• |
ide | kryesore

“Nuk jam i çmendur, ndaj erdha”. Devolli në ekstazë për fitores me Laçin, Cungu kapet me sulmuesit e… erën

Sport
Devolli



“Sinqerisht jam i lumtur për fitoren. Jemi bërë më të pjekur, dimë të vuajmë, dimë të luajmë pisët, dimë të markojmë dhe të ruajmë rezultatin”. Bledar Devolli nuk e fsheh gëzimin pas fitores së parë në kampionat që kur është ulur në pankinë. 1-0 kundër Laçit ka kthyer shpresën te tekniku i Kukësit, që shpërthen ndaj kritikëve dhe mosbesuesve: “Po të mos kisha shpresa nuk vija në Kukës, se nuk jam i çmendur. Nga nesër do fillojmë punën prapë. Mundësia do u vijë të gjithëve, fusha ja ku është”.

Devolli nuk ngurron të tregojë se do të përdorë gjithcka ka në dorë për ti dhënë mbijetesën Kukësit: “Futbolli ka dhe hile. Dimë kur të menaxhojmë lojën, një rivënie anësore. Këto janë pisllëqet e futbollit. Unë kam besim që nga ndeshja e radhës. Po me këtë entuziazëm, çdo gjë bëhet më e thjeshtë. Ne Kukësin duhet ta kthejmë në një fortesë. Nëse është Vllaznia, apo çdo ekip, ne do i vlerësojmë njësoj. Shpresoj të vazhdojmë përpara”, e mbylli Devolli.

CUNGU: “SHËNOJMË SHUMË PAK”

“Episodet sollën këtë rezultat. Nëse nuk shënon, nuk mund të fitosh një ndeshje. Fut brenda edhe terrenin, era e madhe. Nuk mund të them që ekipi nuk u përpoq. Patëm edhe mundësi për të shënuar, por e shoh si problem edhe shënimin e golave. Ka shumë pak kontribut për të nxjerrë golin”. Armando Cungu mundohet të gjejë shpjegim për një ndeshje shumë të rëndësishme të humbur.

Lexo më tej: Sherr e polemika, Kukësi fiton pas 5 muajsh: Beshiraj thyen Laçin dhe i jep shpresë bluve

Tekniku, i rikthyer për herë të tretë në pankinën e Laçit, nuk është fare i kënaqur nga puna e sulmuesve, apo më saktë ajo ofensive e skuadrës: “Po të shohim çfarë kanë bërë sulmuesit dhe mesfushorët, janë shumë pak gola, është një situatë që do kohën e vetë. Nuk mund të bëhen gjërat për një ditë ose një javë. As koha nuk është në dispozicionin tonë. Ka shumë gjëra që duhet t’i rregullojmë dhe ndoshta një fitore do na sillte qetësinë për lojtarët”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *