• |
ide | kryesore

Policia bën bilancin e majit: Më shumë se 10 mln euro dhe qindra kg drògē të sekuestruara

Arkiva, Lajme, Të fundit
inspektorë, Policia


Policia e Shtetit ka bërë bilancin e muajit maj, ku ka zbuluar se përgjatë periudhës prej 31 ditësh janë vendosur në pranga 635 persona për vepra të ndryshme penale.

Uniformat blu raportojnë se në muajin maj janë sekuestruar 10.5 milionë euro pasuri të dyshuara me burim krimin, si edhe janë parandaluar 6 ngjarje kriminale në qytete të ndryshme.

Gjithashtu janë zbardhur 133 vjedhje (disa prej tyre, me dhunë), 1 vrasje e dyfishtë e kryer në fshatin Bodrishtë dhe 1 plagosje me armë zjarri e kryer në Durrës;

Njoftimi i policisë:

Policia e Shtetit, gjatë muajit maj 2024

Angazhimi maksimal, 24/7, i të gjitha strukturave të Policisë së Shtetit, në zbatim të planeve operacionale kombëtare “Sundimi i ligjit”, “Tempulli” dhe “Territor i pastër”, si dhe bashkëpunimi i ngushtë me partnerët dhe me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, sollën si rezultat goditje intensive të veprimtarive kriminale.

Megaoperacionet dhe operacionet patën prioritete goditjen e kultivimit, shpërndarjes dhe trafikimit të cannabisit dhe drogave të forta, posedimit dhe trafikimit të armëve të zjarrit, si dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar për përfshirje në grupe dhe në organizata kriminale.

Gjithashtu, në bazë të planeve të posaçme policore dhe ndërstrukturore, ka nisur angazhimi intensiv për të garantuar një sezon turistik të sigurtë.

✅Si rezultat i punës së Policisë, gjatë muajit maj, janë finalizuar 84 operacione policore, 11 prej tyre, me partnerët ndërkombëtarë;

-Janë vënë në pranga 635 autorë të dyshuar veprash penale, 67 prej tyre ishin në kërkim kombëtar;

-42 749 bimë dhe fidanë cannabisi janë asgjësuar si rezultat i 18 operacioneve kundër kultivimit të bimëve narkotike, në kuadër të planit operacional mbarëkombëtar “Territor i pastër”;

-Gjatë muajit maj janë sekuestruar 181 kg cannabis sativa, 11.3 kg kokainë, mijëra doza të këtyre lëndëve, 470 doza heroine dhe 5000 fara cannabisi;

-Janë sekuestruar 10.5 milionë euro (para dhe asete) të dyshuara me burim krimin;

-Falë operacioneve të bazuara në inteligjencën policore, janë sekuestruar 23 armë zjarri, 4 kallëpë lënde eksplozive, 2 kundragazë dhe sasi e madhe municioni luftarak;

-3 grupe kriminale që shitnin lëndë narkotike dhe trafikonin armë nga Kosova ose drejt Anglisë, janë goditur nga Policia e Tiranës dhe e Durrësit, gjatë operacioneve “Tempulli 3”, “Transportuesi 2” dhe “Pakot”;

-Si rezultat i ndërhyrjes në kohë të shërbimeve të Policisë, janë parandaluar në Durrës, Fier, Mat dhe Lezhë, 6 ngjarje kriminale me përdorimin e armëve të zjarrit dhe armëve të ftohta.

-Janë zbardhur 133 vjedhje (disa prej tyre, me dhunë), 1 vrasje e dyfishtë e kryer në fshatin Bodrishtë dhe 1 plagosje me armë zjarri e kryer në Durrës;

-Në Rinas, Morinë, Tiranë, Durrës, Korçë janë goditur 10 raste të kontrabandës me mallra të ndryshme;

-Nga kontrollet në terren dhe në bazë të denoncimeve të qytetarëve, janë konstatuar dhe goditur 143 raste të krimeve kundër mjedisit;

-Janë evidentuar dhe trajtuar ligjërisht 121 raste të dhunës në familje, të cilat më pas janë adresuar për t’u trajtuar nga institucionet e tjera kompetente;

Në kuadër të parandalimit dhe goditjes së organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, gjatë muajit maj, janë evidentuar dhe goditur 19 raste të kësaj veprimtarie të kundërligjshme.

Është intensifikuar bashkëpunimi i strukturave policore me FRONTEX. Në këtë kuadër janë finalizuar 4 operacione kundër transportimit të kundërligjshëm të emigrantëve dhe janë bllokuar në kufi 168 emigrantë nga vendet e treta, të cilët kanë tentuar të hyjnë ilegalisht në territorin shqiptar, me qëllim përfundimtar një nga vendet e BE-së.

🚔Policia Rrugore gjatë muajit maj intensifikoi kontrollet dhe monitorimet në të gjitha akset e vendit, duke përdorur makinat inteligjente dhe bazën logjistike që ka në dispozicion, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe lëvizjen e lehtësuar të përdoruesve të rrugës, në prag të sezonit turistik.

Si rezultat i punës parandaluese dhe monitorimeve të pandërprera:

Janë vënë në pranga 183 drejtues mjetesh, nga të cilët 130 për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe 53 për drejtim të mjetit pa leje drejtimi.

Janë pezulluar 293 leje drejtimi, nga të cilat 144 për tejkalim të normave të shpejtësisë, 88 për drejtim mjeti nën ndikimin e pijeve alkoolike dhe 61 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor, për të cilat parashikohet kjo masë administrative.

✅Ndërkaq, Policia Kufitare ka qenë tërësisht e fokusuar për të ofruar shërbim cilësor, të shpejtë dhe etik, për qytetarët në hyrje/dalje, në të gjitha pkk-të, për të garantuar qarkullimin e lirë dhe të sigurtë të shtetasve, mallrave dhe shërbimeve, si dhe për të parandaluar dhe goditur krimet kufitare.

Si rezultat i punës dhe angazhimit në përmbushje të prioriteteve, janë goditur:

41 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, 9 raste të përdorimit të dokumenteve false për të kaluar kufirin, 10 tentativa për të futur/nxjerrë në pikat e kalimit kufitar, mallra të kontrabanduara dhe 4 raste të trafikimit të mjeteve motorike.

Në kuadër të masave për sigurinë detare, Njesia e Policisë Detare dhe Policia Kufitare kanë nisur kontrollet për dokumentacionin e mjeteve lundruese, për respektimin e rregullave të lundrimit dhe të perimetrit të sigurisë per pushuesit. Si rezultat i kontrolleve, janë bllokuar 5 mjete lundruese argetuese Jet Sky dhe janë ndeshkuar me masë adminsitratve, nga 10 000 lekë, pronarët e tyre.

Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për të garantuar rendin dhe sigurinë, për vijimin intensiv të megaoperacioneve kombëtare me qëllim sundimin e ligjit në territor, të operacioneve me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, për të luftuar krimin e organizuar, si dhe për të bashkëpunuar me qytetarët për të krijuar një ambient të sigurtë.

Njëkohësisht, Policia e Shtetit është e vendosur për të thelluar procesin e vetëpastrimit, duke larguar nga radhët e saj ata punonës që abuzojnë me detyrën dhe cenojnë të drejtat dhe liritë e qytetarëve apo shpërdorojnë detyrën duke u bërë palë me krimin, dhe në këtë kuadër fton qytetarët dhe mediat që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të tillë dhe çdo rast paligjshmërie, duke iu garantuar reagim të shpejtë, profesional dhe ligjor.


5 Comments

    1. Po edhe këto që kanë kapur thjesht janë trafikuar nga një dorë në një tjetër, që është mafia në polici!

      Nuk dimë asnjë rast asgjësimi të drogës që duhej të bëhej me komision dhe transparent!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *