeli. I është marrë mendja dhe është shtrirë në dysheme. Stafi ka ndërhyrë duke i dhënë ndihme. Nuk e dimë se çfarë iu dha, por duke qenë se ai nuk po ushqehet, po mbahet në një qeli izolimi pa ajrim, duket se i ra të fikët nga uria” – tha ajo.

Në ditët pas kësaj ngjarjeje dukej se po vazhdonte normalisht. “Avokatët e panë, ai u ndje më mirë. Por tashmë është dita e tretë që nuk e dimë se ku është. Dhe nuk ka pasur asnjë letër prej tij për gjithë javën”, – shprehet më tej Pevchikh.

Navalny është në burg prej gati 3 vitesh. Rrjeti i tij nisi këtë javë nismën “Rusia pa Putin”. Organizatorët i kërkojnë çdo qytetari që “të bindë të paktën 10 persona të votojnë kundër Putinit”. “Rezultatet e votimit do të falsifikohen, por detyra jonë është t’u tregojmë të gjithëve se Rusia nuk ka më nevojë për Putinin. Zgjedhjet e vitit 2024 do të jenë një referendum për miratimin e veprimeve të tij, për miratimin e luftës” – u shprehën ata. ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *