Lionel Messi rikthehet te Barcelona pas vetëm një viti te Paris Saint-Germain. Një mision i pamundur, një ide e hedhur në ajër prej disa muajsh, por që periodikisht rikthehet në plan të parë. Protagonistët e kapitullit të ri, që tronditi opinionin e sportdashësve spanjollë, ishin Jorge Messi dhe Joan Laporta, përkatësisht babai i Pleshtit dhe presidenti i Barcelonës. “Ndoshta, një ditë…” ka lënë t’i shpëtojë fjala të atit të ish-numrit 10 dhe pronari i Blaugranave ka reaguar me një fjalë aprovuese “Do të më pëlqente”.
Shkëmbim mirësjelljeje apo ruajtje e marrëdhënieve të mira, asgjë nuk është e qartë, por sigurisht që mosmbyllja e çështjes në vetvete mund të konsiderohet lajm. Messi e ka mbajtur shtëpinë e tij në Katalonjë, ku herë pas here kthehet për të kaluar disa ditë relaksi me familjen e tij, por edhe vetë babai i lojtarit ka pranuar se në Paris “ndihet mirë”.
Megjithatë, nga pikëpamja sportive, argjentinasi rikthehet nga sezoni më i keq në karrierën e tij mes dëmtimeve dhe një përshtatje me superyjet e PSG-së që nuk u kompletua kurrë plotësisht dhe çoi vetëm në fitoren e Ligue 1. Vetëm 11 gola shënoi Messi në 33 ndeshje me parisienët në të gjitha garat, asnjëherë kaq pak që nga 2005/06.
Pavarësisht se argjentinasi do të mbushë 35 vjec në korrik dhe me kaq shumë dëmtime këtë vit, kostot e operacionit të kthimit të Lionel në shtëpi do të ishin ende të papërballueshme për arkat e Barcelonës dhe ndoshta, për herë të parë, edhe të pajustifikueshme nga pikëpamja teknike. Por në merkato mund të ndodhë gjithcka dhe këtë e di mirë Jorge Messi dhe Joan Laporta dhe, pikërisht për këtë, nuk kanë dashur t’ia mbyllin plotësisht mundësinë fatit.