• |
ide | kryesore

Serwer: SHBA dhe BE duhet ta lejojnë Kosovën që të zbatojë ligjet e saj

Arkiva, Lajme, Të fundit



SHBA-ja dhe BE-ja, siç duket, nuk kanë kufizime se çfarë i kërkojnë Kosovës dhe nuk kanë kufizime për qasjen e pabalancuar që kanë ndaj dy shteteve, ka thënë Daniel Serwer, ekspert i zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor. Në intervistën dhënë emisionit “Interaktiv” të KTV-së, Serwer ka thënë se kjo gjë u është bërë shprehi SHBA-së dhe BE-së.

“Çdo gjë që Kosova vendos, SHBA-ja dhe BE-ja ose e kundërshtojnë, ose kërkojnë shtyrje të atij vendimi. Kjo qartazi është një politikë jobalancuese që nuk po funksionon dhe pjesërisht është shkaktar i ngërçit në dialog”, ka thënë eksperti amerikan.

Ai është skeptik se do të jetësohet shpejt Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe. Ai ka sqaruar se kur Kosova u pajtua për një gjë të tillë, është pritur që në kthim të kësaj do të kishte një njohje të validitetit të Kushtetutës së Kosovës nga ana e Serbisë në të gjithë territorin e Kosovës dhe në veçanti njohje të sistemit juridik.

Serwer në intervistën për KTV ka folur edhe për zgjedhjet që do të mbahen në SHBA. Ai beson se presidenti i tashmë Joe Biden do ta fitojë edhe një mandat. Por, nëse ndodh që të fitojë ish-presidenti Donald Trump, atëherë, sipas tij, kjo do të ishte fatkeqësi për Ballkanin.

KOHA: Zotëri Server. Le t’ia nisim kësaj interviste me zbarkimin e fundit të emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, i cili qëndroi në Serbi e po ashtu në Kosovë këtë javë. Ju shpesh e keni kritikuar Bashkimin Evropian për përdorimin e një qasjeje jobalancuese në dialogun Kosovë-Serbi. Si i lexuat ju porositë që ai dha në vizitën e tij të fundit në Ballkan?

Serwer: Unë ende s’po shoh një politikë të balancuar evropiane. Evropianët po vazhdojnë me të ashtuquajturat pasoja ndaj shtetit të Kosovës, të cilat janë tërësisht jo të duhura. Policia e Kosovës, që ishte kërkuar të tërhiqej nga veriu, e bëri punën e saj në mënyrë profesionale dhe në mënyrë objektive më 24 shtator. Kryetarët atje nuk paraqesin ndonjë problem serioz. Ata janë kryetarë joserbë, të cilët janë duke shërbyer në atë çka mendoj se është një mandat i përkohshëm në veri të Kosovës. Dhe sinqerisht, Asociacioni i Komunave me Shumicë serbe nuk duket të jetë diçka që Prishtina është e gatshme ta zbatojë tani për tani. Kur Kosova u pajtua për një gjë të tillë, pala kosovare po ashtu u mor vesh që në kthim të kësaj do të kishte një njohje të validitetit të Kushtetutës së Kosovës nga ana e Serbisë në të gjithë territorin e Kosovës dhe në veçanti njohje të sistemit juridik. Dhe një gjë e tillë nuk është zbatuar po ashtu dhe këtu unë e shoh ngërçin. Kështu që nuk e shoh ndonjë ndryshim të madh në perspektiven e dialogut dhe Serbia e ka bërë mjaft të qartë se ata nuk do të zbatojnë atë çfarë nuk u pëlqen nga marrëveshjet e muajve shkurt dhe mars.

KOHA: I dërguari i Bashkimi Evropian e pranoi dje këtu në Prishtinë se procesi i normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë ka pasur pak progres. A është kjo një shenjë që dialogu i Brukselit po shkon në një rrugë pa krye?

Serwer: Nuk do ta quaja një rrugë pa krye, sepse mendoj se ekziston ende mundësia për të pasur një dialog konstruktiv. Dhe drejtimi i duhur është rruga drejt zbatimit të marrëveshjeve, pas të cilave fitojnë të dyja vendet. Siç e kemi parë me zbatimin e marrëveshjes për targat, marrëveshjen për energjinë, aty ka pasur progres. Por vështirësitë në dialog kanë nisur që në vitin 2013, me Marrëveshjen e Brukselit dhe dialogun politik që pasoi dialogun teknik dhe me disa marrëveshje që nuk u zbatuan asnjëherë. Pra, nëse do të pyetesha se ku duhet të jetë dialogu sot, unë do të thosha të ecë tutje drejt marrëveshjeve teknike në të cilat përfitojnë të dyja vendet dhe një përpjekje të vërtetë për të zbatuar gjithçka që është dakorduar. Kjo do të ishte shpresa për të ndryshuar ambientin në dialog.

KOHA: Ka çështje më të vogla sikurse çështja e targave dhe energjisë që kanë gjetur zgjidhje dhe së fundmi ne kemi edhe një vendim të institucionit të pavarur – Bankës Qendrore të Kosovës që ka ndaluar dinarin me euron si valutë të vetme në Kosovë. Si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar nga Prishtina që ta ndryshojnë vendimin, por sot Banka Qendrore e Kosovës tha se kjo nuk është çështje politike dhe vjen nga një institucion i pavarur. Po ashtu kryeministri Kurti tha që ai nuk ka të bëjë me këtë vendim, i cili është marrë nga një institucion i pavarur dhe se ai nuk dëshiron ta vendosë këtë çështje në agjendë të dialogut të Brukselit. Çfarë qëndrimi mbani për këtë çështje?

Serwer: Më pëlqen ajo çfarë po thotë Banka Qendrore. Nuk jam 100 për qind i sigurt se është i vërtetë fakti që Qeveria e Kosovës ishte kundër këtij vendimi dhe s’jam i sigurt nëse do të zbatohet. Por, e dini, çështja këtu është që Kosova e përdor euron si valutë të saj dhe dinari nuk po ndalohet. Njerëzit prapë mund ta përdorin dinarin, por që transaksionet duhet të bëhen vetëm me monedhën euro. Dhe thënë të drejtën, unë e kuptoj një vendim të tillë. Euroja është një valutë më e qëndrueshme sesa dinari. Askush nuk humb para përveçse kur bëhet këmbimi i parave dhe sinqerisht përdorimi i dinarit në Kosovë është një shkelje e sovranitetit të Kosovës.

Mund ta kuptoj se 15 vjet pas pavarësisë banka e sheh si kohë të përshtatshme për të zbatuar ligjin. Kjo nuk është një çështje e madhe, por një gjë e vogël, që ka një rëndësi simbolike për çështjen e sovranitetit.

KOHA: Por si po e shihni pra kërkesën qoftë nga SHBA-ja dhe BE-ja për ta shtyrë zbatimin e kësaj rregulloreje të Bankës Qendrore të Kosovës?

Serwer: SHBA-ja dhe BE-ja siç duket nuk kanë kufizime se çfarë i kërkojnë Kosovës, dhe nuk kanë kufizime për qasjen e pabalancuar që kanë ndaj të dy shteteve. SHBA-së dhe BE-së u është bërë shprehi kjo gjë. Çdo gjë që Kosova vendos, SHBA-ja dhe BE-ja ose e kundërshtojnë, ose kërkojnë shtyrje të atij vendimi. Kjo qartazi është një politikë jobalancuese që nuk po funksionon dhe pjesërisht është shkaktari i ngërçit në dialog. SHBA-ja dhe BE-ja duhet të sprapsen dhe të lejojnë një shtet sovran që t’i zbatojë ligjet e saj.

KOHA: Ju po thoni se SHBA-ja dhe BE-ja kanë qasje të pabalancuar ndaj Kosovës dhe Serbisë, por e kemi parë pikërisht këtë javë Jim O’Brien, ndihmëssekretarin amerikan për Evropë dhe Euroazi, që i bëri thirrje Serbisë që t’i mbajë përgjegjës të gjithë individët e përfshirë në sulmin e Banjskës më 24 shtator. A nuk tregon kjo thirrje një qasje balancuese?

Serwer: Sigurisht se është një qasje e duhur, por nuk jam i sigurt që do ta përshkruaja si balancuese. Por edhe këtu ka një shkelje të sovranitetit të Kosovës. Ajo që ndodhi më 24 shtator ishte në territorin e Kosovës. Kryerësit duhet të mbahen përgjegjës në gjykatat e Kosovës. Tani, thuajse secili e ka pranuar nocionin se “Serbia duhet t’i mbajë përgjegjës”. Serbia vetëm duhet t’i arrestojë ata dhe nuk kam asnjë pikëpyetje për këtë gjë dhe ani pse nuk ka një marrëveshje të ekstradimit, Serbia duhet t’ua dorëzojë këta persona autoriteteve të Kosovës. Këtë unë do ta quaja marrëdhënie të mirë fqinjësore.

KOHA: Në fakt autoritetet e Kosovës kanë kërkuar që këta individë të mbahen përgjegjës në sistemin gjyqësor të Kosovës, porse nuk po ekstradohen nga Serbia. Në anën tjetër, Perëndimi po thotë se po pret rezultatet nga hetimi i plotë i rastit dhe ka pasur hamendësime në raste për t’i dhënë porosi të forta Serbisë për këtë rast. Si ta kuptojmë këtë qasje të Perëndimit ndaj Serbisë nëse e shohim këtë nga distanca?

Serwer: Kjo është pjesë e politikës përkëdhelëse. Perëndimi e di shumë mirë se çfarë ka ndodhur më 24 shtator dhe këtë gjë e ka ditur për muaj tashmë që Beogradi zyrtar është përgjegjës për trajnimin, ndihmën dhe planifikimin e aktit terrorist. Fakti që raporti zyrtar për 24 shtatorin është shtyrë, është për shkak të tyre. Po e shtyjnë qëllimisht duke shpresuar që me këtë të blejnë bashkëpunimin serb për t’i mbajtur përgjegjës njerëzit e përfshirë. Kjo gjë nuk po funksionon. Dhe çfarë duhet të ndodhë këtu nëse marrëdhëniet e mira fqinjësore do të mbretëronin, është që Serbia me vullnetin e saj do t’i arrestonte dhe transferonte në Kosovë këta njerëz. Dhe kjo gjë, jo për faktin që s’ka marrëveshje ekstradimi mes të dyja vendeve apo që nuk ka obligim ligjor, porse ka një obligim moral dhe Kosova duhet t’i ndjekë penalisht këta persona. Por kjo gjë nuk do të ndodhë, dhe Perëndimi do të vazhdojë të kërkojë që Vuçiqi t’i mbajë përgjegjës këta persona në Serbi. Ai nuk do ta bëjë këtë gjë. Radoiçiq është njëri nga shokët e tij. Nuk do ta bëj një gjë të tillë. Vuçiqi do të vazhdojë të kthehet kah lindja dhe të shpresojë se Brukseli dhe Uashingtoni do të sprapsen nga kërkesat e tyre.

KOHA: Por zotëri Server, jo vetëm kritikët sikurse jeni ju, por edhe vetë ndërmjetësuesit siç është i dërguari i BE-së po thonë se ka pak progres në dialog, disi duke e pranuar që dialogu nuk po sjell rezultate. Pra nëse kemi dialogun e Brukselit që nuk po sjell fryte për të arritur dhe zbatuar në tërësi një marrëveshje, atëherë kur dhe si mendoni se Perëndimi do t’i ndryshojë politikën dhe qasjen ndaj dialogut Kosovë-Serbi?

Serwer: Paj, ju duhet t’i pyesni zyrtarët për ndryshimin e politikave në dialog, sepse kjo gjë është përgjegjësi e atyre e jo e imja. Por, nuk e shoh se ka ndonjë konsideratë për të ndërruar politika në dialogun Kosovë-Serbi. Mendoj po ashtu se kjo ka të bëjë pak edhe me stafin që është i angazhuar në këto çështje.

KOHA: Çfarë saktësisht po mendoni për këtë?

Serwer: Duhet një rikonsideratë serioze e politikës amerikane ndaj Serbisë, e cila duhet të jetë një politikë e mprehtë. Megjithatë, kishte dy çështje që sikur pati përjashtim të politikës përkëdhelëse ndaj Serbisë: E para, sanksionimi i Vulinit ishte një përjashtim i kësaj politike, por Vulini ishte një agjent i zëshëm i rusëve dhe ai vazhdoi të jetë një agjent i rusëve dhe ai vazhdon së këshilluari presidentin Vuçiq. Kjo është çështja e parë e një politike ndryshe.

E dyta çështje është marrëveshja me Kosovën për antitanket “Javelinë”. Ky ishte një vendim që jo shumë e kanë parashikuar. Kisha kërkuar që Kosova të kërkonte “Javelin” kohë më parë, kisha kërkuar që Kosova të pajisej me dronë dhe mendoj se disa po i blen nga Turqia. Kosovës i duhen armë mbrojtëse që t’i bëhet e qartë Serbisë se çdo përpjekje për të ndarë veriun do të rezultonte me një fatkeqësi për ushtrinë serbe; jo vetëm për faktin që NATO-ja që nuk është e pajisur mirë për një sulm të papritur serb, por po ashtu sepse do të gjente rezistencë nga Forcat e Sigurisë së Kosovës. Këto të dyja që përmenda më lart janë një ikje nga politika përkëdhelëse e SHBA-së ndaj Serbisë që unë kam vërejtur. Por politika përkëdhelëse megjithatë vazhdon të mbetet.

KOHA: Dhe a do të mbesë kështu, duke parë që ne tash po iu afrohemi zgjedhjeve në vendet e BE-së në verë dhe më pas edhe zgjedhjet presidenciale në Shtete e Bashkuara. Pra, nga ajo që po thoni, kjo status quo nuk do të ndryshojë për të mirë në të ardhmen e afërt në dialogun Kosovë-Serbi?

Serwer: Kjo që thatë është e drejtë. Nuk shoh perspektivë ne këtë. Po shpresoj që do të ketë braktisje të tjera nga politikat e gjertanishme. Shpresoj se dikush do ta kuptojë që ta pyesësh Kosovën që t’i tërheqë forcat e veta policore nga veriu është një budallallëk. Kosova duhet të mbajë sado polici që mendon se i duhet në veri që të vazhdojë ta mbajë stabilitetin në bashkëpunim me KFOR-in.

KOHA: Në muajt e fundit, siç e përmendët, ne kemi parë vazhdimin e blerjes së armatimeve të ndryshme nga pothuajse të gjitha vendet e rajonit, nga SHBA-ja dhe vendet e tjera. Serbia dje ka bërë një njoftim përmes Vuçiqit se ka blerë një sistem mbrojtës kundër dronëve, që është një sistem mbrojtës rus. A është kjo armatosje që po shohim shenjë se ne po shkojmë drejt një mundësie të zgjerimit të konfliktit në rajonin tonë?

Serwer: Nuk do ta përshkruaja sikur rritje të tensioneve domosdoshmërisht. Do të thosha se Serbia po e riarmatos veten e saj. Nuk mendoj se arsyeja më e madhe këtu është Kosova. Mendoj se Serbia po dëshiron t’ia bëjë të qartë Kroacisë që Serbia është e mirëpërgatitur sa edhe avancimet me pajisje të Kroacisë. Po, po. Ka rritje të tensioneve, dhe po lexoja sot që në rrjetin Telegram po dërgohen porosi nxitëse. Presidenti Vuçiq e ka bërë të qartë se ai është në linjë me njerëz sikurse Putin, Shi, Lukashenko, Aliev e Orban. Dhe këta do të ishin diktatorët e pjesës lindore të Evropës dhe Vuçiqi e ka bërë në mënyrë të kristaltë të qartë se ai është në linjë me ta. Dhe ky është një dallim i mprehtë mes Serbisë dhe Kosovës, me Kosovën që e ka bërë të qartë që dëshiron të rreshtohet me NATO-n dhe Perëndimin.

E dini, unë kam shumë respekt për Jim O’brien. Ai foli një ditë për Evropën e lirë, dhe Planin Marshall për Evropën. Por Evropa e lirë dhe e bashkuar ishte në vitet ’90, kur SHBA-ja ishte një fuqi unipolare në botë. Evropa nuk do të jetë një dhe e lirë edhe për një kohë tash. Unë jam tërësisht në mbështetje të një objektivi të tillë — Evropë e lirë dhe një. Por kjo nuk do të ndodhë së shpejti. Nuk do të ketë një perde të hekurt në Evropë, por do të ketë një vijë mes Perëndimit dhe Lindjes. Dhe Republika Serbe dhe Serbia janë duke zgjedhur që të jenë në anën e Lindjes. Mendoj se një politikë realiste amerikane duhet ta pranojë këtë vendim dhe të sillet në përputhje me rrethanat. Kjo nënkupton se duhet të jetë e qartë me Serbinë, se në mënyrë që të përqafojë Perëndimin, Serbia duhet ta përqafojë Perëndimin. Nuk mund t’i ndjekë politikën e të ulurit në dy karrige dhe të përqafojë Perëndimin në të njëjtën kohë. Kjo gjë nuk do të funksionojë.

KOHA: Dhe kur mendoni se do t’i vijë koha këtij përcaktimi, kur shohim se Perëndimi, SHBA-ja ta kuptojë këtë qasje që po thoni ju?

Serwer: Më duhet të besoj se ka shumë njerëz në administratën amerikane që e kuptojnë këtë. Por e dini, është një tjetër gjë ta kuptoni këtë, dhe tjetër t’ua thoni sekretarit amerikan të shtetit dhe presidentit se ‘politika jonë ka dështuar’ dhe se duhet ta pranojnë se vija ndarëse mes Perëndimit dhe Lindjes do të vizatohet përgjatë Ballkanit dhe jo rreth Ballkanit. Por e dini, duhet shumë guxim për dikë ta thotë se ka dështuar.

KOHA: Në një të ardhme të afërt ne do të kemi zgjedhje edhe në SHBA. A e bën edhe më të pasigurt gjendjen në Ballkanin Perëndimor fakti që ish-presidenti Trump mund të rikthehet në pushtet dhe ta rifitojë pushtetin në SHBA. Çfarë skenari do të ishte ky për ju zotëri Serwer?

Serwer: Dua fillimisht ta them se jam nga të paktë në Washington që beson se presidenti Biden do të rizgjidhet edhe për një mandat dhe nuk e marr aq seriozisht kërcënimin që të kthehet Trump si president. Por, më duhet të pranoj se nuk ka siguri në këtë që po them pa u numëruar të gjitha votat. Prandaj, po, është mundësia që ish-presidenti Trump mund të zgjidhet prapë president. Dhe mendoj se kjo do të ishte një fatkeqësi për Ballkanin. Është e qartë se në atë pikë etnonacionalistët do të mbretëronin në Shtetet e Bashkuara dhe pastaj jo vetëm në Ballkan, por edhe në Ukrainë e Lindje të Mesme do të kishin qëllim një politikë të ndarjeve të etniciteteve të ndryshme. Dhe kjo do t’i kërcënonte Bosnjën, Kosovën, Ukrainën, Izraelin e Palestinën. Do të ishte një formulë për të gjithë etnonacionalistët për ndarje. Dhe problemi tash është se etnonacionalistët nuk pajtohen se ku vija ndarëse do të tërhiqej. Çfarë etnonacionalizmi sjell është lufta dhe në këtë rast, Ukraina, Lindja e Mesme dhe Ballkani nuk janë tri vende të ndara. Ato janë vazhdimësi e njëra-tjetrës. Të gjitha këto vende në një periudhë kanë qenë, duke përfshirë madje edhe një pjesë të Ukrainës jugore, pjesë të Perandorisë Osmane. Dhe është tërësisht e pamundshme të shohësh një konfiguracion masiv në këto tri hapësira nëse Trump rizgjidhet president.

KOHA: Nga ajo që po përshkruani tash një botë e zhytur në trazira prej Lindjes së Mesme deri në lindje të Evropës me pushtimin rus që së shpejti do të hyjë në vitin e tretë prej kur Rusia sulmoi Ukrainën: cila do të ishte këshilla që do t’i jepnit lidershipit të Kosovës duke parë këto trazira gjithandej botës dhe me rrezikun e skajimit të çështjes së Ballkanit duke parë fokusin që është në Lindje të Mesme dhe në Ukrainë?

Serwer: Këshilla ime e vetme dhe më e rëndësishme është që t’i përmirësojë raportet me serbët e Kosovës, sepse kjo gjë do ta forconte shtetin e Kosovës. Dhe kjo gjë do të nënkuptonte zbatimin e verdiktit të Gjykatës Kushtetuese për tokat në Manastirin e Deçanit. Kjo nënkupton një afrim politik të Qeverisë me këdo që zgjidhet nga komuniteti serb në komunat veriore. Kjo nënkupton përmirësim të raporteve me komunat në jug të Ibrit, që dukshëm janë marrëdhënie më të mira sesa me komunat në veri. Pra, rrënja për konsolidimin e shtetit të Kosovës shkon përmes përmirësimit të marrëdhënieve me komunitetin serb, ashtu që serbët e Kosovës të paktën ta kenë të pranueshëm nëse jo të dëshirueshëm autoritetin e Prishtinës.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *