• |
ide | kryesore

Tifozi që u bë president i Hertha Berlin humb jetën papritur: nuk dihet çfarë i ndodhi 43 vjeçarit Bernstein

F1, Sport
Bernstein



Një humbje e rëndë goditi botën e futbollit gjerman. Presidenti i Hertha Berlin, Kay Bernstein ndërroi jetë në moshën 43-vjeçare. Lajmin e bëri të ditur vetë klubi kryeqytetas në një deklaratë zyrtare ku kërkon respektimin e privatësisë së familjes.

“Hertha Berlin qan humbjen e Kay Bernstein. Të martën e sotme Hertha Berlin mori lajmin e tmerrshëm se presidenti Kay Bernstein u nda nga jeta papritur në moshën 43-vjeçare. I gjithë klubi dhe punonjësit e tij kanë mbetur të hutuar dhe thellësisht të tronditur. Familja e Hertha Berlin është shtrënguar tashmë rreth familjes, miqve dhe shokëve të tij në këtë kohë të vështirë. Klubi kërkon që të respektohet privatësia e familjes pas kësaj ngjarjeje të tmerrshme”.

KUSH ISHTE KAY BERNSTEIN?

Bëhet fjalë për një sipërmarrës gjerman dhe president i klubit të futbollit Hertha Berlin, i cili lindi në Erzgebirge 43 vjet më parë. Bernstein u rrit fillimisht në Dresden dhe më pas në Berlin-Marzahn. Pasi ndoqi kursin e instaluesit elektrik, ai filloi të punojë si mekanik industrial në sektorin e impianteve.

Në vitin 2004, ai filloi një praktikë në Radio Energy, një kompani radiofonike private shumë e zhvilluar në të gjithë Evropën, ku qëndroi deri në vitin 2010, duke marrë rolin e menaxherit të eventeve, gjë që e bëri atë të bëhej përfundimisht një profesionist i lirë. Bernstein ishte shumë i rezervuar. Për jetën e tij private dihet vetëm se ai ishte i lidhur në mënyrë romantike dhe të përhershme me një grua me të cilën kishte një vajzë.

Për momentin nuk dihet ende shkaku që çoi në vdekjen e Bernstein. Në ditët në vijim do të kuptohet më qartë se çfarë çoi në humbjen e tij të papritur.

NGA TIFOZ NË PRESIDENT TË HERTA BERLIN

Kay u zgjodh president gjatë verës së vitit 2022 befasisht. Në fakt, deri në atë moment Bernstein ushtronte një lloj tjetër profesioni dhe ishte vetëm një drejtues ultras, themelues i grupit të organizuar mbështetës të quajtur “Harlekins Berlin 98”. E pikërisht duke udhëhequr pakënaqësitë e tifozëve me drejtimin e klubit, ai kandidoi për pasardhësin e Werner Gegenbauer.

43-vjeçari ishte pronar i një agjencie komunikimi dhe marketingu dhe falë kësaj ai i kishte bindur shumë shpejt aksionarët të votonin për të. Kështu, në mënyrë të papritur, ai përfundoi me 55% të votave në raundin e parë, duke mposhtur konkurrencën e politikanit Frank Steffel.

Që kur u bë numri 1 i Hertha Berlin, ai ishte fokusuar totalisht në këndvështrimin e tifozëve, duke kritikuar shpesh sistemin aktual të futbollit profesionist. Një nga objektivat e tij si president i klubit, për shembull, ishte të minimizonte varësinë nga të ardhurat e televizionit ose të luftonte për një tavan mbi pagat. Pa harruar betejën për t’u rikthyer në orarin e nisjes së ndeshjes në 15:30 të shtunën.

Mesazhi i tij i fundit për tifozët, i shkruar në natën e ndërrimit të viteve, ishte plot shpresë për kampionatin në vazhdim. Në fakt, Bernstein shpresonte që viti 2024 do të sillte më shumë forcë për t’i bërë lojtarët dhe tifozët të ëndërrojnë, por edhe për të arritur objektivat e vendosura nga klubi.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *