• |
ide | kryesore

Vijon beteja për ujin e lumit të Shushicës, rrezikon të humbasë statusin Park Kombëtar, banorët: Nuk do të qëndrojmë duarkryq

Lajme, Të fundit



Banorë të Luginës së Shushicës dhe aktivistë të mjedisit protestojnë kundër ndërtimit të ujësjellësit të ri të Himarës, që devijon këtë lumë për të furnizuar me ujë bregdetin turistik të jugut.

‘’Ne nuk jemi kundër zhvillimit të Himarës, por jemi kundër që kjo të bëhet në kurrizin tonë” – shprehet Shyqyri Hoxhaj, banor i fshatit Kuç – Buronja.

‘’Ne aty pimë ujë, bagëtia po ashtu, me të vadisim tokat bujqësore” – shprehet më tej 67-vjeçari, i cili është lindur e rritur pranë Lumit të Vlorës, siç e quajnë vendasit Shushicën. Së bashku me Hoxhajn me dhjetra banorë të Luginës protestuan të shtunën në urën e Laskos, që ndodhet fare pranë veprës së ujësjellësit. Nga devijimi i ujit të lumit preken rreth 30 fshatra të bashkisë Himarë dhe asaj Selenicë në Shqipëri.

Banorët argumentojnë se me ta nuk është mbajtur asnjë dëgjesë nga qeveria shqiptare për këtë projekt, që ndikon drejtpërdrejt në qëndrueshmërinë e tyre ekonomike dhe sociale.

‘’Ky projekt nuk na u komunikua kurrë. Ekzistenca e tij doli në dritë vetëm kur u shfaqën makineritë e ndërtimit. Ne nuk do të qëndrojmë duarkryq teksa na marrin ujin” – u shpreh për DW shqip Astrit Balilaj, kryeplak i fshatit Kuç.

Beteja për lumin Shushica vijon në gjykatë

Rreth 50 banorë të Luginës së Shushicës, së bashku me organizatën shqiptare të ruajtjes së natyrës ‘’EcoAlbania” kanë ngritur një padi në Gjykatën Administrative të Tiranës ndaj Agjencisë Kombëtare te Mjedisit dhe bashkisë Himarë. Ata kërkojnë anulimin e lejes së ndërtimit, të vendimit për vlerësimin paraprak të ndikimit në mjedis, si edhe anulimin e lejes për përdorimin e ujit nëntokësor. Seanca e parë gjyqësore nuk është zhvilluar ende. Sipas ekspertëve dhe shkencëtarëve që merren prej vitesh me studimin e Vjosës, raporti i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis për këtë projekt është i pabazuar në prova shkencore.

“Në VMN argumentohet se sasia e ujit që do të merret nuk ndikon në ekologjinë e lumit. Kjo është e diskutueshme. Studimet e bëra mbi rrezikun e specieve të rralla nuk janë marrë parasysh”- shprehet për DW Shqip Aleko Miho, profesor pranë Universitetit të Shkencave të Natyrës në Tiranë. ‘’Projekti pretendon se ndërhyrja nuk është në zonë të mbrojtur, ndërkohë që Shushica është pjesë e Parkut Kombëtar të Vjosës” – sqaron Olsi Nika, Drejtor Ekzekutiv i EcoAlbania. Në rrezik është edhe statusi i Parkut Kombëtar të Vjosës, sepse Shushica është një nga tri degët kryesore të lumit Vjosa, që u shpall Park Kombëtar në mars të vitit 2023, duke u bërë zona e parë e ruajtjes së lumenjve të egër në Evropë. Kjo do të thoshte jo vetëm një mbrojtje të ekosistemit lumor, por edhe mundësi zhvillimi për turizmin e të gjithë zonës.

Shushica rrezikon ta humbasë statusin Park Kombëtar

Me punimet e ujësjellësit të Himarës, që duhet të përfundojnë në gusht të këtij viti, Shushica rrezikon ta humbasë statusin Parku Kombëtar. “Kishim shpresa të mëdha për Parkun Kombëtar dhe prisnim se do të nxiste zhvillimin ekonomik. Nëse uji ynë tani hiqet dhe Shushica humbet statusin e Parkut Kombëtar, e ardhmja jonë ekonomike do të jetë në rrezik.” – shprehet Elidon Kamaj, kryeplak i fshatit Brataj.

Sipas ekspertëve të mjedisit dëmet mjedisore do të jenë në të gjithë gjatësinë e lumit. “Parku Kombëtar i Lumit të Egër bazohet në një ekuilibër ujor kryesisht natyror dhe të patrazuar në rrjetin e tij lumor. Kjo është ajo që e bën këtë zonë kaq unike. Ky projekt devijimi e rrezikon të gjithë Parkun Kombëtar. “, tha për DW shqip Ulrich Eichelmann, Drejtor Ekzekutiv i Riverwatch. ‘’Rreziku qëndron në mundësinë që devijimi i ujit në Shushicë të krijojë një precedent. Besueshmëria e të gjithë Parkut Kombëtar të Lumit të Egër është në rrezik”, sqaron Olsi Nika i EcoAlbania-s./DW



1 Comment

  1. duhet pak transparence ng ate dyja palet, ca perqindje e ujit merret per ujesjellesin??? Qe eshte dhe pyetja kryesore, nqs pjesa e rrjedhes qe eshte ne Kuc shkon 100% apo ne nje pjese te madhe per ujesjellesin atehere banoret kan te drejten e tyre te protestojne dhe pengjne ndertimin e tij. Nqs merret nje perqindje e ulet, debatet me duken te kota sepse duhet qe edhe zonat e bregut te kene mundesine te furnizohen me uje (qe eshte turp qe te kesh uje me orar ne nje zone turistike). Pjesa tjeter jo eshte apo jo park kombetar, ka apo ska specie te rralla jan debate kot per te mbush kroniken. Vetem nje eshte thelbi i asaj qe prek banoret, a cenohen ata nga ndertimi i ujesjellesit? Ne se po sa cenohen?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *