• |
ide | kryesore

Studimi i BIRN: Përqëndrimi i mediave në pak pronarë rrezikon lirinë e shprehjes në Shqipëri

Arkiva, Lajme, Të fundit
Mediave



Rrjeti Ballkanik i Gazetarëve Investigativë (BIRN) dhe Regjistri Global i Medias (GMR) publikuan sot Monitorin e Pronësisë së Mediave në Shqipëri për vitin 2023. Monitori vërejti një përqëndrim të madh të pronësisë, ndjekësve dhe të ardhurave tek disa grupe familjesh, të cilat mbizotërojnë tregun mediatik. Në raport vlerësohen si tregues me rrezik të lartë – përqëndrimi në pak duar i tregut të medias, i pronësisë dhe ndjekësve të medias, prej nga rrezikohen kontrolli politik, pluralizmi dhe neutraliteti i medias.

Autorët pohuan për Zërin e Amerikës se ky përqëndrim i madh cënon lirinë e shprehjes dhe demokracinë në tërësi. Sipas Monitorit të Pronësisë së Medias këtë vit në Shqipëri, afro 87% e shikueshmërisë arrihet nga 4 pronarë televizionesh, familja Frangaj me TV Klan, familja Hoxha me TV Top Channel, familja Hysenbelliu me TV NEWS24 dhe Carlo Bollino me Report TV.

Në Shqipëri punojnë katër transmetues televizivë kombëtarë, një publik dhe tre privatë. Televizioni publik ka 16 kanale televizive rajonale dhe tematike. Veprojnë po ashtu 37 stacione televizive vendore dhe 21 kanale kabllore. Megjithatë ndjekësit dhe të ardhurat janë përqëndruar tek 4 televizionet më të mëdha. Në raport theksohet se shumica e mediave janë nën pronësinë e një grushti familjesh të fuqishme, ndërsa pjesa tjetër janë të lidhura ngushtë me biznesmenë që veprojnë në tregje shumë të rregulluara, si ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme, teknologjia e informacionit, bankat apo lojërat e fatit.

“Kemi gjetur se ka një ndikim të lartë politik mbi grupet mediatike, që kontrollojnë shumicën e audiencës. Virtualisht të gjithë grupet mediatike, më saktë 98,34 për qind, të medias audiovizive në Shqipëri kanë biznese të tjerë, të cilat marrin para nga qeveria nëpërmjet kontratave, koncensioneve, ose kanë lidhje me grupime politike shqiptare. Shumica e mediave kryesore online janë pjesë e mediave audiovizive tradicionale dhe ritransmetojnë lëndën e tyre”, – thotë për Zërin e Amerikës drejtuesi i këtij hulumtimi, kryeredaktori i BIRN-it në Shqipëri, Besart Likmeta.

Sipas Monitorit të Pronësisë, Shqipëria ka 6 radio kombëtare; 3 publike dhe 3 private. Në vend punojnë 52 radio rajonale dhe 1 radio publike, por vetëm 9 për qind e shqiptarëve dëgjojnë programe radiofonike, edhe pse një pjesë e konsiderueshme e tyre janë në pronësi të atyre që kanë edhe tv-të më të mëdha.

“Në Shqipëri pluralizmi i medias është i ndikuar. Pak njerëz kontrollojnë informacionin dhe ata janë të ndikuar politikisht. Ata marrin materiale të gatshme të prodhuara nga propaganda qeveritare dhe i transmetojnë pa i identifikuar si të tilla. Nga ana tjetër zërat e pavarur dhe grupime e pavarur, grupe të margjinalizuara apo pakica, nuk gjejnë vend për t’u shprehur në hapësirën mediatike shqiptare, dhe kjo e dobëson demokracinë dhe lirinë e shprehjes në vend. Bashkë me pluralizmin sakrifikohet edhe liria e shprehjes”, – thotë zoti Likmeta.

Në raport thuhet se mediat online janë zhvilluar shumë, afro 82% e shqiptarëve përdorin mediat sociale për t’u informuar çdo ditë pjesa dërrmuese facebook, dhe afro 70 për qind e shqiptarëve përdorin media online çdo ditë. Në vend janë regjistruar 900 portale lajmesh, ndërsa 1.8 milionë vendas janë përdorues të Facebook-ut. Të dhënat e fundit tregojnë se mediat sociale po ia kalojnë televizioneve në zgjedhjen e publikut si burim kryesor informimi.

Kundrejt 82% e shqiptarëve që pwrdorin mediat sociale, 75% e njerëzve në Shqipëri përdorin televizionin çdo ditë ose pothuajse çdo ditë dhe 13% të paktën një herë në javë. Hulumtimi nga BIRN dhe GMR flitet me shqetësim mbi ngushtimin e pluralizmit mediatik, mbi përqëndrimin e mediave në pak duar si dhe mbi interesat politike, që ndikojnë politikat editoriale të tyre.

​“Ajo që më tërhoqi vëmendjen është se nga 12 tregues rreziku mbi pluralizmin mediatic dhe për shëndetin e mjedisit mediatic 8 prej tyre ishin të kuq, me rrezi shumë të lartë, dhe 4 ishin me rrezik mesatar. Kjo tregon për situatën e vështirë dhe shumë sfiduese për lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes, si dhe për punën e gazetarëve të pavarur e cilësorë në Shqipëri. Ka një marrëdhënie simbiotike mes pronarëve të medias dhe biznesit dhe politikës dhe se si media është përdorur dhe përdoret për të shtyrë përpara interesa të caktuara ekonomikë, financiarë dhe politikë”, – thotë Blerjana Bino drejtuese e Qendrës SCIDEV dhe përfaqësuese e organizatës “Safejournalists”.

Në treg janë tetë gazeta ditore, duke përfshirë një gazetë sportive, një revistë javore biznesi dhe një numër revistash mujore. Për tirazhet e tyre nuk ka të dhëna zyrtare, por bëhet fjalë për disa mijëra kopje që shiten çdo ditë. Mbi 71% të publikut të shtypit të shkruar e zotërojnë dy pronarë, thuhet në raport; afro gjysmën e tyre e mbulon Focus Group me botuese e gazetave të përditshme Panorama, Panorama Sport dhe Gazeta Shqiptare. Po shtypi i shkruar përdoret si burim informacioni nga vetëm 4% e popullsisë çdo ditë.

“Transparenca mbi pronësinë e medias është thelbësore për lirinë e medias. Kjo është pjesa kryesore e informimit, që lidhet me pavarësinë editorial, si dhe me saktësinë e të dhënave në lajme. Mbështetja e projekteve të tillë ndihmojnë në forcimin e lirisë së mediave dhe luftën ndaj disinformimit, gjatë procesit të integrimit europian. Liria e shtypit zë një vend kryesor në procesin e zgjerimit të BE-së, nda gjithë vendet që aspirojnë anëtarësimin duhet të shfaqin angazhimet për të siguruar lirinë e shprehjes”, tha në tubim ambasadori i ri Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato.

Raporti i BIRN-it përmend edhe sulmet ndaj mediave, si ai kur u vra roja i TV Top Channel me armë zjarri, më tej dhunën fizike ndaj gazetarëve të programit Fiks Fare, si dhe ndaj gazetarit Elvis Hila e bashkëshortes së tij. “Monitori për Shqipërinë” flet për një dyfishim të incidenteve ndaj gazetarëve këtë vit krahasuar me një vit më parë, sulme verbale, kërcënime e kanosje, mes të cilave renditen sulmi i kryebashkiakut Erjon Veliaj ndaj gazetares Ola Xama, si dhe ndalimi prej kryeministrit Rama i gazetarëve Ambrozia Meta dhe Klevin Mukaj për të ndjekur konferencat e shtypit, si dhe kontrolle e presione jodrejtpërdrejt ndaj disa mediave.

Monitori i pronësisë së Medias shkon në një kahje me raporte të tjerë ndërkombëtarë lidhur me vështirësitë e gazetarëve shqiptarë. Edhe sipas një raporti të organizatës “Reporterë pa Kufij”, mediat shqiptare janë të ndikuara nga interesat ekonomike dhe politike të pronarëve, emërimet në mediat publike dhe rregullatorë janë të politizuara, ndërsa gazetarët kritikë ndaj qeverisë u nënshtrohen sulmeve politike dhe fushatave të shpifjeve. /VOA



4 Comments

  1. Dhe cfar pronaresh..shefat e miellit dhe tw korrupsionit. Tv lkombetare lavatrice te medha parash. Besoj e din mir dhe ambasada

  2. Edhe per pak, mos u merzisni do e coi ne origjine., me shtypin e TV, shoqatat e pa varura i ka rruposur, institucionet e pushtetit nen sqetull, mafiozet e drogmenet ne vllazeri e shoqeri, tradheti, pa besi, e ku ta kapesh me pare monstren kryeministrore.Ne se, ka njerez qe se kane kuptuar se kush i drejton e saboton, apo i rrjep e vjedh me darie e kerrnete, ua theme ,, ky eshte Rama e sekti tije, kjo jo per patronazhistet, aktivistet, servilet, te shiturit e tradhtaret, por,,,,,,, per SHQIPTARET.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *