• |
ide | kryesore

Chelsea në krizë, Petit fundos teknikun Pochettino: “Nuk di më cfarë të shpikë, duhet Mourinho”

Sport
Petit



Nuk ka kura të përshtatshme për momentin për të shëruar sëmundjen e Chelsea të drejtuar nga Mauricio Pochettino. Blues vijnë pas dy humbjeve radhazi, duke pësuar katër gola në të dyja rastet (4-1 nga Liverpool në Anfield dhe 4-2 nga Wolverhampton në Stamford Bridge). Fotografia e renditjes së Chelsea në Premier League i thotë të gjitha. Vendi i njëmbëdhjetë me 31 pikë, me 9 fitore, 4 barazime dhe 10 humbje, 20 pikë prapa kreut. Negative edhe llogaria e diferencës së golave (-1, 38 gola të shënuar, 39 të pësuar). As ardhja e një trajneri si Pochettino nuk arriti të vinte në lëvizje projektin e ri të Chelseas të Todd Boehly, interesant dhe premtues me fjalë, i pashprehur dhe zhgënjyes në vepra. E tani një ish-lojtar si Emmanuel Petit është kujdesur për të analizuar momentin e Blues.

PETIT KRITIKON POCHETTINO E THËRRET MOURINHO

Me Francën ai fitoi gjithçka që mund të fitohej, një Botëror në shtëpi në vitin 1998 dhe një kampionat evropian në vitin 2000. Gjatë karrierës së tij, ish-mesfushori francez Emmanuel Petit veshi fanellat e Monaco, Arsenal, Barcelona dhe Chelsea, duke e mbyllur karrierën me Blues në vitin 2004.

I lidhur gjithmonë me klubin anglez, Petit shprehu mendimin e tij për situatën te Chelsea pas humbjes së rëndë 4-2 në shtëpi kundër Wolverhampton: “Isha shumë i zhgënjyer me paraqitjen e Chelsea. Ata dukeshin shumë të çorganizuar, të hutuar taktikisht, pa shpirt luftarak, pa komunikim apo karakter. Më erdhi keq për tifozët”.

Ish-mesfushori më pas kritikoi teknikun Pochettino: “Ai refuzon të përshtatet me karakteristikat e lojtarëve të tij dhe skuadra thjesht nuk ka kuptim për momentin. Ai nuk di çfarë të bëjë dhe gjuha e trupit të tij është shqetësuese, duket se tashmë është dorëzuar”.

Për zërat që do të donin një rikthim të bujshëm të José Mourinho në pankinën e Chelseat, Petit është entuziast: “Kam dëgjuar tashmë që José Mourinho mund të kthehet, me John Terry si asistent. Nëse e mendojmë, është diçka interesante. Mourinho do të sillte karakter dhe personalitet në ekip. Tani për tani grupi është copëtuar dhe ai do të ishte i vetmi i aftë për ta rregulluar atë. Unë me të vërtetë mendoj se Chelsea ka nevojë për një menaxher me një vizion adekuat se çfarë duhet bërë me lojtarët. Ata duhet të ndalojnë blerjen e lojtarëve dhe të mendojnë për zhvillimin e atyre që janë tashmë atje. Chelsea ka nevojë për një identitet, sepse ata aktualisht nuk e kanë një të tillë”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *