• |
ide | kryesore

Ekzekutohet Gentian Bejtja, ish-polici i kërkuar nga bandat e Niklës

Arkiva, Kryesore, Lajme



Fati e la në baltë Gentian Bejten, ish-polici që i kishte mbijetuar 3 atentateve dhe që u vra nga breshëritë e kallashnikovit sapo ishte kthyer në shtëpinë e tij në Larushk të Krujës. Prej 9 muajsh nuk kthehej në shtëpinë e tij, që kur i vranë kunatin Ramazan Sinon. Jo se ishte shpallur në kërkim nga policia, por sepse i druhej atentati të organizuar nga bandat e Krujës.

Ditët e fundit, kur e kanë pikasur e kanë ruajtur dhe të premten e ekzekutuan, ndërsa qëndronte në oborr. Dy persona të armatosur dyshohet se janë futur brenda në shtëpi dhe e kanë ndjekur nga pas në oborr. Gentian Bejtja dyshohet se është përpjekur të largohet nga pjesa e pasme, por është qëlluar për vdekje. Makina e autorëve u gjet e djegur disa kilometra larg fshatit Larushk. Video poshtë:

Nga atentatet që i kishin bërë, që kur grupet kriminale e kërkonin me çdo kusht, Bejtja mund të konsiderohet një “i vdekur që ecën”. Për kërcënimet e vazhdueshme, kishte kërkuar edhe azil në Norvegji, por i ishte refuzuar.

Atentatet e njëpasnjëshme

Gentian Bejtja dhe kunati i tij i vrare ne korrik 2023, Ramazan Sina

Në korrik të vitit të kaluar, duke tentuar të vrisnin Bejten, atentatorët qëlluan për vdekje kunatin e tij Ramazan Sino, ndërsa i plagosën edhe të birin 10-vjeçar.

Në vitin 2022, ndaj tij është qëlluar me breshëri kallashnikovi teksa lëvizte me makinë në zonën e Niklës, i shoqëruar nga Klodian Stafukën, vëllain e Enver Stafukës, një person i zhdukur me të cilin Bejtja kishte ndihmuar për vrasjen e  ish-komisarit Dritan Lamaj. Në atë kohë Gentian Bejtja mbeti i plagosur.

Lexo edhe: Kurthi/ Kush janë “miqtë” që shoqëruan Enver Stafukën para zhdukjes në Krujë

Edhe në vitin 2016, ndaj Gentian Bejtes u organizua një atentat tjetër me eksploziv në makinë, por edhe atëherë shpëtoi i gjallë.

Gentjan Bejtja rezulton person me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër personit dhe pronës, si dhe i arrestuar me arsenal armësh në banesë.

Policia dyshonte te vëllezërit Bami

Pas atentatit të fundit, në korrik të vitit 2023, policia mori në pyetje tre persona për atentatin. Ata ishin Durim Bami, vëllai i tij Valter Bami dhe Marklen Haka, të tre nga Fushë-Kruja.

Durim Bami
Durim Bami

Durim Bami u bë një nga personat më të famshëm të botës së krimit, që kur takoi ish-Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri të cilit iu prezantuar si vrasës me pagesë. Bami i rrëfeu disa vite më parë Tom Doshit se ishte kontraktuar për ta vrarë nga njerëz të lidhur me Ilir Metën.

Bami ka qenë i dyshuar në vitin 2004 për një tentativë vrasjeje. Ai është dyshuar për vrasjen e Erzen H. dhe Hasan K. Më parë ai është dënuar me 4 vjet burg për pengmarrje. Bami u ndalua edhe në shtator të 2018 nga një operacion i RENE-as në Nikël pas informacioneve se në banesat e të fortëve në këtë zonë kishte armë, drogë dhe eksploziv.

Bashkë me Gentian Bejtjan ai është shfaqur në videon e rrëmbimit të Enver Stafukës, në shkurt të vitit 2015. Rrëmbimi dhe më pas zhdukja e Stafukës (Video e emisionit KETU) është një nga ngjarjet më të bujshme që kanë ndodhur në Krujë. Dyshimet janë se Stafuka u zhduk për të mbyllur një herë e mirë disa ngjarje të rënda kriminale, për të cilat viktima mund të rrëfehej.

Marklen Haka
Marklen Haka

Marklen Haka është pjesë e “Bandës së Niklës” dhe në shtator të vitit 2019 i ka shpëtuar një atentati në derë të shtëpisë së tij, ku mbeti e vdekur halla e tij, Shpresa Basha. Marklen Haka shpëtoi me një plumb në krah. Objektiv i atentatit ishte vetë Marklen Haka, ndërsa halla e tij dyshohet se ishte qëlluar aksidentalisht. Haka ka qenë i arrestuar më herët për një vrasje të ndodhur në Qershor të viti 2011 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, por ishte liruar për mungesë provash. Në janar të vitit 2022 ai u prangos nga RENEA-s pas një operacioni që çoi në arrestimin e 19 personave.

Përfshirja në vrasjen e komisarit Dritan Lamaj

Bejtja ka qenë i arrestuar bashkë me Enver Stafukën për vjedhjen e makinës që u përdor në vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt në vitin 2013. Automjeti ishte vjedhur një ditë para vrasjes në rrugën “Aleksandër Goga” në Durrës dhe pas krimit, autorët e vrasjes e dogjën pranë Domjes në Tiranë.

Pas procesit gjyqësor në Durrës, gjykata e shpalli të pafajshëm për akuzën e vjedhjes së automjetit të përdorur për vrasjen.

Në dokumentat e nxjerra nga dosja e prokurorisë shkruhej se Gentian Bejtja dhe Enver Stafuka ishin dy personat që vodhën makinën që u përdor për lëvizjen e autorit të vrasjes së Dritan Lamajt, Arben Frroku.

“Të pandehurit Gentian Bejtja dhe Enver Stafuka, përdorues të numrave 405 dhe 577, në datën 23.02.2013 janë takuar me njëri-tjetrin rreth orës 17:45. Në momentin e takimit të dy janë ndodhur nën mbulimin e qelizës jugperëndimore të antenës Larushk, e cila ndodhet në afërsi të fshatit Nikël, Krujë.

I pandehuri Enver Stafuka ka ardhur nga Fushë-Kruja, ndërsa i pandehuri Gentian Bejtja ka lëvizur nga zona e kthesës së Kamzës në Tiranë për në veri, në drejtim të fshatit Nikel Krujë”, thotë prokuroria. Fillimisht ka qenë Bejtja ai që i ka telefonuar Stafukës rreth orës 15:23 të datës 23 shkurt 2015, dhe më pas ka qenë Stafuka ai që ka kërkuar të takohen. “Lëvizja e të pandehurve nga Durrësi në drejtim të Kamzës është kryer me automjete dhe rruga e përshkruar ndjek të njëjtin itinerar, por koha e vendndodhjes së tyre, duke ju referuar një pike të caktuar paraqitet e zhvendosur me disa minuta, që do të thotë se ata kanë lëvizur me dy automjete të ndryshme njëri pas tjetrit”, thotë prokuroria. Sipas të dhënave nga kompanitë celulare rezulton se i pandehurit Enver Stafuka ka lëvizur para me makinën e vjedhur “BMË” dhe i pandehuri Gentian Bejtja ka qenë rreth 5-7 minuta larg tij me makinën e tij fuoristradë.

“Distanca kohore midis tyre vjen e ngushtohet nën mbulimin e qelizës verilindore të antenës “Autostrada NEË”, rruga për në Rinas, dhe takohen nën mbulimin e qelizës jugperëndimore të antenës Laknas. Të tre numrat, dy numrat e të pandehurve Enver Stafuka dhe Gentjan Bejtja 405 dhe 577 dhe numri i të dëmtuarit pronarit të makinës se vjedhur, F. L., i cili ka qenë në makinë, rreth orës 20:24 janë ndodhur njëkohësisht nën mbulimin e qelizës jugperëndimore të antenës Laknas. Ndërsa rreth orës 20.30 janë ndodhur nën mbulimin e qelizës verilindore të antenës Kamza City”, thotë prokuroria.

Lidhjet e Enver Stafukës dhe Gentian Bejtes me Arben Frrokun

“Nga tabulatet e marra për numrin e celularit në përdorim të shtetasit Gentian Bejta, rezulton se ai më datë 22.02.2013 në darkë (një ditë përpara vjedhjes së makinës) ka qenë në zonën e njohur si “Misto Mame”, në Tiranë”, thotë prokuroria. Duke analizuar tabulatet e shtetasit Enver Stafuka, prokuroria thotë se ky person ka patur disa komunikime me të njohur të Frrokut dhe nipit të tij, Jak Jaku.

“Nga analiza e tabulateve telefonike, se shtetasi Enver Stafuka me numrin e tij të celularit ka komunikime me persona të përbashkët me të pandehurin Arben Frroku. Stafuka në datat 20.02.2013 dhe 24.02.2013 ka komunikime me numrin celular 06857xxx dhe ky i fundit ka komunikime po në të njëjtën datë me numrin e celularit 0696003xxx, që i përket dëshmitarit Jak Jaku dhe ky i fundit ka komunikuar me të pandehurin Arben Frroku, me numrin e celularit 0692053xxx”, deklaroi prokuroria në pretencën ndaj Frrokut. Në konkluzionet ku u kërkua dënimi me burgim të përjetshëm i Arben Frrokut, përfaqësuesit e akuzës thanë se “Enver Stafuka në datë 23.02.2013, pas vjedhjes së makinës në Durrës, ka komunikime me numrin e celularit 0686325xxx, ky i fundit me numrin tjetër të celularit në posedim të tij, ka komunikuar me të pandehurin Arben Frroku më datë 24.02.2013, në orën 12:02”

Të gjitha këto të dhëna Gjykata e Durrësit nuk i konsideroi si prova që vërtetojnë autorësinë e Stafukës dhe Bejtes në vjedhjen e makinës që u përdor në atentat./Lapsi.al



8 Comments

  1. Basha reagon ashpër pas paktit PS-Rithemelim: Revolucioni i premtuar u shit! Fle diku tjetër lepuri, te marrëveshja për…!

  2. Kuptoni qe ky është krimi me i përbindshëm në demokraci i korrupsionit politik, kapjes se shtetit, rënies jo thjesht te sigurisë ne pune por te sigurisë kombëtare!

    Kur shoh gjelat politik te bëjnë gangsterin e përndjekur nga drejtësia, opinioni publik, media, thjesht kujtoj se aty-ne barkun e nje nene, u poq nje femije qe keta i hoqën mundësinë te vinte ne jete;
    Nje pjese ju morren jetën, ate fëmije as e lane te vinte ne jete!

  3. “Rroftë marrëveshja, shpëtoi Shqipëria dhe qeveria. Ene më në fund partia. U kthye demokracia. Shyqyr ia arritëm kësaj dite historike, jemi me fat si brez politikanësh që po përjetojmë çaste kaq të lumtura në jetën tonë të pastër politike dhe në jetën tonë shoqërore kaq mizore. Forca, forca, forca, le të pasi nga inati (EK) sa të jetë gjallë (SB) dhe (ER) jemi të qetë dhe të lumtur. S’kemi frikë as nga Putin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *