• |
ide | kryesore

Hetimi për ndërhyrjen ruse, Mueller: Donald Trump nuk mund të paditet

Planet



Prokurori i Posaçëm, Robert Mueller, që drejtoi hetimin lidhur me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit të vitit 2016, ka deklaruar se akuzat e ngritura ndaj kreut të Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, nuk mund të merreshin parasysh, për arsye se një president në detyrë nuk mund të paditet. Mueller shpjegoi se do të ishte e padrejtë të ngriheshin akuza ndaj dikujt, i cili nuk mund të dalë në gjyq për të argumentuar mbrojtjen e tij.

Në një deklaratë për mediat, sekretarja e shtypit në Shtëpinë e Bardhë, Sarah Sanders, reagoi ndaj deklaratës së Mueller-it, duke e konsideruar si një mohim të pretendimeve të ngritura nga demokratët për përfshirjen e Rusisë në fushatën presidenciale të Trump. “Zoti Mueller në mënyrë të qartë tha se nuk ka asgjë për të shtuar përtej raportit dhe prandaj nuk planifikon të dëshmojë përpara Kongresit. Raporti ishte i qartë – nuk pati bashkëpunim të fshehtë, asnjë komplot – dhe Departamenti i Drejtësisë konfirmoi se nuk pati pengim të drejtësisë. Prokurori i posaçëm Mueller deklaroi gjithashtu se Prokurori i Përgjithshëm Barr veproi me mirëbesim në trajtimin e raportit.”- u shpreh Sanders.

Më herët, Trump urdhëroi agjencitë amerikane të inteligjencës që të bashkëpunojnë me zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë mbi gjetjet e hetimit të Këshilltarit Special. Paralelisht me këtë vendim, Prokurori i Përgjithshëm, William Barr, është ngarkuar që të hetojë nëse ka patur rrjedhje informacionesh prej fushatës elektorale të presidentit Trump.

Këto hapa janë parë si një përpjekje e kreut të Shtëpisë së Bardhë për të zbehur përfundimet e nxjerra në raportin hetimor të Mueller-it, ku ndërsa identifikohen lidhje të shumta  ndërmjet individëve që kishin lidhje me qeverinë ruse, dhe individëve të lidhur me fushatën e Trump, dëshmitë nuk ishin të mjaftueshme për të mbështetur akuzat penale. “Për më tepër, nuk kishte prova të mjaftueshme për të akuzuarit, anëtarë të fushatës së Trump, se kishin komplotuar me përfaqësuesit e qeverisë ruse, për të ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016.”- konkludonte Mueller.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *